Albspirit

Media/News/Publishing

Ruben Avxhiu: Një tërmet që duhet të shkundë shoqërinë shqiptare nga letargjia

Ruben Avxhiu

 

Shqipëria ndodhet në krizë akute politike që prej fillimit të këtij viti. Të them të drejtën vendet mund të jetojnë në këtë mënyrë për dekada me radhë. Ata mbajnë pushtetin, opozita vetëkënaqësinë morale.
Por kjo përshtatje me krizën politike ka brenda rrezikun e tragjedisë mbarëkombëtare. Në raste të skajshme social-ekonomike apo katastrofash natyrore. Mungesa e burimeve të besueshme në media dhe mungesa e autoritetit të shtetit pjellin panik, kaos, dhe shkatërrim të normalitetit të jetës.
Shembulli më i skajshëm i kësaj ishte viti 1997, kur shqiptarët humbën masivisht kursimet e tyre në skemat piramidale dhe mungonte një qeveri legjitime, opozita kishte refuzuar sistemin dhe shtetin, ndërsa media ose kishte humbur besueshmërinë ose luante me faktet për të shtuar shitjet në treg.
Në krahasim me atë kohë, tërmetet e ditëve të fundit në Shqipëri ishin një shembull shumë më zemërdhënës. Së pari nuk pati viktima, së dyti, u dhanë shqiptarëve një mundësi për të parë se si e sa shpejt mund të shërbëhet jeta normale si dhe ishte një “stërvitje” që mbaroi shpejt. Sigurisht, mësimi më i madh është ai i nevojës për politikanë të përgjegjshëm, për një shtet funksional, e për normalitet në jetën publike.
Për mua ligji po vepron me shpejtësi kundër autorëve të lajmit të rremë sepse i përkasin një portali pro-opozitës. Mirëpo, asgjë nuk do të sigurojë vetëpërmbajtjen e atyre që flasin në publik, që të mos gjenerojnë lajme të rreme që kërcënojnë jetë njerëzish nëse nuk do të ketë ndëshkim të ligjit. Unë nuk besoj se duhet të lejojmë që shkelësit në këtë rast të fshihen pas të drejtës së fjalës. E drejta për të ofenduar duhet të jetë e mbrojtur me ligj. Po jo e drejta për të përhapur panik.
Në çdo vend ku funksionon ligji, nëse thërret “bombë”, apo “zjarr”, në një sallë kinemaje të mbushur plot me njerëz, dënohesh po njësoj sikur të kesh qenë arsonist apo të kesh vendosur një material shpërthyes, sepse rreziku që njerëzit të vriten e të lëndohen duke vrapuar në panik mbi njëri-tjetrin është real.
Sigruisht është pyetje legjitime nëse po vepron ligji  saktësisht kundër autorëve të një lajmi të rremë për tërmetin vetëm sepse ata i përkasin opozitës dhe sulmojnë pa mëshirë dhe sigurisht pa përgjegjësi qeverinë? A do të arrestoheshin e merreshin në pyetje nëse do të ishin në anën tjetër të gardhit politik? Unë them se qeverisë i erdhi një rast i mirë në dorë për të larë hesapet duke arrestuar e trembur disa gazetarë e duke turpëruar në publik media pro-opozitës. Duke qenë se veprimi i ligjit këtu erdhi pas gatimit të një projekt-ligji që kufizon lirinë e fjalës, qeveria nuk e meriton besimin tonë se po vepron për hir të sigurisë publike.
Sigurisht për të njëjtën arsye, ngrihet pyetja nëse opozita po u del në mbrojtje këtyre gazetarëve, duke rrezikuar imazhin e saj në popull, pikërisht se nuk mund të tradhëtojë besnikët e saj edhe nëse bëjnë krime. A nuk janë ngjarje si këto garancia më e madhe që u jepet shqiptarëve se kur ta rrëzojnë Edi Ramën, tradita e klientelizmit politik që shpërfill ligjin, moralin dhe sigurinë publikë do të vazhdojë nga një parti tjetër?
Opozita duhet ta kujtojë këtë “mbrojtje gazetarësh” kur të debatojë se pse nuk po ngrihet populli kundër diktarurës së re, se pse në vend që shqiptarët të mobilizohen për të sjellë ndryshim politik janë kapluar nga cinizmi, materializmi, dyfytyrësia morale dhe dëshira torturuese për të lënë vendin.
Sigurisht, shqiptarët kanë nevojë për një qeveri që mendon se nuk qeveris dot pa opozitën. Për qeveritarë që i pret një jetë tjetër normale nëse ikin nga qeveria dhe nuk e kanë problem të japin dorëheqjen për hir të kombit. Kemi nevojë për një opozitë që nuk vjen me garancinë se do të veprojë po njësoj si partia në fuqi, në mos më keq. Një opozitë që në vend që të përjashtojë ata që mendojnë ndryshe nga kryetari, të përjashtojë besnikët që rrezikojnë imazhin e saj dhe sigurinë publike.
Shqiptarët kanë nevojë për edukatë leximi të medias. Për rikthim te gazetaria serioze, te shpërfillja e titujve bombastikë, te mosbesimi i shëndetshëm, te nevoja për të kërkuar konfirmim nga burime të tjera të çdo lajmi që lexojnë, te injorimi i gazetave e portaleve me emra të çuditshëm që dalin si kërpudhat pas shiut. Nëse redaktorët e kohës sonë nuk do të kujdesen për të mbrojtur publikun, në kërkim të mbijetesës në treg, u mbetet lexuesve të mbrojnë veten nga burimet e pafundme që gëlojnë tani në internet. Rreziku i parë ju vjen pikërisht nga portalet që janë në anën tuaj politike e kombëtare.
Mbi të gjitha, pavarësisht se ku jeni, në qeveri apo në opozitë, në raste ekstreme, duhet ndjekur vetëm udhëzimi i autoriteteve të shtetit, i njerëzve në ngarkim të situatës. Katastrofat natyrore nuk janë momente për politikë. Që nga qeveritarët deri te qytetarët, përgjegjësia morale për jetën, sigurinë dhe pronën e të tjerëve dhe si dhe frika e ligjit mbeten të vetmet forca që kemi në dorë.
Nëse nuk janë momente si këto, arsye për të rifilluar një dialog të përgjegjsjëm e modest për të zgjidhur krizën politike e për t’ia rinisur edhe njëherë nga fillimi, nuk e di se çfarë pritet. Një katastrofë që të fshijë mijëra vetë? Politikanët nga qeveria në opozitë duhet të zbresin nga piedestalet e moralit të lartë që u kanë ngritur vetes, me ndihmën e lajkatarëve idiotë e të sillen si njerëz normalë. Të mos fryhen nga pozita që kanë kapur e nuk lëshojnë edhe sikur të digjet Shqipëria, po të ecin të kërrusur nga barra e përgjegjësisë që kanë ndaj popullit.
Nëse nuk e bëjnë, njerëzit duhet të mendojnë për alternative të reja politike. Për njerëz të rinj e udhëheqës të rinj. Që të mos ikin të tmerruar si pas një tërmeti me vetëm 4.4 ballë, e të mos mbeten mbrapa duke mallkuar fatin që nuk kanë një makinë të mirë, që nuk i bëjnë dot bisht punës së ditës së hënë në mëngjes, që nuk kanë një shtëpi në plazh apo para për hotele e motele.
Qindra lëkundjet e tokës duhet ta kenë shkundur këtë shoqëri nga letargjia sa nuk është vonë./ylliria press/

Please follow and like us: