Albspirit

Media/News/Publishing

Ish-projektuesi pogradecar tregon misteret e objekteve sekrete: Ja pse u grabit thesari në Krrabë?

 

Image may contain: 1 person, suit

Bardhyl Berberi

 

Thesari i shtetit në Krrabë nuk do të ishte grabitur kurrë, nëse ai nuk do të zhvendosej nga Skrapari në tunelet e Krrabës. Flet në një intervistë eskluzive për mediat, 73-vjeçari Kudret Çollaku, ish-projektues dhe zbatues i objekteve sekrete në kohën e komunizmit. Ai është zbatuesi i vendstrehimit të Krrabës, ku pas viteve ‘90 u soll thesari i shtetit nga vendstrehimet e Skraparit në Krrabë, një vëndstrehim fare i pasigurtë. Ai për herë të parë tregon mbi tunelin e Kërrabës, vendstrehimet e udhëheqjes së lartë komuniste. Për vite me radhë deri sa është transferuar në Rrëshen pas arrestimit të Kadri Hazbiut, vjerrit të vëllait të tij Mehdin Çollaku mbi familjen Çollaku filloj persekutimi…

Z. Çollaku, si projektues i objektit ku ruhej thesari i shtetit në Skrapar dhe ndërtues i vendstrehimit të Kërrabës, ç’mund të na thoni për grabitjen e një pjese të thesarit?

 

Po është e vërtetë që unë kam qenë zbatues i këtij objekti sekret të Krrabës. Sapo kam marrë emërimin më 3 gusht të vitit 1963 në Ministrinë e Brendshme, për fatkeqësinë time, ndeshem me një detyrë speciala: Ndërtimin e vendstrehimit të Skuterrës në Krrabë. Projekti ishte bërë nga ing. Thoma Rafaeli, por ai sapo ishte arrestuar, pasi sëbashku me disa intelektualë të tjerë tentoi të arratisej përmes kufirit shtetëror në Qafën e Thanës. Thoma Rafeli kishte qenë major dhe kishte mbaruar në Bashkimin Sovjetik, kështu që këtë objekt të projektuar prej tij duhet që ta zbatoja unë. Ia nisa duke studjuar hollësisht literaturën ruse nga ishte marrë modeli i këtij vendstrehimi dhe më pas një batalion i mbrojtjes civile, nisi ndërtimin e tij. Objekti ishte në formën e një patkoi, ishte shumë i madh, me dy dalje dhe më vonë u ndërtua dalja e tretë me kaldajë dhe dhjetra dhoma. Ishte një çmenduri e vërtetë të zhvendosje thesarin nga vendstrehimi i Skraparit, tepër i sigurtë dhe ta futje në këtë objekt farë të pasigurtë. Vendstrehimi i Kërrabës ka tre dalje kryesore dhe pa asnjë masë sigurie. Ky objekt nuk ishte projektuar për të strehuar qeverinë në rast lufte. Si konstruktor dhe specialist i kësaj fushe mund t’iu them se midis shkëmbit gëlqeror dhe betonit të hedhur mund të ecje me kalë, kaq e madhe ishte hapësira. Unë nuk e di saktësisht se kur u zhvendos thesari nga Skrapari në Kërrabë, por di t’iu them me kompetencë se zona e Skraparit ishte një zonë shumë e sigurtë, e ndërtuar enkas për këtë qëllim. Edhe ky objekt i Skraparit ku ishte strehuar thesari, para se të zhvendosej në Krrabë, është ndërtuar prej meje.

 

Z. Çollaku, pse thesari ishte tepër i sigurtë në Skrapar?

 

Kurioziteti i fshehjes së thesareve të një shteti. arkivave sekrete të shtetit, e kemi parë shpesh herë nëpër filma dhe e kemi lexuar nëpër libra,  projektuesit e thesareve në shtete të ndryshme kemi dëgjuar se nuk kanë patur fat të mirë.

Në konceptin e thesarit, në financë nuk kuptohet vetëm ari, argjendi dhe stolitë e metalet e tjera të rralla që ka shteti, por edhe leku në letër dhe në metal. Pasi mora të gjitha të dhënat paraprake u vendos vendi se ku do të ndërtohej.

Objekti përbëhej nga tre pjesë:

  1. Vendi ku do të strehohej ari dhe argjendi
  2. Salla ku do të vendoseshin arkat me kartëmonedha
  3. Një koridor lidhës me ambientet e shërbimit e dhomat e punës, të cilat do të kamuflonin dy ambientet që përmendëm më sipër për t’i dhënë objektit pamjen e një vendrejtimi për kohë lufte. Çdo njeri që mund të futej në këtë objekt, nga truket që i ishin bërë, nuk mund të shikonte asgjë nga thesari i shtetit. Këtu ishin marrë masa deri në detaje që në raste të jashtëzakonshme të bëhej bllokimi i këtyre ambienteve në mënyrë automatike dhe ishte e pamundur që të grabitej. Gjatë punës sime unë konsultohesha me me zvministrin, gjenaral Qazim Kondin deri sa ai doli në pension. Bashkë me Qazim Kondin shkonim herë pas here në Skrapar dhe ndiqnim punimet. Unë kam patur nderin të ndjek punimet me këtë njeri të mençur dhe korrekt.

 

Po çfarë u bë më tutje me objektin e thesarit?

 

Në vitin 1987 mora urdhër nga Ministri i Brendshëm Kadri Hazbiu që sëbashku me zvministrin Rexhep Kollin do të niseshim në Skrapar në objekt dhe do të prisnim kryeministrin Mehmet Shehun. Të nesëermen mbërriti Mehmet Shehu. Të shoqen Fiqiretin e kishte lënë në vilë. Isha i emocionuar pasi ishte hera e parë që takohesha me Mehmetin, ishte kapacitet dhe kishte njohuri nga të gjitha fushat e jetës. Vallë a do t`i pëlqente objekti? Ne do të vinim në lëvizje çdo makineri dhe objekti thjesht çdo gjë që shihej me sy do të prekej me dorë: Që nga nyja e pastrimit, filtrat, ventilatorët dhe gjeneratorët që mbanin objektin në kushtet e mungesës së energjisë elektrike deri tek lidhja telefonike e qendrës në rast lufte. Mehmet Shehut i pëlqyen ambientet e thesarit, mënyra e kamuflimit dhe siguria e jashtëzakonshme e thesarit duke na folur me superlative. Pas vizitës së Mehmet Shehut po vinin ngarkesat me kartëmonedha që administroheshin nga një grup i Bankës së Shtetit që merrte mallin në ngarkim tek gryka e tunelit. Bëhej marrja e arkave me kartëmonedha që vinin me vapor nga Kina, pasi lekët shqiptare prodhoheshin në Kinë.

 

Z. Çollaku, kur thesari ishte tepër i sigurtë në Skrapar pse u zhvendos në Kërrabë?

 

Pas vitit 1992 kur unë isha larguar nga kjo detyrë dhe kishte ardhur në pushtet qeveria demokratike zonën e Skraparit e quante si bastion të komunizmit, prandaj ndodhi kjo zhvendosje, kishin frikë nga vendosja në Skrapar. Unë personalisht vjedhjen e thesarit të shtetit e mësova nëpërmjet shtypit dhe të them të drejtën jam skandalizuar se si mund të çohej thesari i shtetit në një objekt që ishte përgatitur për vendstrehim të qeverisë, por ata që e çuan atje volën frutet e grabitjes së thesarit, që padyshim që është një nga gafat më të mëdha, nuk ka bërë vaki në vend tjetër të vidhet thesari i shtetit sikur vidhet ndonjë dyqan fshati.

 

Z. Çollaku, ju keni qenë njeriu që dinit gjithçka rreth thesarit; a mund të na thoni se sa ishte sasia e arit dhe argjendit, pasi është shkruar e folur nga Xhon Mekou se 10 ton ar është marrë nga qeveria komuniste dhe është transferuar në Bankat e Zvicërës?

 

Nga dokumentacioni shkruhet se mbreti Zog, kur la vendin në prill të 1939 nga Banka e Shtetit Shqiptar ka tërhequr gati 320 kg ar i cili me të drejtë është quajtur hajdut, ndërkohë që në thesarin e Krrabës u vodhën 280 kg ar.

Për sa i takon shifrave të thesarit të shtetit, mund t’iu them se e gjithë ngarkesa e arit të shtetit u vendos në një kamion tip maune mesatare ku qëndronin një skuadër me ushtarë që bënin shkarkimin e tij dhe një oficer përgjegjës, ndërsa gjatë transportit disa metra më larg ishim ne që e kishim ngarkim dhe një inxhinier radist që nuk dinte gjë fare seç bëhej. Ndërsa për shifrën e Xhon Megut që qeveritarët komunistë kanë transferuar jashtë shtetit 10 ton ar, kjo është qesharake, kur dihet edhe shifra e arkave të porositura tek mobileria “Misto Mame” ku u vendos i gjithë ari i shtetit ishte  në një makinë tip maune… Shifrat e Xhon Megout ka qënë spekulative.

 

 

Z. Çollaku, është folur se objektet sekrete i dinin pak njerëz?

 

Po është e vërtetë ishte një numër shumë i vogël që kishin dijeni për këto objekte secrete, i dinin vetëm pak persona. Kështu objektin e thesarit të shtetit e dinte Mehmet Shehu, zvministri përkatës Qazim Kondi dhe unë si realizues dhe projektues. Sa për ilustrim mund t’iu them se Ministri i Financave të asaj kohe nuk e dinte se ku ndodhej thesari i shtetit.

 

Z. Çollaku, a keni ndërtuar objekte të tjera përveç vënd strehimit të thesarit në Skrapar dhe në Krrabë?

 

Po kam patur rastin të projektoj dhe të ndjek një objekt të rëndësishëm nëntokë, poshtë ish Ministrisë së Brendshme, godinës së policisë dhe klubit të saj dhe ish-ministrisë së Ndërtimit. Pasi mora organikat përkatëse u hartua projekti.

Ka qënë data 2 dhjetor 1981 dhe u lajmërova si projektues dhe autor i fletës krijuese se në orën 11 do të shoqëroja Ministrin e Brendshëm Feçorr Shehu tek kryeministri Mehmet Shehu. Me maketin dhe skicat në dorë sëbashku me Feçorr Shehun, atëhere ishte Ministër i Brendshëm dhe shkuam tek zyra e kryeministrit. Sapo hapëm derën, Mehmeti ishte i përkulur mbi tavolinë dhe ishte shumë i rënë si fizikisht dhe moralisht, i lexoje lehtë në fytyrën e tij një brengë e madhe. U çua nga tavolina e tij dhe na bëri shenjë të uleshim tek cepi i një zyre të madhe ku ishte një tavolinë e vogël dhe disa kolltuqe. Zumë vend pasi Mehmeti na dha dorën.

-Hë, tha ai pasi na hodhi një vështrim të dyve me Ministrin e Brendshëm, pa na i tregoni. Filloi të flasi Ministri i Brendshëm Feçorr Shehu, por ai i bëri lëmsh, pasi nuk e kishte studjuar më përpara projektin me të gjitha detajet e tij. Mehmeti më shikoi në sy.

-Pa ta dëgjojmë specialistin,- tha Mehmeti.

Fillova të flas unë duke thënë se Ministri duke thënë kështu ka dashur të thotë këtë dhe këtë, fola në detaje disa minuta duke ia shkoqitur të gjitha gjërat një nga një. Qëndroi një moment dhe më thotë Mehmeti: Objekt shumë i madh, hiq disa zyra.

Qëndroi një çast kur i fiksuam gjërat dhe na tha ne “Po pse duhet që ta firmos vetëm unë, ky objekt është shumë i rëndësishëm dhe duhet ta miratojë Byroja Politike”? Ne i thanë se është sekret dhe nuk duhet ta dijë tërë Byroja Politike.

U ngrit Mehmeti ku ishte ulur me ne dhe shkoi tek tavolina kryesore dhe mori në telefon Kadri Hazbiun.

– Pse ta firmos vetëm unë more Kadri,- i tha Mehmeti më kanë sjellë për firmë këtë projktin e venddrejtimit të Ministrisë së Brendshme.

Ne dëgjuam në telefon argumentat e Kadri Hazbiut, i cili i theksoi Mehmetit se ky object, venddrejtimi i Ministrisë së Brendshme pasi në një situatë të jashtëzakonshme Ministria e Brendshme duhet të drejtojë punën në këtë objekt. Ministria e Brendshme në të tilla situate duhet të iki e fundit…Në mbyllje Mehmeti i tha Kadriut se unë mendoj që të hiqen dy-tre zyra dhe pas ndërtimit sheshi të duket siç është sot. Mehmeti pas bisedës me Kadri Hazbiun e firmosi projektin.

 

Po ndonjë mbresë tjetër me Mehmet Shehun?

 

Kur kishte evenimente të mëdha siç ishte një kongres partie të gjithë aparatit të Ministrisë së Brendshme i caktoheshin detyra speciale. Kështu në kongresin e 8 të PPSH unë isha caktuar të shoqëroja delegacionet e huaja, ata që ishin nëpër llozha pasi kryetarët e delegacioneev ishin në tribunën e kongresit.

 

Pse i shoqëronin delegacionet e huaja oficerë të Ministrisë së Brendshme?

 

Dëgjo, vigjilenca atëhere ishte shumë e mprehtë. Mbase ishte ndonjë element terrorist i inflirtuar, kryente ndonjë akt terrorist ndaj udhëheqjes së lartë, prandaj ne iu qëndronim pranë dhe ishim të armatosur. Gjatë pushimit midis seancave ne vështronim me kujdes çantat e tyre për ndonjë mjet plasës.

Po le të ndalemi tek mbresat me Mehmet Shehun.

Kur diskutoi kryetari i delegacionit të Partisë Komuniste të Spanjës Raul Roa salla pati ovacione dhe diskutimi i tij e ndezi atmosferën. Ai mbaroi diskutimin dhe iu drejtua Mehmet Shehut që ishte në krahun e djathtë të Enverit e përqafoi me shumë dashuri dhe tha ‘shoku Mehmet’ është  luftëtari i luftës së Spanjës”. E vura re me vëmendje, Enveri nuk lëvizi nga vendi, por u nxi krejt, madje as dorën nuk ia zgjati kryetarit të delegacionit Raul Roa.

Atë ditë që Mehmet Shehu vrau veten ndodhesha në një restorant në Lezhë kur dëgjoi lajmin e vetëvrasjes. Eh, Mehmet, thashë me vete çfarë zgjidhje i dhe kësaj pune! Më erdhi keq, po ta them sinqerisht në tërë historinë e saj Shqipëria vetëm një kryeministër ka patur Mehmet Shehun, erudite, orator i jashtëzakonshëm, fliste me një skedinë prej tre pikash dy orë pa përsëritur dy herë të njëtën fjalë.

Sa qesharak duket Enver Hoxha kur thotë se të nesërmen do t`i hiqte vetëm një vërejtje, si ka mundësi që u lëshuan të nesërmen tërë ato rrufe kundër Mehmetit, poliagjent e lloj lloj epitetesh, ishte e qartë se të nesërmen Enveri në emër të Partisë do ta kryqzonte Mehmetin…

 

Z. Çollaku, gjitha këto sekrete që ju dinit i transmetonit tek pasardhësit tuaj?

 

Pas goditjes së Kadri Hazbiut, i cili ishte krushk me familjen tone, pasi vëllai im i madh Mehdini kishte grua vajzën e Kadri Hazbiut, më transferuan në Rrëshen duke më quajtur të pabesueshmëm në këtë post. Me ardhjen e qeverisë demokratike duke ndjerë peshën e madhe të gjitha atyre sekreteve shtetërore që dija duhet që t`ua thosha pasardhësve. I bëj një letër ish- ministrit të Rendit të asaj kohe, Bashkim Koplikut, ku i shkruaj se për arsye madhore të shtetit të më thërrasi në një takim. Doja t`i tregoja me sinqeritet atij që më zvëndësoi mua t`i tregoja të gjitha sekretet e rëndësishme shtetërore të këtyre vendstrehimeve si të thesarit dhe të vendstrehimeve të tjera të rëndësishme. Ai çuditërisht nuk më priti vetë, por kishte autorizuar  Hajri  Mezini, ish-zvministër i Brendshëm i asaj kohe. Sapo e takova, ende pafilluar që t`i flas për venddrejtime speciale secrete, ai ma preu shkurt:

– Dëgjo, më tha ti je i pabesueshëm për ne dhe përvoja jote nuk na vlen. Këtu, shtoi ai, punojnë të tjerë njerëz, ata që ne mendojmë. I thashë se pas tre vjet pune në Rrëshen si inxhinier ndërtimi kam punuar edhe në hidroçentralin e Komanit si përgjegjës i punimeve në sallën e turbinave, një vend tepër i besueshëm. Ai e mbylli bisedën shkurt:

-Ju thashë, jeni i pabesueshëm për ne…

U largova i trishtuar. Do t’iu tregoj diçka shumë interesante. Një mbrëmje vjen për vizitë në shtëpinë time një inxhinier gjeolog sëbashku me gruan e tij, pasi ishte kushëri me gruan time. Ai kishte zënë vendin tim të punës dhe filloi të tregojë sekrete në familjen time, të asaj pune që kisha bërë unë. Filloi të flasi për vendstrehimin e thesarit të shtetit dhe plot sekrete të tjera. Gruaja dhe dy djemtë e mi Sokoli dhe Doriani (ky i fundit kampion i hedhjes së çekiçit) shtangën duke më parë mua në beben e syrit më thanë “ti, baba ke punuar në këto vdnde sekrete dhe ne nuk kemi dëgjuar asnjë fjalë prej teje, na thoshe shkurt se jam inxhinier në Ministrinë e Brendshme dhe vetëm kaq”. Unë përsëri në prani të familjes pohimin e kushëririt të gruas e hodha poshtë duke ripohuar se unë nuk kam patur të bëj me këto objekte. Ndërkohë që kushëriri i gruas, që kishte zënë vendin tim më thotë se “unë kam firmat tuaja dhe gjithë dokumentacionin”. Unë përsëri dola nga situata kur i them se “ato firma që ju keni parë janë firma gjatë zboreve dhe mbledhjeve mësimore”.

Kur ai iku nga shtëpia duke e përcjellë i them të takoheshim tek parku ‘Rinia’ përballë hotel ‘Dajtit’ e të pimë një kafe.

U takuam të nesërmen dhe i thashë  kushëririt të gruas që të mos fjaloste marrëzira se ato që ai tregonte ishin tepër sekret. Më pas e porosita inxhinierin e minierës që më kishte zvëndësuar mua që këto sekrete të mos ia thoshte asnjeriu, madje as gruas së tij dhe fëmijëve se mund ta pësonte me kokën e tij, por mund ta pësonte dhe shteti, sepse në atë kohë maskat ishin rrugëve dhe shteti ishte shumë i dobët. Në kohën tonë kishte shumë konspiracion, ne ishim shokë të një zyre dhe projektuesi tjetër jo vetëm që nuk dinte asgjë, por dhe nuk të pyeste se me se merreshe …

 

Kur ju larguan nga Ministria e Brendshme?

 

Menjëherë pas arrestimit të Kadri Hazbiut, më thërrasin dy zvëndësministrat e Brendshëm  Agron Tafa dhe Hysen Shahu dhe më thanë dorëzo shpejt çelasat e thesarit dhe zhduku nga Ministria e Brendshme, prit emërimin e ri .

 

Ku ju emëruan?

 

Në Rrëshen si inxhinier ndërtimi në ndërmarrjen e ndërtimit. Punoja fort në punë me këmbëngulje duke realizuar planin e asaj kohe. Kisha punëtore betonimi Drita Ballukun, vajzën e Beqir Ballukut. Më vinte keq për Dritën, punonte me një përkushtim të jashtëzakonshëm dhe lodhej pamasë …Ashtu ishte koha luftohej për ekzistencë…

 

Po më pas?

 

Kam punuar për shumë vite si inxhinier zbatues në hidrocentralin e Komanit deri sa dola në pension.

 

 

Thesari i Krrabës

Më 13.3.1997 objekti shtetëror në Krrabë të Tiranës ku ruhej thesari i shtetit dhe një pjesë e Arkivit të Ministrisë së Brendshme u plaçkit dhe u shkatërrua. Një dëm i pallogaritshëm iu shkaktua shtetit shqiptar në atë kohë të vështirë, por indiferentizmi i mëvonshëm nuk ishte më i pakët. Indiferentizmi vazhdon të jetë njësoj.

Thesari i shtetit ishte krijuar së pari mbi bazën e urdhrit të kryeministrit datë 21.5.1963. Në atë kohë u krijuan rezerva fondesh në bankënota në degët e Bankës së Shtetit në degët: Berat, Elbasan, Gramsh, Rrëshen, Tepelenë, Durrës.

Në shkurt 1968 u krijuan rezerva të tjera në degët: Korçë, Laç, Burrel, Pukë, Shkodër, Bajram Curri, Vlorë, Skrapar.

Më 12.6.1974 filloi zhvendosja e vlerave monetare por edhe e triskave të luftës në Berat. Ishin gjithsej 3.349 arka të sjella nga degët në Durrës, Elbasan, Tiranë dhe Skrapar.

Në bazë të vendimeve të Këshillit të Ministrave nr.138, datë 28.6.1974 dhe nr.323, datë 8.10.1976, nr.62, datë 24.2.1981 janë depozituar në thesarin për kohë luftë sasi ari e argjendi. Në vendimin e dytë spikasin ndër të tjera edhe stoli me gurë diamanti të cilat iu vodhën shtetasve shqiptarë nga komunistët.

Pas lëvizjeve të shumta, në vitin 1992, thesari u vendos në Krrabë. Një vit më vonë u vendos aty në pjesën e jashtme të objektit një pjesë e arkivit të MB-së. inventari i fundit ishte më 27.2.1997.

Objekti u sulmua më 13.3.1997 nga populli i zonës në Krrabë. U shkaktuan dëme të mëdha materiale, si dhe u shkatërrua një pjesë e Arkivit të Ministrisë së Brendshme. Këtë ditë ka pasur hyrje në objektin ku ruhej thesari, si dhe ka pasur një përpjekje tjetër më 13.4.1997, e cila ka dështuar për shkak të shpërthimit të minës.

-Ari i vendosur gjithsej në 24 arka

1- Gjashtë (6) arka me nga 4.000 copë secila (prerje 1 napolon), gjithsej 24.000 copë. U vodhën 3.998. Humbi 1. Ngelën 20.001 copë.

2- Gjashtëmbëdhjetë (16) arka (prerje 1 lirë osmane), rreth 3.800 copë secila, gjithsej 62.000 copë. U vodhën 39.997. Ngelën 22.002 copë.

3- Një (1) arkë (prerje 5 lirëshe osmane), me 1.200 copë. Nuk u vodh.
4- Një (1) arkë (prerje 10 dollarë), me 1.600 copë. Nuk u vodh.
– Argjendi, i vendosur në 97 arka me nga 20 kg secila. Gjithsej 1940 kg.

Më 20 mars 2000 filloi inventari, i cili mbaroi më 6 prill 2000.
Më 19.5.200 u zhvendos ari dhe më 26.5.2000 jashtë Tiranës u zhvendos argjendi.
Bashkëlidhur foto e njërës prej dhomave ku ruhej thesari në tunel.

 

 

 

Please follow and like us: