Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Grusht bashkuar e dhëmb për dhëmb me imperialistët

Image result for parrullat ne komunizem

Jemi në vitin 2019 por duket sikur po jetojmë kohën e bllokadave, vetmisë së madhe, kohën kur Enver Hoxha rrihte me grushte podiumin duke i thënë imperialistëve se bar hamë dhe nuk ua shtrijmë dorën. Dhe qytetarët ca nga zori, ca nga budallepsja kolektive, ca nga ndërgjegjësimi se bërja palë me Enverin i dedikohej atdheut etj., pra të ndërgjegjësuar se vetëm ai dhe vetëm ata e donin vendin, ishin gati të shqyheshin me imperialistët pavarësisht se i kishin këmbët në ujë. Mirëpo për vete Enveri jo që nuk hante bar por bënte jetën e luksit mes djallit dhe shenjtit të krishtlindjeve ndërsa fenë e demaskonte si opium për popujt. Kurse shqiptarët o burra aksione, plane pesë vjeçare me motivacionin të plasin ata që nuk na duan, imperialistët. Megjithëse më vonë, për ironi të fatit do i mësynin me ç’të mundnin. Kësisoj po vepron edhe ky aktuali Edi Rama, ngurrimit të Francës dhe refuzimit të prerë të Hollandës po i përgjigjet me devizën se fajin e ka Europa. Kudo që shkon flet për Europën e lajthitur dhe me probleme etj. Eshtë një fushatë ekzaktë enveriste që kërkon aleancë me popullin për t’iu kundërvënë perëndimit. Gati të thojë se na u prish gjiza ne se nuk na pranoni. Ndaj bashkojuni dhe ngujojuni pas tij, e kemi traditë. Dhe nuk e ka lënë vetëm veten, del tek tuk ndonjë qeveritar tjetër, apo ish qeveritar, ndonjë nënpunës i mykur nga direktivat e njëshit, se ne, jemi në rregull, çfaj kemi ne që ata nuk shikojnë arritjet tona, apo përmbushjet e detyrimeve. Nuk na duan, punë e madhe, s’është faji jonë. A është kjo një fushatë e qëllimshme si një parapërgatitje për refuzimin final javën që vjen? Mundet…, dhe për më keq nuk është e sinqertë. Dhe nuk ka se si. Mbi të gjitha është ai momenti për të shikuar fytyrën e vërtetë të një qeveritari dështak. Të atij lloji që në asnjë çast nuk e ka çuar nëpër mend se ka ardhur deri aty për vendin, por për vete. E kemi thënë dhe e përsërisim sikur Edi Rama ta donte vërtetë Shqipërinë, kish bërë me kohë atë që bëri ish kryeministri i Kosovës Rramush Haradinaj, hapte krahun.
Shikojeni se në çfarë stadi është Kosova, u dorëhoq kryeministri, njerëzit votuan dhe e ndanë votën të balancuar. Nga sot a nesër pritet të filloj nga puna një tjetër kryeministër. Krejt normalisht me asnjë lloj gjëme se mori fund bota. Kurse në Shqipëri ta shpif kur dëgjon një ish ministre të Ramës që thotë se, nëse Franca na refuzon, humb Franca jo ne. Pika gruan. Nuk ka se çfarë të humbi Franca në lidhje me ne. Madje neve Franca na ka shitur një herë, në mos po na shet dy herë. Na griu shpirtin kjo strategji dështakësh, po ikin vitet, po ikin shekujt dhe propaganda i mund për ditë shqiptarët. Nuk ua ka fajin Franca dhe Hollanda o rilindas mavi. Por ai zelli derrit të shqiptarit që të gjitha i di veç bashkëpunimin jo. Ka një javë dhe ngurrimit të një apo dy shteteve i përgjigjet me ngrysje vetullash. Eshtë më i korruptuar se të gjithë ata që akuzon, më i dështuar se të gjithë ata që telendis nëpër statutet e fb, më Enver se Enver Hoxha. Dhe duket se ka një aleancë të gjerë, ndryshe nuk ka se si shpjegohet që edhe Lulzim Basha ka humbur. Jemi në 12 tetor dhe asnjë protestë. Nuk e di se si po e kapërdijnë këtë qetësi demokratët, por gjasat janë që një aleancë e heshtur ekziston ose pushteti është i tillë sa mund të vrasi kollajllisht çdo impuls. Edi Rama duhet të ishte në rrugë, i pa punë, por nuk është. Më keq akoma se të pa punë, të ronitur, budallepsur, matufepsur, mashtruar, tradhtuar, përbuzur, janë shqiptarët.

Please follow and like us: