Albspirit

Media/News/Publishing

Çapajev Gjokutaj: Vagullitë e magjishme të kulturës humane

Image result for muri, sartri

Një burrë, i përmjerrë në pantallona dhe me këmbët në një pellg urine pyet: A ekziston përjetësia?

Ngjan absurde që, i lyer e i zhgryer në urinën tënde të flasësh për diçka aq sublime, të bukur e të ëndërrt si bota e përjetshme.

Por skena ka dalë nga pena e Sartrit dhe në kontekstin e tregimit ‘Muri’ tingëllon realiste dhe e motivuar psikologjikisht. Eshtë nata e fundit e jetës së këtij burri. Pak orë më parë, pas një gjyqi absurd, i kanë njoftuar dënimin me vdekje. Në agim do e pushkatojnë.

Kur pa pritur e pa kujtuar përplasesh me murin e vdekjes, bëhet e mundur që, i tronditur thellë të mos e kontrollosh dot trupin, të urinosh pavetëdije dhe njëkohësisht të të vetëtijë në mend mundësia e jetesës përtej, në perjetësi. Në mos si realitet, të paktën si ngushëllim.

Se vdekja është e çuditshme. Jemi mësuar ta përfytyrojmë me kosë në dorë, por në një vështrim më esëll nuk përdor aq kosën, sa penën, daltën e penelin.

Duke u ndeshur me ankthin e vdekjes, njerëzimi ka krijuar disa nga vagullitë më të magjishme të kulturës humane.

Njera e kërkonte shpëtimin këtu, në tokë. Nëpërmjet gjetjesh alkimie si eliksiri i rinisë etj. synonte ta bënte jetën tokësore të gjatë e të përjetshme.

Tjetra, edhe më pjellore, e ka gjetur shpëtimin në jetën e përtejme, me ferrin dhe parajsën. Dy imazhe sa ngashënjyese aq edhe drithëruese, që kanë prodhuar perla arti.

E treta, mbase më pjellorja, e përvijon shpëtimin si jetë në kujtimet e të tjerëve sipas motos: Nuk ka vdekur, jeton në zemrat tona. Sepse siç thoshte Ciceroni, vdekja i jep fund jetës, por jo marrëdhënies njerëzore.

Të tria këto rrugë duken në thelb iluzore. Por ngjan se pa këto iluzione jeta e njeriut do të kishte qenë më e mjerë, kurse thesaret artistike tejet më të përkora.

Me sa duket nuk bën sens që gjithnjë e në çdo rast t’i falemi vetëm asaj që e quajmë të vërtetë, pa trillimet ekzistenca jonë do të kishte shumë më tepër ankth e frikëra.

Please follow and like us: