Albspirit

Media/News/Publishing

Jeta Dedja: Si ua shkel Edi Rama dinjitetin qytetarëve sa herë që u flet? 

Image result for jeta tocila

Jeta Dedja

 

Çdo ditë luhet me dinjitetin e njeriut dhe shumë pak ndalen seriozisht në të. Janë skena që ndodhin para syve tanë, nga njerëz që kanë njëfarë pushteti, dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për atë politik. Çdokush që ka një pozicion dominant në familje, shoqëri, komunitet e jetë publike ka riskun e madh që të shkelë dinjitetin e dikujt, dashur ose padashur (megjithëse unë nuk i besoj padashjes). Përmes përdorimit të fyerjeve, etiketimeve, stigmave, talljeve, pseudo-humorit, nënçmimeve njerëzit cënojnë atë që quhet dinjitet.

Çfarë është dinjiteti? Gjendja apo ndjenja që kemi ose përjetojmë për shkak të vlerave që ia dimë vetes dhe që kemi dëshirë t’i shfaqim e presim që të tjerët të na i respektojnë. Të qenët i nderuar ose vlerësuar nga të tjerët dhe të paturit vetë-respekt thonë fjalorë të ndryshëm. Do të thotë se njeriu, pavarësisht çdo diference me të tjerët, gëzon vlera të padiskutueshme. Çdokush që vë në lojë, tallet, dhunon, përbuz, përçmon dikë, nëpërkëmb fillimisht dinjitetin e personit. Kjo është shumë e rëndësishme për t’u theksuar sepse prej shkeljes së dinjitetit rrjedhin gjithë pasojat e tjera negative që i ndodhin njeriut në jetën e tij kryesisht sociale e emocionale. Madje për të mbrojtur nderin e dinjitetin, njerëzit përgjatë historisë kanë ndërmarrë masa nga më ekstremet. Kjo për të treguar sesa rëndësi ka dinjiteti për jetën e njeriut.

Por a e di këtë kryeministri i Shqipërisë Edi Rama kur në mënyrë të përsëritur e të paprecedentë dhunon dinjitetin e individëve që për një arsye të caktuar i gjenden përballë dhe komunikojnë me të? Ja për shembull, këto ditët e katastrofës natyrore, kur kryeministri nuk pati turp të bënte shoë në kurriz të fatkeqëve, një burrë i shqetësuar i formuloi një ankesë sipas mënyrës së tij. Dhe ç’bëri Edi Rama do thoni ju? Sigurisht që u tall, baltosi dinjitetin e të vuajturit dhe si një palaço i oborrit të tij, gajasi ndjekësit e nënshtruar. Gjithë mediat e transmetuan. Burri i panjohur si pasojë e objektifikimit të tij nga kryeministri bëri xhiron e rrjetit. Tjetër rast, një grua i shpreh admirim, kryeministri sërish tallet, pasi humor nuk di të bëjë, duke e paralajmëruar se mos e sheh burri nga ekrani. Ç’donte të thoshte Edi Rama në këtë rast? Sërish objektifikoi individin duke ia përdhosur dinjitetin, dhe sërish videoja me zonjën, për shkak të kryeministrit po bën xhiro në rrjet.

Këtë punë bën rregullisht Rama edhe në Facebook. Nëse bëni një vëzhgim të shpejtë të përgjigjeve të tij, do të konstatoni ironi, sarkazëm, batuta me gjurmë narcisismi, përgjigje me njolla personaliteti histrionik, reagime me tipare anti-sociale.  Të gjitha i bashkon përçmimi i atyre që nuk janë në rrjedhën e tij. Pra Edi Rama nuk di të respektojë diferencën, nuk di të vlerësojë e të dallojë njeriun si qënie nga opinioni i tij. Pavarësisht të qeshurave që i vishen këtyre rasteve, ato përfaqësojnë qartazi mosrepektimin e diferencave mes njerëzve dhe shtypjen e tyre akoma edhe më shumë në shtresën që u takon –të nënshtruarit, të shtypurit, të tjerët. Edhe në rastet kur sforcohet të respektojë kamarierin shqiptar në Itali, sërish i drejtohet si “lac lagjeje” “O figurë” dhe pa i marrë leje tjetrit e objektifikon sërish përmes kameras dhe e poston në rrjete sociale. Pra Edi Rama nuk do, nuk pranon kurrsesi t’i trajtojë njerëzit si qënie dinjitoze dhe të pavarura prej qëllimeve të tij.

Më e rënda fare është kur Edi Rama ndërvepron me fëmijët. E bëri për të qarë një djalë të vogël kur i tha “Mos ma drejto mua automatikun”. Kryeministri ka vështirësi të konsiderojë moshën e fëmijës, lodrën e tij, si dhe kontekstin. Ai thjesht synon të bëjë për të qeshur audiencën, pa menduar aspak se po shkel mbi dinjitetin dhe personalitetin e një vogëlushi. Ai i jep të drejtën vetes të vendosë se çfarë duhet të bëjë djali i vogël, të ikë apo t’i ulet në prehër sulltanit të madhërishëm. E bën këtë pa i marrë leje fëmijës, por si një sadist par exellence, e objektifikon fëmijën në publik, bashkë me lotët e tij të pastër.

Dhe kështu, kryeministri i Shqipërisë, fatkeqësisht nuk ndalet. Ai nuk ua mbron dinjitetin shtetasve të tij, siç detyra ia kërkon, përkundrazi ua dëmton rëndë. Ai ushtron përçmime, tallje, etiketime, bullizëm jo vetëm ndaj individëve por edhe komuniteteve gjithashtu. Ai marxhinalizon mediat dhe gazetarët duke i quajtur kazan, marxhinalizon aktivistët duke tentuar t’ua zhvlerësojë figurën përmes akuzave të pabaza.

Por a e ka lexuar kryeministri kushtetutën e vendit të tij, nenin 3 ekzaktësisht sipas të cilit, dinjiteti i njeriut bën pjesë tek ato shtyllat kryesore të shtetit të cilat janë të detyrueshme të respektohen dhe mbrohen? Pra, do/s’do kryeministri, i pëlqejnë apo s’i pëlqejnë bashkëqytetarët e bashkëfshatarët e tij duhet të frenojë cinizmin dhe të shprehë përulje siç edhe ligji e detyron dhe feja e këshillon. Përndryshe, organizatat që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, falë Zotit marrin fonde boll, duhet të solidarizohen e të formulojnë çështje gjyqësore kundër kryetarit të qeverisë shqiptare, i cili çdo ditë me prepotencën e njeriut të paditur e fodull shkel qëllimisht dinjitetin e shtetasve të tij.

©FlasShqip.ca

 

Please follow and like us: