Albspirit

Media/News/Publishing

Ana Mehmetaj: Nderim për të vrarët e lirisë së Kosovës!

Kam përkujtuar sot dy të afërmit e mi që ranë për lirinë e Kosovës, nga radhët e LDK, por bashkë me ta kam kujtuar edhe gjithë të flijuarit e tjerë që u ngritën kundër pushtuesve sllavë.

Këta që shihni në foto janë daja dhe burri i tezes dhe nëna ime prej 18 vjetësh nuk i ka ndarë lotët për ikjen e tyre nga jeta. Përlotet në heshtje, por shpesh edhe para nesh sepse nuk e duron dot dhimbjen që ata nuk janë në jetë.

Dhimbja e saj është edhe te unë, vit pas viti, ditë pas dite, por ne nuk jemi vetëm në këtë dhimbje, shumë nëna dhe vajza kosovare, kroate, sllovene, boshnjake kanë të vrarët e tyre në mbrojtje të lirisë.

Madje, për shkak të luftës që nuk u shkaktua nga shqiptarët dhe popullsi të tjera në ish-Jugosllavi, por nga regjimi i Millosheviçit, ka pasur të vrarë edhe nga popullsia e pafajshme serbe.

Dhe për këtë ne si familje, por edhe gjithë familjet e tjera, teksa kujtojmë vrasjet e të pafajshmëve kërkojmë vetëm një gjë: që drejtësia të vihet në vend dhe që secili të marrë dënimin që meriton.

Natyrisht krimin më të madh e bënë pushtuesit e Beogradit dhe krerët e tyre u ndëshkuan edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, por ndërkaq nuk munguan edhe krimet e tjera, brenda të njëjtës popullsi, që gjithashtu duhen ndëshkuar me vendime të drejtësisë.

Në vendin tim, Kosovë, përveç të vrarëve për liri, pati edhe të vrarë për politikë, pra mes pjestarëve të të njëjtit komb dhe nëna ime, ashtu si dhe nëna e motra të tjera, nuk do të gjejnë asnjëherë qetësi pa u ndëshkuar jo thjesht ekzekutorët, por urdhëruesit e vrasjeve të pafajshme.

Please follow and like us: