Albena Reshitaj apelon për Ramën: Mos e tako Vuçiç në Durrës, të gjitha marrëveshjet brenda ballkanike janë në dëm të shqiptarëve
Ish-ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, i ka bërë thirrje kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama që të bojkotojë takimin e radhës në Durrës, ku do të diskutohet për mini-Shëngenin, e ku është paralajmëruar edhe pjesëmarrja e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pasi ky i fundit mohoi masakrën e Reçakut, duke e konsideruar atë si një trillim. Reshitaj tha se Rama nuk duhet të ulet në një tavolinë me Vuçiç, i cili vazhdon të mohojë krimet e tmerrshme të kryera nga serbët gjatë luftës në Kosovë, pasi një gjë e tillë do të ishte fyerje jo vetëm për familjarët e viktimave dhe shtetin e Kosovës, por edhe fyerje e rëndë ndaj të gjithë shqiptarëve.
Më 21 dhjetor të këtij viti, në Durrës pritet të mbahet takimi i tretë i të ashtuquajturit “mini-Shëngeni ballkanik”, ku marrin pjesë Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Tre liderët ballkanikë, kryeministri shqiptar Edi Rama e ai maqedonas Zoran Zaev dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq u mblodhën më herët në Novi Sad dhe Ohër për të diskutuar për një marrëveshje, që sipas tyre do të lehtësojë lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve në Ballkanin Perëndimor. Kosova nuk është pjesë e këtyre takimeve dhe pjesë e marrëveshjes nuk janë as Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi.