Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Gjika: Sania

Image result for ndue gjika
Ndue Gjika
Tregim

 

Është fund vjeshte dhe ditët kanë shkurtua krejt. Gjethet në skajin e Parkut vazhdojnë me ra dhe qielli ka marrë bojë deti. Ndjehem bosh dhe turbullohem. Turbullohem se vëllau ka gjithë këtë hall e unë rri tuj “kullotë sytë n’ajri”… Pa e kuptua kam dalë jashtë shqetësimit që ka mbërthye gjinden e shtëpisë.
Sania, ka vu dy duart kresë dhe dënes në heshtje. Vëllau rri pa lëvizë te divani, në krye të dhomës dhe nuk ia ndan sytë Sanies asnjë çast. E ka vajzën e madhe dhe gjithmonë e ka dashtë, fort ma. Asht prishë në çehre se ajo ka ardhë ma tepër për me i kallzua sesa për me e dvetë; me e nda, a mos e nda burrin e vet… Ishte e lodhur, e përpjekun me dy fëmijë, se jeta nuk i kishte ecë kurrfarë qysh… Ishte e pa shpresë për jetën se ma kishte atë burrë dembel e pijanec, që mos me mujt me ia gjet shoqin kund. Me zor e mbaja veten sa të folte vëllau ma parë, se isha gati ka i tham: “shko e merr fëmijët, bijo, e veni kapak asaj jete që të paska falë veç vuajtje e dhimbje”. Shka dreqin me durue ma!…

Sania i pat thanë e qa me lot ato që kishte pas ba ndërmend me na thanë e po priste gjegjen tonë. Edhe po të ishim kundër isha i sigurt se ajo do të bante atë që kishte pjekë me mene të vet. E dija krejt se çka do të bënte, veç po matesha si me iu ba krah, mirë e ma mirë, po qe se vëllau do të vehej kundra saj.

Na kishte ngri një heshtje e fajshme. Të gjithë shihnim hijen e atij dhandrri, që sillej mes nesh e nuk dinim shka me ba me at njeri. Dikur kishte kenë djalë i mbarë, tornitor në SMT, ofiçina ku mirëmbaheshin e shfrytëzoheshin makinat bujqësore e traktorët për gjithë rrethin, por ajo ra e hupi bashkë me sistemin komunist. Shokët e tij kishin ikë; sa në emigracion e sa në qytetet ma afër fushës, ndërsa ai nuk bani kamë të ikte prej fëmijëve të vojl. Punë nuk gjinej ma për ta, bujqësisë nuk ia thoshte e iu vu pijes. Në vend që me i rrit fëmijët, po i pengonte ata.

Nuk e di pse vëllau nuk po e çelte zanin e gojës!

– Po Arbeni, moj Sanie, – tha nusja e nipit, Bukuria, që nuk folte kurrë. – A nuk të afrohet hiç Arbeni?

Të gjithë shtangëm. Ç’ka ishte gjithë ajo fjalë? “A nuk të afrohet Arbeni…?” E pyeti pa të keq, si me thanë: “A i ka nejt demi lopës?”

Bana mirë që nuk fola se në majë të gjuhës e pata me thanë: “shuajeni, mor, këtë muhabet!” Tanë frikën e kisha te vëllau se po t’i hipshin nervat bahej nami, se ishte burrë fort çehre randë.

Qysh mori ky muhabet? Në vend që me folë burrash, u ba punë grash.

– A e din ti, moj Bukurie, – iu kthye Sania tujë fshi lotët, – Kur të tretë shpirti nuk e din ma je a s’je femen?

Biseda m’u duk se u kthye prapë te fillimi, që Sania të na e thotë edhe një herë historinë e vet.

– E si mund të jesh femen kur ulen fëmijët në tavolinë e nuk ke se ç’ka me u dhanë me hangër? Kur çohen nadje e nuk ke me çka me i veshë për në shkollë. Për ç’ka me jetua?

– Se mos lakmon gra të tjera, deshta me thanë, – saktësoi Sania mendimin e vet.

– Jooo, more, boll të këqija ka, por njita veç me ia shpifë kot.

Papritur ndërhyni vëllau:

– Pse mërzitesh, moj Sanie? Ti kot e qan jetën, se sa ta kesh Bacin gjallë, për kurrë gja në këtë botë nuk ke pse mërzitesh. Thashë se ishin gjana të tjera! Nuk do të lamë me ta prishë jetën fukarallëku. E kam nji shoq agronom e do të vijmë me pa tokën se çka asht ma mirë me mbjellë. Farat, dezinfektimet e punë të tjera i ka ai vetë në dorë. Mandej shohim edhe për kredi me kenë nevoja. Punojmë pak na e shumë ju dhe fëmija qe ku u rriten menjëherë…

– Ti mirë se të vish, Bac, fjala e mirë kurrfarë dami nuk ban, por puna do krahë… Ti derën haptë e ke gjithmonë…

– Po nji herë fjala, mandej mendja e dora se nieri i ban, të keqen edhe të mirën…

Vëllau ktheu kryet e kqyri një herë Bukurien për mirë, mandej iu drejtua të birit e ia bani me shej të çohej me sajdisë të motrën… U çua edhe Sania, e t’ia mushën dengun plot.

– Po ti pse po luan sonte, bijo?

– Nuk kam si me nejt ma, Bac, më presin fëmija!/mapo.al/

Please follow and like us: