Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Donald Trump dhe Kadiu i Kolonjës

Image result for trump"

Ajo që po qarkullon sot kudo është lajmi mbi shkarkimin e presidentit Trump. Por pas votimit të mbrëmshëm, a është i shkarkuar vërtetë Presidenti? Dhe çfarë domethënie ka përfundimi i votimit mbrëmë për një tërësi mentaliteti në Shqipëri, ku për analogji edhe ne duam të largojmë nga detyra Presidentin tonë. Së pari e gjitha nis me një proces kushtetues për të hetuar mbi Presidentin, pra një e drejtë kushtetuese e kundërshtarit politik. Kësisoj është ajo forma me komision hetimor që kemi majmunizuar edhe ne si gjoja demokratike. Nga nëntë akuza të ngritura karshi Donald Trumpit, u votuan vetëm dy. Kjo në dhomën e përfaqësuesve apo ligjëvënësve etj., me shumicë të majtën amerikane. Ai që vendos për shkarkimin e Trumpit është Senati, një organ mbi dhomën e përfaqësuesve. Si përfundim çfarë ndodhi mbrëmë nuk është se u shkarkua Donald Trumpi apo Presidenti, por ai u ngarkua me faj për dy akuza. Pra si me thënë pjesa dërrmuese në dhomën e përfaqësuesve, e majta e gjeti fajtor në dy akuza. Jo e djathta, madje duhet cilësuar se sa solide ishte e majta në votim, me afro 232 vota pro, po aq ishte edhe e djathta, 198 vota jo, që nuk e shohin si fajtor Presidentin. Pra në dhomën e përfaqësuesve ku dominojnë të majtët është fajtor dhe nuk është i tillë për djathtët. Dhe deri sa shohim një konsolidim të votimit sipas krahëve, kjo është e lexueshme se si do ta votoj Senati këtë proces hetimor që dominohet nga të djathtët. Vetë Trump tha me ironi në faqen e tij në Twitter se mbrëmë u gjeta fajtor nga partia që nuk bën asgjë, por pa asnjë votë pro nga të djathtët. Kështu që ai që e cilëson si fajtor është krahu kundërshtar, që natyrisht e ka kthyer në një fushatë të fortë politike për më tepër që po afrojnë edhe zgjedhjet presidenciale. Kurse tek ne në Shqipëri ka interpretime që Presidenti i Amerikës është i shkarkuar. Dhe ndofta e kanë për frymëzim që si e si e sa më shpejtë të shkarkojnë Presidentin e tyre. E kanë sa për të thënë që ja edhe Amerika e bëri. Se jo se nuk e shkarkojnë dot. E shkarkojnë që sot. Pasi në Shqipëri ka vetëm një pushtet, ai i kadiut të Kolonjës. Se dhoma e përfaqësuesve a kuvendi nuk kanë ndonjë Senat mbi kokë. Apo Gjykata e të tjera, megjithëse edhe po t’i kenë prapë nuk vlejnë, ai që vendos e vulos është kadiu me tespie.

Please follow and like us: