Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Avdush Canaj

Image result for avdush canaj"

Nënëmadhja ime

Si sytë e kaltër të ditës,
si sytë,
si ëndrra e zogut në dritare të ylberit,
si ëndrra vetë,
si puthja e diellit në faqe të lules,
si puthja,
si tangoja e zambakut kur sheh fluturën,
si tangoja e blertë,
si manushaqja e çelur në vetull të burimit,
si manushaqja me pranverë,

Kosova- Nënëmadhja ime.

 

Ku është zogu?

Një pupël
e përlotur
ra
nga qielli.

Ku është zogu?
Ku?

S’kam zemër
të tregoj.

 

S’jam jetim

Më vranë
nënën,
babanë,
gjyshin,
vëllanë
e motrën
në shpat,

S’mbeta
fillikat!

As s’jam
jetim
ujqër
të mjerë,
e kam
diellin
me pranverë.

Diellin
e kam.

 

Zogu i dashnisë

Në zemër të Nanës
zogu i dashnisë
e ka çerdhën.

 

Atje ku je, bir

-Atje ku je, bir,
a ka dritë?
A ka?
-Ka, moj nënë, ka.
-Nuk është errësirë?
-Jo, nënë e mirë, jo.

-Ke ujë e bukë?
Më dëgjon?
-Kam, si s’kam
të paça!
Kuptom! Kuptom!

-Dhe s’fle në beton,
krahët s’i kë nënkresë?
-Jo shpirti im,
jo imja shpresë.

Nënës-dritëhënës,
për mua zgjuar rri,
si t’i them të vërtetën:
Jam në qeli?

Akujt i shkri
si Prometeu
me zjarrin për liri!
QELIA NUMËR 12

Qelia numër 12,
shpellë e ferrit

Vinin me ulurimë
ujqit e uritur
më kafshonin çdo natë.

Pas tyre radhën kishin
hienat, çakejtë…
Deri në mëngjes.
Dhe s’ngopeshin!

Ashti im dardan
u mbeti në fyt.

Mos ma zë në gojë
numrin 12!
Të lutëm, mos!
Kurrë!

 

12

Më 12 qershor u linda,
në mes trëndafilave të kuq.

12 këngë i këndova në 12 melodi
për Atdheun pa dritë.

Ata një ditë erdhën,
trishtuan ëndrrën për lirinë,
më përplasën në qelinë
numër 12.

12 herë më hodhën para gjyqit
të hienave,
m’i nxinë 12 pranvera.

S’m’u ndanë 12 ujqër
që më ropën lëkurën
me 12 thika të ndryshkura.

M’i hoqën prangat
pas një shekulli,
me 12 dara,
në ditën e 12 korrikut.

12 orë bëra nga ferri
deri në shtëpi
ku më priste nëna,
tri dallëndyshet e mia të vogla
me 12 diej në duar
që s’e njihnin babain.

Për to qëndisa
12 tufa vargjesh.

Harrojeni këtë numër!
Harrojeni
numrin 12!

Please follow and like us: