Albspirit

Media/News/Publishing

OBJEKTET SIMBOLIKE TË LUFTËS NACIONAL-ÇLIRIMTARE NË PËRMET

Ibrahim Alizot Emiri - "Nxënësi i Shkëlqyer i Koto Hoxhit" që u ...

Ibrahim Emiri

 

OBJEKTET SIMBOLIKE TË LUFTËS NACIONAL-ÇLIRIMTARE NË PËRMET

(Varrezat e dëshmorëve, monumenti i Kongresit, lapidari i Brigadës së VI-të )

Viti 1969 ishte viti jubilar i 25-vjetorit të çlirimit të atdheut nga okupatorët nazi-fashistë. Udhëheqja e Partisë kishte vendosur që, për ta kremtuar me madhështi  festën e fitores, të nderohej në të gjithë vendin lufta nacional-çlirimtare si dhe heronjtë e dëshmorët e rënë në luftë, me objekte simbolike e ceremoni përkujtimore. Për këtë qëllim ishte vendosur që të ndërtoheshin varrezat e dëshmorëve në çdo rreth, si dhe memoriale apo lapidare përkujtimore për çdo brigatë,  çdo betejë të rëndësishme apo seicilin hero, të rënë heroikisht në luftë. Deri atëhere ekzistonin disa varreza dëshmorësh, apo lapidarë e pllaka përkujtimore, të thjeshta e pa vlera të mirëfillta simbolike. Në këtë kuadër ishte planifikuar që në Përmet të rindërtoheshin varrezat e dëshmorëve dhe lapidari i brigadës së VI-të sulmuese (në hyrje të qytetit), monumenti i Kongresit (në qendër të qytetit), si dhe lapidari i brigadës së XII-të në qendër të fshatit Sukë.

 

Varrezat e dëshmorëve

 

Ndërtimi i murit rrethues të varrezave të dëshmorëve kishte filluar qysh në fund të vitit 1967, sipas një projekti, të hartuar nga zyra e projektimit pranë Komitetit Ekzekutiv të rrethit Përmet. Projekti i varrezave, i hartuar nga ing. A. Shishko, si pasojë e mungesës së eksperiencës, ishte trajtuar me amatorizëm në të gjithë komponentet. Me funksionin e inxhinierit të kantierit zbatues të projektit, me dashamirësi kolegësh, unë i bëra vrejtjet e mia dhe i sugjerova që projekti duhej rikonceptuar komplet, në mënyrë që varrezat të ishin dinjitoze, në respekt të të rënëve në luftë. Mbasi u mirëkuptuam, unë mora përsipër që, jashtë kohës së punës në kantier, të bëja vullnetarisht hartimin e projektit të rikonceptuar. Këmbëngulja ime për rikonceptimin e projektit bazohej në përvojën e veçantë që kisha fituar, sepse pata nderin të bashkëpunoj me grupin e arkitektëve e skulptorëve, për hartimin e projekt- idesë së Varrezave të Dëshmorëve të Kombit, kur isha duke përgatitur diplomën në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit.
Në pranverën e vitit 1967 në Tiranë u organizua konkursi për hartimin e projekt-idesë së Varrezave të Dëshmorëve të Kombit, ku do të bëheshin homazhet ceremoniale me rastin e 25-vjetorit të çlirimit të atdheut nga pushtuesit nazi-fashistë. Në atë konkurs  morën pjesë me variante të ndryshme 3 grupe projektimi: Instituti i Projektimit të Urbanistikës e Arkitekturës, Zyra e Urbanistikës e Projektimit të Rrethit Tiranë, si dhe Katedra e Arkitekturës e Fakultetit të Inxhinerisë së Ndërtimit, projekt-idea e së cilës u vlerësua me çmim të parë e u miratua si varianti më i mirë. Grupi i hartimit të projektit fitues përbëhej nga arkitektët: prof. B. Daja, V. Cicko, I. Papanikolla, E. Faja, R. Kote e S. Hobdari. Për përpunimin e projektit, dekanati i Fakultetit aktivizoi për bashkëpunim studentët diplomantë M. Berisha, H. Jaho, A. Bushati dhe I. Emiri. Monumenti “Nënë Shqipëri”, si elementi qëndror i kompozimit arkitektonik u ideua nga grupi i arkitektëve dhe grupi i skulptorëve të veprave monumentale K. Rama, M. Dhrami e Sh. Hadëri.
                                                                                                     

(Bocetet në skulpturë, që duken në foto ishin variante për memorialin qëndror)

Monumenti “Nënë  Shqipëri”.

 

Në kujtim të asaj pune të veçantë krijuese, në respekt të arkitektëve, skulptorëve e studentëve, që u angazhuan me pasion të jashtëzakonshëm, si dhe në nderim të disave prej tyre, të cilët kanë ndruar jetë, po publikoj dy foto të grupit krijues, në studion e punës.

 

Me përvojën e veçantë që kisha fituar, rikonceptova formën e varrit, në krye të të cilit vendosa pllakën e bardhë drejtkëndore me mbishkrim, mbas së cilës asimetrikisht bashkëlidhej një element trapezoidal me ngjyrë të kuqe, që simbolizonte ngjyrën e flamurit, për të cilin kishin derdhur gjakun dëshmorët e lirisë.

Pozicionimin e varreve e ndava në dy parcela për dëshmorët e luftës, si dhe në një parcelë më të vogël për dëshmorët e mbas luftës, të cilët mund të binin në krye të detyrës, në luftë për ndërtimin e socializmit.

(Kur përfunduan varrezat, rreth gjysma e varreve të dëshmorëve të luftës nuk kishin emra, por mbishkrimin “Partizan i panjohur”, sepse numri i dëshmorëve i përcaktuar nga organet kompetente ishte llogaritur sa dyfishi i numrit të vërtetë).                                                                                                                                       

Vëmendje të veçantë i kushtova momentit kryesor, ku do të vendosej grupi skulpturor “Shokët”, vepër e skulptorit të popullit Odhise Paskali. (Në variantin e hartuar nga ing. A. Shishko grupi skulpturor qëndronte në nje bazament të thjeshtë, kurse para tij ishte parashikuar të realizohej një yll me tulla të shtypura  rafsh me tokën, siç bëheshin zakonisht në repartet ushtarake). Duke e konceptuar si memorial qëndror të varrezave, e vendosa grupin skulpturor me ngjyrë te bardhë mbi një pod ngjyrë gri të stakuar nga plani horizontal, para një sfondi të buçarduar ngjyrë gri, të pozicionuar asimetrikisht, në mënyrë që në sipërfaqen e lirë të montoheshin gërmat kapitale LAVDI DËSHMORËVE, kurse në një volum të bardhë kubik të montoheshin datat “1939 – 1944”. Mbrapa sipërfaqes ngjyrë  gri, që do të ishte sfondi për grupin skulpturor, mendova të lartohej një obelisk i bardhë, i cili në profil të simbolizonte pushkën.

 

(Aktualisht nuk ruhen ngjyrat fillestare të memorialit, mbasi në çdo përvjetor ngjyroset me ngjyra të ndryshme, sipas shijes së bojaxhinjve, duke e dëmtuar harmoninë vizuale të kompozimit fillestar).                                                                

Në afërsi të memorialit, në sheshin para fillimit të homazheve për tek varret, parashikova ndërtimin e një salle muze, ku mund të ekspozoheshin foto e dokumente të dëshmorëve. Mbasi përpunova disa variante si skicë-ide, shkova për konsultim e miratim tek skulptori Odhise Paskali, i cili ishte themeluesi i skulpturës shqiptare dhe një nga personalitetet më të rëndësishme të artit shqiptar.

Takimi i parë me skulptorin e popullit tek studio e tij në Tiranë ishte mjaft mbresëlënës. Isha i ndërgjegjshëm për diferencat e mëdha midis nesh, jo vetëm në moshë (ai ishte burrë 65 vjeç, kurse unë djalosh 24 vjeç), apo në nivel kulturor (ai ishte lauruar 40 vjet më parë në Itali për histori arti e filozofi, kurse unë sapo kisha përfunduar studimet për inxhinieri ndërtimi në Tiranë ), por sigurisht edhe në përvojat profesionale (ai ishte skulptor i shquar e me kontribute të veçanta në publicistikë, në estetikë dhe kritikë arti, kurse unë inxhinier fillestar e pa përvojë). Ndonëse jo vetëm ky inferioritet, por edhe pasiguria se si do të më priste, më bënte mjaft të ndrojtur, dëshira për t’u takuar me artistin e shquar më jepte kurajë.

Profesor Paskali doli e më priti tek dera e studios, ndërsa unë u prezantova dhe e sqarova për arsyen e takimit. Në fillim hezitoi dhe me një farë indiference e mosbesimi, kërkoi që t’ia tregoja aty, në këmbë, skicat që kisha sjellë, por mbasi ia prezantova variantet e ndryshme, u qetësua e me dashamirësi më ftoi në studio për të diskutuar dhe konkluduar për variantin që duhej  të realizohej. Unë u befasova me studion e tij, e cila ishte një galeri e vërtetë skulpture, plot me etyde, bocete, e portrete në proces, apo të përfunduara.

Kisha dëgjuar se në studio ai fuste vetëm njerëzit që vlerësonte, prandaj e ndjeva veten të nderuar që artisti i madh më respektoi, kurse bashkëpunimin me të e konsiderova privilegj. Edhe pse ishte larguar qysh në moshën fëminore nga Përmeti, ai kishte nostalgji e, sa herë takoheshim në Tiranë apo në Përmet, më fliste me pasion për vendlindjen dhe ndihej krenar se kishte realizuar një sërë veprash që u vendosën në Përmet, midis të cilave skulpturën “Partizani Çlirimtar”, grupin skulpturor “Shokët”, bustet e vëllezërve Frashëri, bustet e dr. R. Frashërit e të shkrimtarit Nonda Bulka, si dhe të disa dëshmorëve përmetarë. Kishte dëshirë të bënte edhe një memorial skulpturor për betejën e Kuqarit, lufta e partizanëve kundër fashistëve italianë, për të cilën më propozoi të bashkëpunonim, por për shkak të angazhimeve të tij me vepra të tjera me karakter kombëtar, nuk u mundësua realizimi i atij memoriali.

Me skulptorin e popullit Odhise Paskali para memorialit, në varrezat e dëshmorëve, Përmet

 

 

Monumenti i kongresit të Përmetit

Bashkëpunimi im i dytë me skulptorin e popullit Odhise Paskali ndodhi kur u realizua ndërtimi i monumentit të Kongresit. Në vitin 1964, me rastin e 20-vjetorit të çlirimit të atdheut nga okupatori nazi-fashist, kur u transformua qendra e qytetit Përmet, u ndërtua edhe një memorial i thjeshtë kushtuar Kongresit. Në vitin 1969, viti  jubilar i 25-vjetorit të çlirimit të atdheut, ishte vendosur që memoriali ekzistues të zëvendësohej me një monument dinjitoz. Projekti i monumentit simbolik ishte hartuar në Institutin e Projektimit Nr. 1 në Tiranë, nga ark. Agim Shehu. Në aks të monumentit qëndron shtatorja monumentale “Partizani çlirimtar”, vepër në bronx e skulptorit të popullit Odhise Paskali, e vendosur mbi një bazament para obeliskut, në krye të të cilit është montuar stema e republikës në bronx.

Me skulptorin e popullit Odhise Paskali, para monumentit të Kongresit, Përmet.

Monumenti i Kongresit të Përmetit.

Ndërtimi i monumentit u realizua me cilësi nga kantieri i ndërtimit Përmet, ku unë isha kryeinxhinier, kurse veshja me pllaka mermeri u realizua nga mjeshtri T. Miho. Monumenti u vesh komplet me pllaka mermeri, të prodhuara nga guri i malit të Taraboshit, duke krijuar një sfond ngjyre gri të çelët, para të cilit qëndrojnë shumë bukur në bronx shtatorja “partizani çlirimtar” dhe basorelievi i stemës së republikës. Monumenti në tërësinë e vet është i thjeshtë, por mjaft impozant e simbolik, prandaj për vlerat përgjithesuese kombëtare që mbart, mund të konsiderohet “monumenti i partizanit çlirimtar”.

Lapidari i Brigadës së VI-të

Me 26 janar 1944 ishte formuar në Përmet brigada e VI-të sulmuese, e cila për meritat e veçanta në luftë ishte nderuar me titullin e lartë “Hero i popullit”. Për përjetësimin e kësaj date të shënuar të brigadës, në hyrje te qytetit Permet  ishte ndërtuar një lapidar i thjeshtë. Më 26 janar 1969, në kuadër të kremtimit me madhështi të 25-vjetorit të fitores mbi nazi-fashizmin, do të organizohej ceremonia përkujtimore tek lapidari i ri simbolik i krijimit të brigadës. Projekti i lapidarit ishte  hartuar në Institutin e projektimit Nr.1 në Tiranë, nga ark. Agim Shehu dhe skulptor Thoma Thomai. Lapidari përbëhej nga një obelisk me lartësi 12 m me tre kolona vertikale të bardha të sfazuara, që simbolizonin sinjalin e brigadës (tre të shtëna pushke) dhe prej një sipërfaqeje horizontale ngjyrë rozë, ku vendosej një basoreliev me motiv nga betejat partizane, si dhe shkrimet respektive për brigadën.

Muaji dhjetor në Përmet hyri me shumë lagështi e ngrica, ndërsa ne ishim në përfundim të betonimit të obeliskut. Për veshjen me mermer të lapidarit Ministria e Ndërtimit dërgoi në Përmet mjeshtrin e ndërtimit Taqo Miho, mbasi specialistët e kantierit të ndërtimit nuk kishin përvojë. Ai sapo ishte kthyer nga Mauthausen në Austri, ku kishte realizuar memorialin shqiptar të fitores mbi nazizmin, me grupin skulpturor “Partizani fitimtar” të skulptorit të popullit Odhise Paskalit. Procesi i veshjes me pllaka u realizua në kushte të vështira atmosferike, sepse lagështinë e ngricën e bënte edhe më të hidhur suferina, që përshkonte shtratin e lumit Vjosa. Mjeshtri Taqo, i ndihmuar nga specialistët e kantierit punonin pa pushim për ta përfunduar lapidarin brenda datës 25 janar, duke përdorur ujë të ngrohtë për të gatuar llacin, si dhe mangalle me prush lart në skelë për të mbrojtur duart nga ngrica. Për të rritur mobilizimin në punë, drejtuesit e partisë në rreth, që vinin në objekt, tregonin për vështirësitë e sakrificat e panumurta të partizanëve trima të brigadës së VI-të, të cilët të pa ngrenë e të paveshur luftonin heroikisht kundër një armiku shumë të egër, pa përfillur vështirësitë e dimrit të ashpër.

Ndërtimi i lapidarit përfundoi në kohën e planifikuar dhe ceremonia e 25-vjetorit të krijimit të brigadës u festua me madhështi, me pjesëmarrjen e ish partizanëve të brigadës, ish kuadrove drejtuese të saj, të deleguar të K.Q. të Partisë, si dhe nga populli i Përmetit.

Lapidari i brigadës se VI-të sulmuese në Përmet.

 

 

Please follow and like us: