Albspirit

Media/News/Publishing

Shuhet piktori dhe arkitekti i njohur Maks Velo

Ndërron jetë arkitekti Maks Velo - Gazeta Express

Është ndarë nga jeta në moshën 84-vjeçare arkitekti dhe piktori i njohur Maks Velo. Mësohet se Velo ishte i shtruar prej disa ditës në QSUT, pasi vuante nga anemia.

Kush ishte Maks Velo?

Maks Velo lindi në Paris, më 31 gusht të vitit 1935. Pas lindjes së tij, familja Velo u kthye përsëri në Shqipëri, në qytetin e Korçës, ku Maksi ka kaluar edhe fëmijërinë. Vendi i origjinës së prindërve ishte Dardha. Pasi mbaron gjimnazin, ai vazhdon studimet pranë Institutit Politeknik, në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit. Më pas specializohet për arkitekturë dhe në vitin 1960 merr pjesë në projektimin e parë që u bë në Tiranë. Ka punuar më tej pranë byrosë së projektimit të Tiranës. Pastaj, vitet ’78-’79 përkojnë edhe me periudhën më të vështirë të jetës së tij, pasi gjatë kësaj kohe, ai arrestohet dhe dënohet me dhjetë vjet burg. Maks Velo është autor i një sërë botimesh si: “Kokëqethja”, “Palltoja e burgut”, “Thesi i burgut”, “Paralele për arkitekturën”, “Kohë antishenjë”, “Jeta ime në figura” etj. Si artist, ai krijon në disa gjini të artit: pikturë, prozë, poezi, publicistikë sikundër është i angazhuar në çështje të aktualitetit shqiptar.

Ismail Kadare: Miqësia e hershme me Maks Velon

Ndjekja dhe burgosja e Maks Velos

 

Akademia e Shkencave ngushëllon famijen e Maks Velos

Sot u nda nga jeta piktori, arkitekti, shkrimtari dhe publicisti Maks Velo (1935-2020), anëtar i komisionit të artit dhe trashëgimisë pranë Akademisë së Shkencave, mik i shkencës dhe shkencëtarëve, bashkëpunëtor i saj prej një periudhe të gjatë. Maksi Velo është nga paraprirësit e artit modernist në Shqipëri. Kërkimet në formë, me një prirje të theksuar kthimi tek arti zanafillës i Njerëzimit dhe përfytyrimet tipike të naivizmit europian në artin e figurës; stilizimet e mprehta, simbolet, gjuha metaforike, gjësendet dhe mjediset surreale, sidomos në grafikë, janë bërë pjesë e personalitetit të tij krijues, ngaherë në shqetësim e në kundërshti me klishetë e imponuara ideologjikisht. I pranishëm në media dhe në meset artistike të kohës, ai ka dëshmuar cilësi arti dhe mendimi, si krijues i përkushtuar ndaj suksesit dhe kërkimeve të reja në modernizimin e gjuhës së artit pamor shqiptar, të arkitekturës dhe të cilësisë së jetës shpirtërore përgjithësisht. Ai mbeti një njeri që kërkoi drejtësinë në jetë dhe përsosmërinë në artin e vet. Akademia e Shkencave nderon në këtë ditë të dhimbshme jo vetëm krijuesin me shpirt bashkëpunues, por në mënyrë të veçantë “Mundimin” e tij, që gjendet sot në studiot e shkencëtarëve shqiptarë e të huaj, fitues të çmimeve të mëdha shkencore që jepen nga Akademia e Shkencave, sinonim i mundimit të kërkimit dhe krijimit në përgjithësi. Si një nga anëtarët më veprues të komisionit të artit dhe trashëgimisë, ai botoi nën emrin e Akademisë së Shkencave veprën “Arkitektura popullore”, përurimi i së cilës ishte parashikuar për një kohë të afërme pas kthimit në normalitet.

 

Image may contain: 1 person, standing and outdoor

 

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit: In memoriam Maks Velo!

“Agjitacion dhe propagandë kundër shtetit” ishte dënimi që i mori 10 vjet jetë Maks Velos, gjatë periudhës më të egër që ka parë Shqipëria. Arkitekti dhe piktori, Maks Velo sot u nda nga jeta për të lënë një vend bosh të pazëvendësueshëm në sferën publike. Një zë i fortë në mbrojtje të trashëgimisë dhe arkitekturës shqiptare por jo vetëm, një artist me botë dhe zemër të madhe.

Me kontribut të jashtëzakonshëm gjatë gjithë jetës për shoqërinë dhe Shqipërinë. Autor i një sërë projektesh të ndryshme të rëndësishme të projektuara prej tij ose në bashkëpunim janë Parku i Madh i Liqenit, Tiranë, shkolla “Emin Duraku”, objekti i banimit pranë Hotel Tiranës, godina e ish-ATSH, ish-hotel “Arbana”, Tiranë, kinemaja e Laprakës, kinema “Pionieri”, Tiranë, “Uzina Mekanike”, Peshkopi, etj.

Maks Velo ka qenë pjesë e qëndresës sonë dhe një nga mbështetësit më të fortë të kauzës së teatrit në sferën publike. Në sheshin e teatrit gjeti gjithmonë një mikrofon të hapur duke ndarë me ne eksperiencën profesionale dhe fjalën e tij në mbrojtje të Teatrit, të cilin e konsideronte një monument historik dhe kulturor. Një mik i qytetit, që do të na mungojë të gjithëve. Qytetari dhe arkitekti Maks Velo, ka nderimin dhe bekimet tona.

Faleminderit, Maks. Shoqëria shqiptare ka një borxh shumë të madh ndaj teje.

Sadik Bejko: Lamtumirë Maks Velo!

Një lajm që më mbushi me hidhërim: Maks Velo u nda nga kjo botë. Ai ishte një personalitet i fortë, me të cilin jo gjithmonë mund të ishe dakord. Por ai me jetën e tij të gjatë e të mbushur me ngjaarje të dhimbshme ishte dëshmia e gjallë e njeriut të fortë, e një personaliteti unik e të pathyer nga vështirësitë.
Maksi i pagoi shumë shtrenjtë pasionet, artin, idetë e tij dhe kurrë nuk hoqi dorë prej tyre.
Lamtumirë Maks Velo!

 

Edison Ypi: Maksi shkau

Communist Crimes Documentary

Posted by Homeland Albania on Sunday, April 19, 2020

Please follow and like us: