Albspirit

Media/News/Publishing

Ela Zdrava: NË SYTË E TU U PENGOVA

Ela Zdrava | Një dritare e re

 

Në syte e tu ‘keq’ u pengova,

u zhyta e humba krejtësisht,

zemrës m’i veshe yllësinë,

trupin ma zhveshe butësisht.

 

As duar s’tu deshën, as edhe një fjalë

t’më lidhje këmbe e duar ‘pamëshirë’,

me shikim më preke të gjithën ngadalë,

me sy më dhe të pafund yllësinë.

 

Në sytë e tu ‘keq’ u pengova,

fuqia m’ra shkallëve të drithërimit,

u rrëzova, u copëtova, e prapë u çova,

dritën e gjeta, por humba drejtimin.

 

Përhumbur e tëra më rrëmbeu një valë,

më copëtoi brigjeve të pengimit,

bëra të dilja, s’gjeta as fuqi, as fjalë,

letra pafund i dërgova shpirtit.

 

Shpirti rrëmbimthi m’i ktheu letrat,

sa shumë në adresë të zemrës sime,

m’u lëngëzove në palcë, m’u bëre varg,

ti yllësi tharmëzove muzën time.

 

Ma preke shpirtin me ata sy,

më ëmbël se ç’mund të prekësh me duar,

m’u bë jetë e gjitha kjo yllësi,

në qiellin e syve të lexova: TË DUA.

 

Please follow and like us: