Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Edlira Pogaçe: COVID-19, DEZINFEKTUESIT DHE PASTRUESIT

Covid-19: Dezinfektuesit dhe pastruesit – Dr. Edlira Pogace

 

Metodat e përdorimit dhe përqindjet e duhura për përdorim në shtëpi.
Një udhëzues i thjeshtë, praktik dhe i qartë.

Dr. Edlira Pogace

Në këto ditë urgjence, përdorimi i dezinfektuesve për të na mbrojtur nga infeksioni koronavirus është rritur në mënyrë të vazhdueshme. Në disa raste, përpjekjet për të ndaluar virusin kanë çuar në sjellje të rrezikshme siç është zakoni i bërjes së vetë-përzierjeve të zbardhuesve dhe produkteve të tjera. Një praktikë kjo shumë e dëmshme për shëndetin,  pasi substancat e prodhuara mund të jenë “toksike për lëkurën dhe  sidomos për frymëmarrjen”.  Shumë njerëz janë përpjekur t’i  kapërcejnë shqetësimet për virusin me përzierje të ndryshme të përgatitura në mënyrë artizanale. Këto janë të rrezikshme dhe gjithashtu mund të rezultojnë pa efekt.

Alarmi vjen nga Qendra e Kontrollit të Helmimeve të spitalit Niguarda në Milano: Helmimi shtëpiak me dezinfektues  është rritur me 65% dhe ka arritur kulmin me 135% te fëmijët.

KESHILLAT E PARA JANË:

  • Mos ndiqni mësimet në internet dhe “receta të bëra vetë”,  që përgatisin përzierje të kimikateve të papajtueshme.
  • Mos i spërkatni maskat ​​me sasi të tepërt solucioni dezinfektues dhe pastaj i vendosni  ato, duke thithur kështu një dozë të lartë kimikatesh.
  • Mos lani ushqimet me lëndë kimike.
  • Mos lini në shtëpi shishe dezinfektuesësh, (të blerë ose të përgatitur vetë), pa etiketë, brenda rrezes së veprimit të fëmijëve , sepse ata janë më të ekspozuarit dhe, pikërisht për ta, duhet kushtuar  vëmendja më e madhe. Të vegjlit në të vërtetë i gjejnë këto shishe të lëna pa kujdes nëpër  shtëpi dhe aksidentalisht i pinë.

Për këtë arsye, dëshiroj t’u ofroj qytetarëve këshilla të thjeshta dhe praktike  për  produktet  e dezinfektimit  dhe të pastrimit, që janë vërtetuar shkencërisht  të efektshme kundër virusit COVID-19. Mënyra si t’i përdorim ato dhe në çfarë sasie, në varësi të faktit nëse duhet të dezinfektoni duart apo sipërfaqet siç janë tavolinat, dorezat e dyerve ose të dritareve dhe pajisjet si: kompjuterat, telefonat celularë, tabletet, etj.

DUART DHE LËKURA

  1. Sapun dhe ujë

Për të dezinfektuar dhe pastruar duart tuaja dhe për të eleminuar virusin që mund të jetë i pranishëm, mund të përdorni larjen me sapun dhe ujë për 40-60 sekonda, duke u kujdesur që t’i fërkoni mirë dhe në çdo pjesë: hapësirat midis gishtërinjve, shpinën dhe pëllëmbën, thonjtë, pa harruar kyçin e dorës, që është gjithashtu i ekspozuar. Para larjes, këshillohet  të hiqni bizhuteritë.

  • Produkte me bazë alkooli

Nëse nuk keni mundësinë për të larë duart shpesh me sapun dhe ujë, mund të përdoren dezinfektues lëkure me bazë alkooli. Por, përpara se t’i përdorni, duhet të lexoni etiketën për t’u siguruar për efektshmërinë e tyre. Duhet të përmbajnë të paktën 70% alcool.

MASKAT

A mund të sterilizohen dhe ripërdoren maska ​​kirurgjikale të disponueshme?

  • Përgjigja e parë është Jo. Maskat kirurgjikale të disponueshme për fytyrën janë vetëm për një përdorim. Pas përdorimit ato duhet të hiqen duke përdorur teknika të përshtatshme (d.m.th. nuk prek pjesën përpara, hiqni ato duke tërhequr lidhjet elastike) dhe hidhini.
  • Për shkak të mungesës së maskave kirurgjikale, prej urgjencës së koronavirusit, mund të jetë e nevojshme të ripërdorni ato që tashmë janë përdorur;  duke përdorur një spray dezinfektues alkoolik dhe më pas lërini në ajër. Ato mund të ripërdoren nëse rreziku është i kufizuar, natyrisht, jo në një mjedis profesional. Por, në se i vendosni për të shkuar në farmaci, supermarket, etj. ,  mund ta bëni. Sa herë mund t’i ripërdorim?! Kjo varet nga fakti nëse ato shkatërrohen, pra duhet të kontrollohet pamja për dëmtim.

Për të vazhduar me pastrimin, duhet të përdoret një solucion hidroalkoolik 70% (70 ° alkool) i vendosur në një spray të përshtatshëm për të lejuar që të spërkatet.

Për të pëgatitur  100 ml 70% V/V  Alkool etilik përdorni:

  • ujë të distiluar 27 ml
  • alkool etilik 96% V/V deri në 100 ml (73ml)

USHQIMET

Zakonisht sëmundjet e frymëmarrjes nuk transmetohen nga ushqimi, i cili në çdo rast duhet të trajtohet duke respektuar praktikat e mira të higjienës dhe duke shmangur kontaktin midis ushqimit të papërpunuar  (të gjallë) dhe të gatuar. Nuk rekomandoj ndonjë metodë të veçantë për larjen e frutave dhe perimeve. Mund të shpëlahen me ujë të bollshëm si zakonisht.

KAFSHËT SHTËPIAKE

Qentë dhe kafshët shtëpiake në përgjithësi nuk transmetojnë koronavirusin. Pas shëtitjes, për të mbrojtur qenin është e përshtatshme të sigurohet higjiena e tij, veçanërisht pastrimi i këmbëve. Duhen shmangur  produkte agresive (me bazë klori) dhe ato me bazë alkooli, që mund të japin irritim, duke shkaktuar kruarje dhe në vend të tyre përdorni thjesht ujë dhe sapun neutral. Konkluzion: lani putrat e qenit me sapun dhe ujë, siç lajmë duart tona, duke u kujdesur që ato të thahen mirë dhe, në çdo rast, është e këshillueshme të mos lejoni të prekin sipërfaqet me të cilat biem në kontakt.

SIPËRFAQET DHE DYSHEMETË

Pastrimi dhe ajrimi i shtëpisë, një praktikë gjithmonë e rëndësishme higjienike bëhet akoma më e rëndësishme në këtë periudhë të urgjencës sanitare, e cila kërkon që ne të mësojmë të jetojmë me koronavirusin e ri.

Për dezinfektimin e sipërfaqeve si, për shembull, tavolinat, dorezat e dyerve dhe dritareve, çelësat e dritës, telefonat celularë, tabletat, kompjuterët, etj., të cilat janë subjekt i prekjes direkte nga shumë njerëz, mund të përdoren jo vetëm dezinfektues me bazë alkooli por edhe produkte me bazë klori (p.sh. hipokloriti i natriumit).

Përqindja e klorit aktiv, të aftë për të eleminuar virusin, pa shkaktuar acarim të sistemit të frymëmarrjes është 0,1% në klor aktiv për shumicën e sipërfaqeve.

Produktet aktive të klorit mund të përdoren gjithashtu për dezinfektimin e dyshemeve. Para pastrimit, unë rekomandoj, në mënyrë të veçantë, t’i fshini ato me një leckë të lagur me ujë dhe sapun për një heqje të parë të papastërtive më sipërfaqësore.

Le të shohim në detaje hollimet e duhura të produkteve.

Produkte me bazë klori: si të arrihet në hollimin e 0.1% në klor aktiv.

Midis produkteve të bazuara në klor aktiv, të dobishëm për eliminimin e virusit, ekziston zbardhuesi i zakonshëm, ose “Candegina” , e cila në treg është 5-10% e përmbajtjes së klorit.

Prandaj duhet ta lexojmë etiketën e produktit me kujdes dhe më pas ta hollojmë në ujë në madhësinë e duhur. Këtu janë disa shembuj:

  • Në se përdorim një produkt me klor 5%, për të marrë përqindjen e duhur prej 0.1% të klorit aktiv, ai duhet të hollohet si më poshtë:

20 ml produkt 5% (4 lugë të vogla) në 1000 mililitra ujë (1 litër).

  • Në se përdorim një produkt me klor 10%, për të marrë përqindjen e duhur prej 0.1% të klorit aktiv, ai duhet të hollohet si më poshtë:

10 ml produkt 10% (2 lugë të vogla) në 1000 mililitra ujë (1 litër).

Si gjatë dhe pas pastrimit të sipërfaqeve është e nevojshme të ajrosni dhomat.

NË  TË GJITHA  RASTET kujtoni:

  • Pastroni me doreza.
  • Shmangni krijimin e spërkatjeve gjatë pastrimit.
  • Ajrosni dhomat dhe të gjitha mjediset si gjatë edhe pas përdorimit të produkteve të pastrimit, veçanërisht nëse përdorni produkte dezinfektuese ose pastrues intensivë që kanë simbole rreziku në etiketë.
  • Sigurohuni që të gjitha produktet e pastrimit të mbahen jashtë mundësive të fëmijëve, adoleshentëve dhe kafshëve shtëpiake. Mbajini të gjitha produktet në një vend të sigurt.

Please follow and like us: