Albspirit

Media/News/Publishing

Leonard Olli: Teatri Kombëtar, kronikë e një grabitje të paralajmëruar!

mbro-teatrin - Hashtag.al

Plot 18 vite më parë ‘de jure’ dhe 22 vite ‘de facto’ që kur Rama mori detyrën e parë zyrtare si ministër Kulture, fillon odisea e prishjes a mos prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar. Plot 22 vite që politika nuk mundo t’i jepte një zgjidhe as në kohë paqesh politike e as në kohë luftërash politike. Shumë ujë ka rrjedhur nga koha kur për herë të parë ky projekt u bë publik dhe ende sot e kësaj dite vijon të jetë në qendër të debatit publik!

Nuk mbaj mend një odise të tillë për asnjë rast tjetër jo vetëm në këtë aspekt, por në çdo aspekt! Por, një gjë është e sigurtë, që kjo ide fikse për të rrafshuar godinën e Teatrit lidhet vetëm me një person, Edi Ramën. Të flasim sot për tallazet që ka kaluar kjo godinë është shumë e nevojshme. Është e nevojshme sepse harresa është armiku më i keq i një shoqërie. Në këto 22 vite ka patur mundësi që ajo godinë të fitonte plotësisht, të paktën edhe formalisht paprekshmërinë, por askush nuk u kujtua ta bënte. Rama ka dëshmuar që kur ka patur shumica të cilësuara në paralament dhe ka përmbysur gjithçka, me ndihmën e disa prej atyre që sot derdhin lotë krokodili për këtë godinë apo edhe uzurpimin e shumë pushteteve nga ai, kështu që edhe paprekshmërinë mund ta kushte rrezuar në çast, por do të ishte shumë më e vështirë ama.

Askush nuk ka dalë e të sqarojë, qofte edhe në rrugë ligjore nëse kjo godinë bën apo nuk bën pjesë në ansamblin e monumenteve të kulturës së qendrës së Tiranës, nëse ka qenë ndonjëherë apo jo? Nëse ka qenë dhe është hequr me çfarë motivacioni dhe kur? Në 22 vite asnjë sqarim kaq minimalist nuk është bërë dhe vijon ende të jetë i paqartë, ndërkohë që dhjetëra aktorë e qytetarë janë bërë e vetmja mburojë reale e kësaj godine që i pëket gjithë publikut.

Sot rreziku është aty përballë sërish, pasi pushtetit i skuthave gjeti shtegun tjetër për të kaluar gjithë truallin e një godine kombëtare në pronësi të një autoritetit lokal, ku Veliaj me një këshill Bashkiak unanim, mund të bëjë gjithçka do me të. Me dhjetëra miq, të njohur e të panjohur kanë shkruar shumë për këtë çështje, që edhe në bindjen time, sikundër e kam deklaruar me shumë herë publikisht, është një tjetër grabitje e paskrupullt e pronës publike. Përtej qëndresës dhe sakrificës së aktorëve dhe qytetarëve, një aleance në mbrojtje të kësaj prone publike, dëshiroj të shtoj që pjesa tjetër nuk mund ta mbrojë me piskama e me mallkime.

Ka ende rrugë ligjore për të kundërshtuar qoftë VKM respektive apo edhe mënyra të tjera për të ndalur marrëzinë. Prej kohësh kam bërë apel që kjo çështje të zgjidhet qoftë me referendum kombëtar si pasojë e statusit ligjor që ka po qoftë edhe me referendum lokal. Për fat të keq askush nuk guxon ta kërkojë dhe askush nuk pranon që kjo vendimmarrje t’ i kalojë pronarit të vërtetë të kësaj prone, popullit. Shumë gjëra bëjnë në emër të popullit, por tmerrohen vetëm nga ideja se, pavarësisht rezultatit, fakti që për këtë vendos qytetari mund të krijojë precedentë të vështirë për uzurpatorët e pushteteve. Fakti që përgjegjësinë e marrin qytetarët i bën të ndjehen të rrezikuar.

Precedenti i referendumeve, që praktikisht me Kushtetutën që kemi është e pamundur të organizohet nga vetë qytetarët, i tremb deri në palcë, pasi mund të bëhet rrugë që mbyll shtigjet e korrupsionit. Protestat janë njëra formë e mirëpritur për të ndalur ligjshmërinë, por verdiktet mbarë popullore janë sa gjithëpërfshirës dhe po aq të padiskutueshëm.

Për të gjithë piskamasit që qajnë ditën dhe natën bëjnë plane interesash kam një kërkesë publike: Le bëhemi bashkë me aktorët e qytetarët dhe të kërkojmë që për këtë të vendosë ai që i takon, Sovrani! Në fund të fundit: Vox Populi, Vox Dei.
Mos kini frikë nga ta që u delegojnë e besojnë pushtetet!

Teatri Kombëtar, kronikë e një grabitje të paralajmëruar!

Please follow and like us: