Albspirit

Media/News/Publishing

SAMI DANGËLLIA, I BURGOSURI I PËRJETSHËM

Samia Dangellia u shua në kampin e Shën Vasisë, Sarandë, me 23 Prill 1987… I pabesueshëm është fakti që shokët e tij të burgut të Burrelit, i kthyen shpinën atij që ishte simbol i qëndresës antikomuniste. Një pjesë e tyre u futën nën ‘sqetullat’ e persekutorit për interesat e tyre të ulta duke bërë karrierë e pasuri deri në majat e larta të politikës… -Një shoqëri që nuk nderon heronjtë dhe legjendat e veta por i le të shuhen e shlyhen nga kujtesa kolektive e historike, është e dënuar të zhytet edhe më thellë në errësirë.

NGA PËLLUMB LAMAJ/

Sami Dangëllia lindi në fshatin Menkulas të Devollit në vitin 1920 e pas ushtrisë kur italia fashiste pushtoi Shqipërinë, iu përgjigj thirrjes së Mid’hat Frashërit dhe patriotëve të tjerë duke u rradhitur në rradhët e Ballit Kombëtar të krahinës. Ndërkohë që fatet e luftës ishin vendosur që më parë nga anglezët që e shikonin Shqipërinë si degëzim të Jugosllavisë duke ndihmuar të vinte në pushtet banda bolshevike e Hoxhës, Balli Kombëtar për t’iu shmangur vëllavrasjes më të madhe në histori që përgatitej nga Titua dhe emisarët serb pranë organizatës terroriste PKSH, shpërbëhet.

Dhe pikërisht është ky momenti ku nis dhe gjenocidi sllavokomunist mbi kundërshtarët politik dhe gjithë shtresën fisnike e patriote shqiptare.Në 8 tetor 1943 fillon dhe odiseja e Sami Dangëllisë që do të kryqezohej përjetësisht nga demonët e kuq me të vetmin faj se donte Shqipërinë Etnike sikundër të parët e tij. Në fillim e burgosin në burgun e Korçës dhe pastaj në atë të Burrelit. Dënohet e ridënohet tre herë për të mos prekur kurrë lirinë.

Për herë të fundit ridënohet në Revoltën e Spaçit Maj 1973 si një nga organizatorët e saj dhe dërgohet sërish në burgun famkeq të Burrelit. U shua në kampin e Shën Vasisë, Sarandë, me 23 Prill 1987, dhe trupi i tij brenda një kutie me dërrasa do të varosej në një vend të fshehtë nga gardianët e burgut siç ndodhte gjithmonë me ‘armiqtë e popullit’.

I burgosuri i përjetshëm, Mandela shqiptar sikundër do të quhej më vonë edhe pse ishte kryqëzuar dyfishin e kohës së Mandelës afrikan, pët te cilin bota e qytetëruar aq shumë foli e propagandoi, edhe pse nga përmasat ia kalonte çdo personazhi e që mbarti me vete historinë më të errët dhe më tragjike e vrastare. Pas viteve nëntëdhjetë, kur u mendua se komunizmi dështoi me turp, për ironi të fatit jo vetëm u harrua e nuk mori vendin e takuar në histori, por në mënyrë tinzare dhe antinjerëzore, u mbajt larg teksteve shkollore, mediave të shitura dhe vet historisë. I pabesueshëm është dhe fakti që shokët e tij të burgut të Burrelit i kthyen shpinën atij që ishte simbol i qëndresës antikomuniste. Një pjesë e tyre u futën nën ‘sqetullat’ e persekutorit për interesat e tyre të ulta duke bërë karrierë e pasuri deri në majat e larta të politikës.

Në këtë mënyrë ata jo vetëm nuk i bënë atë mbyllje dinjitoze të historisë përkundrazi hapën trastat për dekorata, teneqera e kocka. Kush e shkatërron historinë, me dashje apo pa dashje, bën krimin më të madh të të gjitha krimeve. Bota e qytetëruar nganjëherë i shpik heronjtë dhe legjendat, ne i kemi dhe i përbaltim. Një shoqëri që nuk nderon heronjtë dhe legjendat e veta, por i le të shuhen nga kujtesa kolektive e historike, është e dënuar të zhytet edhe më thellë në errësirë.

Please follow and like us: