Albspirit

Media/News/Publishing

Margarita Kola: Psika e rënduar e një kryetari dhe ndjenja ime ‘popullore’ e fajit

Image may contain: Margarita Kola, closeup and indoor

Margarita Kola

 

Ese

 

Sot në kulmin e ligjërimit të disa ditëve rresht një kryetar bashkie na njofton ne popullit që një godinë teatri e shumëvitshme në këtë moment na qenka fashiste, e shëmtuar dhe qëndroka në një vend që ka tjetër dinjitet sesa vlera e dhënë nga një godinë e degraduar.

Kryetari na do aq shumë ne dhe vendin e dinjitetshëm të zënë nga karakatina sa ka marrë mbi krye detyrën sublime që të na bëj qytetarë ne fshatarëve të shkolluar dhe të pashkolluar, të pasur dhe të varfër duke na edukuar sjelljet tona estetike mbi të bukurën, të shëmtuarën dhe modernen. Në vuajtjen e tij të madhe për të na civilizuar kryetari na sfidon me forcën e tij e cila në mënyrë bipolare kalon herë në sarkazëm depresive e herë në pëllitje euforike.

I paepur në rrugën e vet për t’u bërë i besueshëm nga mbikryetari i tij (se edhe kryetarët kanë mbikryetar) provon gjithë arsenalin e tij që e ka të fituar dhe blerë me lekët e popullit të pagdhendur dhe provon të sfidoj me shpatë madje edhe tërmetin që nuk ja prishi themelet godinës kaq të urryer nga kryetari por më shumë të urryer nga mbikryetari. Ah tërmet opozitari!

Dhe kështu kryetari duhet të mbaj dy personalitete brenda një trupi. Të urrej kaq shumë këtë godinë teatri aq sa t’i bëj qejfin mendor mbikryetarit (aman se nuk ia ka ngenë në këtë kohë) dhe të doja aq shumë dëshirën për ta shembur këtë rrangallë që e prishur i përkëdhel sedrën e fitimtarit.

Por kryetari e di mirë se kjo gjendje psike me dy personalitete nuk duhet lodhur shumë. Ai e di se ka parë mbikryetarin se çfarë do të thotë kur nervat nuk të mbajnë më prandaj duhet të nxitojë. Duhet të pastroj rrugën nga pengesat që makineritë shembëse një orë dhe mëparë të tundin themelet me gjëmime.

Nuk duhet të flejë, as këtë dreq maske që po ja plas shpirtin nuk duhet ta mbaj. E për çfarë i duhet e mallkuara?! Tani është luftë për jetë a vdekje jo me virusin por me të gjallin.

Nga të ruhet më parë?! Mbikryetari duhet kënaqur me patjetër, psika po ashtu i çirret nga brenda “ore je dhe kryetar ti, si nuk të binden këta të paudhët ty”. Po këta të mallkuar një grusht janë, por nuk po dorëzohen si ata të tjerët kur i kënaqa me paratë e popullit. Po i zien koka se edhe ligji është për të tani gati. Duhet të tregoj veten me patjetër…

Është aq i dërmuar sa bie në kllapi… dhe kur zgjohet ulërin fort…

Ngjyra e teatrit të ri do të jetë e dedikuar…

“Për të gjithë ata artistë, intelektualë, gazetarë dhe arkitektë që nuk ma bënë fjalën dysh por më deshën mua dhe godinën e shembur si asnjëhere mëparë”.

Urrraa dhe kauza u gjet!

Post scriptum

E pas ëndrrës vjen realiteti… Kundërshtarët ngelen pangjyrë…

Po bën e ç’po nuk bën kryetari sa me thënë të drejtën po më dhimbset… Kam edhe unë populli dilemat e mia. Gjendja po i rëndohet çdo ditë. Fundja, thashë pse ta lodhim në këtë kohë, virusesh… Na duhet se siç e ka thënë dhe vetë ‘Tirana pa atë nuk do të merrte jetë…’. Ai për të mirën tonë e sëmuri psikën e vet… Dreqi e hëngërt, çfarë na duhet një kryetar me psikë të rënduar?! Të paktën i thashë vetes duke u ndjerë fajtore t’i jem ‘mirënjohëse’ psikës fatkeqe të kryetarit…

Please follow and like us: