Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Ca gjëra sipërfaqësore në lidhje me debatin

 Nuk ka kulla tek Teatri Kombëtar: Prishet marrëveshja mes Bashkisë ...

Pas një aktiviteti për të drejtat civile Martin Luter Kingun e gjuajtën me vezë. Ai do të shprehej më pas se atë natë ra në një depresion të thellë për faktin se ata që e kishin qëlluar ishin raca a soji i tij, pra zezakët. Ai shtoi se kjo kishte domethënien se si unë dhe ata që më ndiqnin në rrugën time nuk kishim punuar sa duhet për të mundur varfërinë, izolimin tonë racor a të drejtat e munguara etj. Kësi ndodhi janë rezultate të unionit në debat, të përfundimit që merr një çështje, një temë sociale për të cilën do flitet. Dhe padyshim duhet nxjerrë një përfundim se ku a me kë qëndron e drejta, ndryshe bëjmë zhurmë, ose rrahim ujin në hava siç edhe themi ne shqiptarët. Këto janë format më klasike të debatit dhe që sot aplikohen kudo, të paktën në vendet normale të botës perëndimore aty ku përpiqet të aderoj edhe shoqëria shqiptare. Dhe normalisht se ata e kanë të qartë se çfarë është debati? Si duhet bërë ai? Cilat janë përfundimet, me një fjalë kush e fitoi debatin? Ta kenë të qartë edhe njerëzit që do marrin pjesë aty, e ka të qartë edhe gjindja, shoqëria nga ku reagon dhe bëhet dallimi mes shumicës, pakicës dhe asnjanësve. Çdo formë tjetër e debatit e ka përjashtuar gjindjen për rrjedhojë është diktati ai që vendos. Gjithçka tjetër është mirëfilli zhurmë në favor të të vetmit person, diktuesit një lloj diktatori me mjetet e demokracisë.

Po i sjell këto nga ajo që pashë në një televizon shqiptar që paguhet me taksat tuaja, një kopjim të keq të debatit amerikan. Dhe për ironi të fatit tuaj në një sallë teatri të sapo rinovuar, ku në vend të spektatorit ishte ulur shkaktari i debatit, kryeministri. Aty ku duhej të ishte grupi i interesit zezakët ishte ulur kryeministri, afërmendsh që nuk është debat. Kurse në skenë një panel gazetarësh që nuk bën asgjë tjetër, por ia rritën rezonancën kakofonisë së njëshit. Megjithatë po e quajmë të pranueshme, pasi bëhen edhe debate të tilla, karshi kamerave. Bëhen por ka aty pjesëmarrje të padiskutueshme edhe të grupeve të interesit, shoqërisë. Në rastin konkret televizioni duhet me patjetër t’i japi mundësi atyre të jenë pjesëmarrës të gjallë, aktivë, të votojnë, që në fund të dali se ku qëndron e drejta. Tek ne dalin disa shifra por kjo në lidhje me shikueshmërinë, pra kush po ndiqet më shumë. Shikueshmëria nuk është pjesëmarrja reale e shoqërisë, megjithëse ata ziejnë nga shtëpitë, nuk kanë mundësinë të shprehen. Nëse do të shpreheshin dhe mendimi i tyre do të bëhej publik menjëherë pas debatit do kishim një realitet tjetër, të paktën minimumin e dobisë së debatit. Por nuk e bëjnë ndaj edhe sot studiot tona janë një zukamë grerëzash, një mjet që xhiron gomat në vend se ka rënë në batak, ku të gjithë bërtasin, të gjithë kanë të drejtë, vetëm e drejta jo. Si përfundim askush sot në Shqipëri nuk është i qartë se me kë është e drejta, me kryeministrin apo me shqiptarët. Ndaj e gjitha është një kakofoni e dominuar nga shteti për shkak të posedimit të altoparlantëve.
Por është edhe ajo irona e fatit tonë që vazhdon. Se një sharlatan si kapadai flet nga mesi i një salle teatri, pra ja që rinovimi nuk është i pa mundur. Thotë se do ta ndërtoj diku tjetër Teatrin Kombëtar siç ishte, ta kemi kujtim si një lodër. Po a mund t’i thuash birit se këtu ka shkelur Sulejman Pitarka, assesi. Po i the ja ke nisur jetën me gënjeshtër dhe mos prit të të bëhet fisnik. Megjithatë kjo është ajo tallja e bythës klasike e njëshave me shqiptarët që vazhdon me sukses të plot edhe sot e kësaj dite. Eshtë ajo ironi e gjallë e jona për faktin e një lufte tashmë të hapur mes artistëve, masës dhe aktivistëve.
Syresh janë të revoltuar me një profesor të dyshimtë karshi Robert Ndrenikës apo Viktor Zhustit dhe me të drejtë. Mos toleroni, artisti është pasqyrë për sytë tuaj, nëse u ka mbetur pak shkëlqim aty në sytë tuaj, e keni prej tyre. Por kaq shumë sa urreni këtë profesorin, kujtohuni dhe urreni edhe kryeministrin se përbuzi dikur (2002) një artiste populli si teto Ollga duke i kujtur brekët. Urreni dhe bëhuni pjesëmarrës aktiv për çdo kallamboq misri që u heq dritën e syve se ky është qytatari, zezaku që gjuajti me vezë Luter Kingun. Jo ju që shikoni dhe dëgjoni vetëm kallamboqin në krye… Mos mbyllni sy e vesh tek Violeta dhe i hapni tek Roberti se kjo ka domethënien që edhe ju jeni pjesëmarrës në një krim karshi historisë suaj, kocka e ashtit kombëtar. Ekzistenca jonë.

Please follow and like us: