Albspirit

Media/News/Publishing

Mbi origjinën e Skënderbeut dhe shkatërrimin e nocioneve morale tek ata që edukojnë brezat

 

Disa portale shqiptare, kanë hedhur në rrjet një link, në të cilin pak kohë më parë historiani Pas-kal me një patos të jashtëzakonshëm, përzier me një mllef “shkencor” mbi të “vërtetën historike” që ka “zbuluar” befas, deklaron se Heroi ynë Kombëtar Skënderbeu, ka qënë sllav, familjen e ka patur serbe, nëna e tij ishte sllave dhe se ai kishte lindur ortodoks…!? Emrat e fëmijëve të tij ishin sllavë dhe se ai nuk luftoi për Shqipërinë dhe Kosovën, por për kryqin dhe provincat e tij sllave…!?
Hedhja e këtij linku nuk është i rastësishëm për kohën që po kalojmë. Sapo kemi humbur betejën me trashëgiminë kulturore, kemi shkatërruar barbarisht natyrën dhe traditën dhe tashmë kërkojnë të na mbushin mendjen që jemi njerez pa identitet, pa heronj, pa vlera dhe oligarkët e dashakeqët mund të bëjnë çfarë dëshirojnë me një popull të verbuar.
Gjithsesi, duke qënë se me shumë vonesë, po njihem me një link të tillë, desha të them së pari se, profesori i paguar prej 50-vitesh nga shteti shqiptar, pa asnjë provë historike të pakundështueshme, por thjeshtë nga etimologjia e emërave të kohës, përkatësia e religjionit hedh poshtë një studim qindra vjeçar, nga autorë prestigjiozë vendas dhe të huaj, arkivën e Vatikanit, Turqisë dhe Perëndimit, mitet dhe legjendat popullore, por edhe veten e tij, për të cilën duhet të kthejë pagën e gjithë këtyre viteve. Po kështu duhet të mbajë përgjegjësi penale edhe në lidhje me punën e pashembullt për glorifikimin e figurës së diktatorit Enver Hoxha, dhe me këto dy bëma trondit për herë të dytë ndërgjegjen kombëtare. Padyshim është unikal ndër të gjithë historianët botërorë, ndërkohë që diktatorët po i dënojnë gjithë bota dhe po i hedhin poshtë me shumë kurajë edhe vetë fëmijët e tyre.
Edhe sikur të kishte qënë bashkëkohës i Heroit tonë Kombëtar, nuk duhej kurrsesi, të fliste me aq siguri, por edhe sikur bomba të kishte rënë dhe këtij t’i kishte ardhur prej qielli “fakti historik”, duhej minimumi me një lloj keqardhje, të paktën për vetë punën e tij dhjetëra vjeçare, të paraqiste të “vërtetën historike”, për hir edhe të super shpërblimit që ka marrë nga Shqipëria si historian-politikan dhe jo nga Serbia.
Gjithsesi Kanti thoshte : “Sapere aude, mos ki frikë nga dija, guxo t’i mposhtësh gjithë konformistët, merr guximin të mbështetesh vetëm në mendimin tënd, pa ndihmën e ndonjë udhëheqësi të ndërgjegjes apo të kambalecave të mendimeve të huajtura”. Pra e vërteta është ajo që vendos dhe që triumfon. Por eksperienca na mëson se në këtë formë kanë vepruar edhe studiues të tjerë, duke dashur të shkëpusin njerzit nga kultura dhe historia e tyre, nga ajo që ata kanë besuar deri në atë kohë, sepse kanë menduar se po dëbonin bestytnitë dhe lajthimin dhe po emanciponin shpirtrat nga paragjykimet dhe mitet me të cilat ishin mëkuar. Rezultati ishte se asnjëherë nuk mundën të shkëpusnin mendimin nga burimet dhe nga mitet e tij, nga paragjykimet e dobishme, të cilat ushqejnë të vërtetën dhe shpirtin, sepse një njeri i tillë nuk është asnjëherë i lirë, porse një shpirt i përtharë dhe i pajetë, sepse paragjykimet dhe mitet, përbëjnë thesarin kulturor të çdo populli.
De Mestri me të drejtë thoshte se: “Të gjithë popujt e njohur, kanë qënë më të lumtur, e më të fuqishëm, në atë masë, që i janë bindur më besnikërisht asaj arësyeje kombëtare, që nuk është tjetër, veçse asgjesimi i dogmave individuale dhe sundimi absolut e i plotë i dogmave kombëtare, d.mth i paragjykimeve të dobishme”. Pra të gjitha mitet dhe opinionet e përgjithshme, që na vijnë nga koha e Skënderbeut, duhen parë si humusi që ushqen mendimin, si vatra dhe shpirti i tij, si zanafilla ose djepi prej të cilit lind mendimi dhe apokalipsi revolucionar, që ka mbërther Pas-kalin, nuk është gjë tjetër veçse një shkatërrim i nocioneve morale tek ata që edukojnë brezat.
Të marrësh shkas dhe të mbështetesh vetëm në etimologjinë e emërave të kohës dhe përkatësinë e religjionit do të ishte njësoj sikur mbas më shumë se 5-shekuj, ata që sot kanë bërë histori sikurse Sali Berisha, Skënder Gjinushi, Rexhep Mejdani, Ramiz Alia, por edhe i parapëlqyeri i historianit, Enver Hoxha duhej të numëroheshin për heronj arabë, dukeqënëse kanë emra me prejardhje të tillë dhe i përkasin atij besimi…!?
Për ata që janë fillestarë në histori, e dinë fare mirë që Shqipëria ka kaluar një periudhë shumë të vështirë kryqëzatash mbi 2500 vjeçare kryesisht nën sundimin e Perandorisë Romake dhe Bizantine dhe së fundmi edhe nën Perandorinë Osmane, të cilat jo në pak raste, kanë sjellë edhe ndikime në etimologjinë e emërave, por edhe atë të besimit fetar.
Mohimi, tradhëtia ndaj kombit shqiptar ndodhi në momentin që kisha romake i la ata nën kishën bizantine të lindjes e cila ishte e lidhur ngushtësisht me armikun më të egër, më të rezikshem dhe të programuar për zhdukjen e kombit shqiptar, Perandorinë Ruse. 1600- vjet më parë filloi holokausti i kombit shqiptar, holokaust që vijon edhe sot në të gjitha trojet shqiptare. Atje ku popullsia ishte masivisht e krishtere, u realizua asimilimi, dhe mbi to u ngritën shtetet greko-serbo-sllave. Shpërberja e kombit shqiptar është e lidhur ngushtësisht me antishqiptarizmin e ruso-serbo-grekeve dhe me askend tjetër, pikërisht për këtë Shqipëria zgjodhi rrugën e multifetarizmit në një shtet laik.
Të luftosh për ç’mitizimin e Heroit tonë Kombëtar Skënderbeut, është një përpjekje Don Kishoteske për të asgjesuar trashëgiminë tënde, është një volontarizëm katastrofik, një ethe abstraksioni banal, një kllapi prometike që finalizohen në një luftë këmbëngulëse kundër tipareve dalluese të historisë së kombit, është një tradhëti ndaj identitetit kombëtar.
Duke e parë historinë si modalitetin themelor të qënies së njeriut, duhet t’i paraprijmë nihilizmit niçean, që kërkon të varrosë historinë dhe të vërtetat historike që kanë përshkuar shekujt, të cilat nuk mund të zvetënohen nga asnjë argument bosh, i cilitdo historiani, që paguhet për të shkruar të vërtetën dhe për ta mbështetur historinë në mitet dhe faktet e vërteta .
Sidoqoftë, në historinë tonë ka patur plot banalitete të tilla, por asnjëherë nga ata që i kemi superpaguar për 50-vjet me radhë dhe që janë kryetarë partish. Nuk di çfarë situate tragji-komike do të shkaktojë kur të dalë të kërkojë votat e shqiptarëve duke i pështyrë heroin kombëtar. Historia e lavdishme e Skënderbeut dhe e Shqiptarëve asnjëherë nuk është zvetënuar as nga asimilimi i imponuar dhe as nga ata që kanë dashur ta zhveshin me forcë historinë tonë nga principi i identitetit për të ulur krenarinë kombëtare, sepse njeriu është rob i prejardhjes, deri në skutat më të fshehta të botës së tij të brëndëshme ai është i mbrujtur nga historia që trashëgon, nga gjuha që flet, nga shoqëria që e ka lindur, paçka se nuk janë të paktë edhe shumë tipa groteskë që këto i duken si vlera arkaike, dhe përpiqen të bëjnë nihilistin-niçe, të bëjnë postmodernin, në një realitet shqiptar që çdo çast i kërcënohet identiteti dhe akoma nuk jeton në trojet e veta. Për ata që kanë jetuar në perëndim e dinë mirë se çfarë rëndësie kanë figurat e kombit, ata që bëjnë identitetin. Edhe ata që nuk e kanë e fabrikojnë atë, ndërsa ne shqiptarët e kemi dhe kërkojmë të mbetemi jetim.
Tradita ka përherë prioritet ndaj mendimit, prandaj cilido Pas-kal, që kërkon të ç’bëjë pjesën më të lavdishme të historisë tonë, pa të vërteta të mbështetura në fakte, duhet të mbajë në konsideratë që në kuptimin etimologjik të gjuhës sonë, nga të qëndruarit mbrapa kalit nuk ke se çfarë prêt tjetër perveçse ndonjë shqelm të mirë fytyrës, prandaj e mira është të qëndrojmë përherë të vemëndshëm dhe të sigurtë mbi kalë, sepse Skënderbeu, historia, kombi, kultura, gjuha, janë tonat, janë vetja e jonë.

Please follow and like us: