Albspirit

Media/News/Publishing

Simon Mirakaj: Frank Shkreli, zëri i tij, jo vetëm te “Zëri i Amerikës”

Frank Shkreli: AMANETI I ERNEST KOLIQIT - Albspirit

Frank Shkreli, edhe pse larg atdheut të tij të izoluar nga bota e qytetëruar dhe e lirë, zemra dhe mendja i rrahin dhe nuk e ndalin punën për vendin e tij “të zënë rob” nga diktatura komuniste. Zëri i tij, tek Zëri i Amerikës të jepte pakëz dritë dhe shpresë në atë pus të errët dhe të pafundmë në Shqipëri. Nuk ishin të pakët ata që vraponin për të kapur orën 8 e 30 minuta, se çfarë do na thoshte Frank Shkreli, Elez Biberaj, Idriz Lamaj etj. Ishte ai za, ushqimi ma i mirë për ne, mbas një pune tmerrësisht të lodhshme e të pasigurisë së ekzistencës tonë. Kontributi i Franit, i këtij personaliteti të diasporës Shqiptare është shumë i madh, si në shembjen e komunizmit, po ashtu dhe në pavarësinë e Kosovës. Me shkrimet e tij, që përçohen nga fryma kombëtare, ai sensibilizoi kancelaritë ndërkombëtare për gjenocidin Serb në Kosovë. Tani Frani është prezent në shtypin e shkruar dhe pikërisht te gazeta “Telegraf”. Për vlerat kombëtare të tij, komuna e Shkrelit me rastin e 100 – vjetorit të pavarësisë e beri “Qytetar Nderi” të komunës. Unë, si lexues i rregullt, por edhe si mik i familjes ndihem krenar për kontributin e Franit, për çështjet e ndryshme kombëtare. Me ketë rast i uroj shëndet dhe si gjithmonë e falënderoj për kontributin e tij, për shtresën e ish- të përndjekurve politikë!

 

Post Scriptum:

Frank Shkreli ka qenë gazetar dhe redaktor në “Zërin e Amerikës”, seksioni shqip nga viti 1974 deri në vitin 1984. Më pas po tek “Zëri i Amerikës”, zoti Shkreli ka qenë shef i seksionit shqip (1984-1985). Nga viti 1985 deri në vitin 1990 ka shërbyer këshilltar i lartë programacioni në divizionin europian të “Zërit të Amerikës”. Ju kujtojmë që në këtë periudhë, duhej punuar në kushtet e Luftës së Ftohtë. Nga viti 1990 deri në vitin 1994 ka qenë zëvendës drejtor i Euroazisë në “Zërin e Amerikës”, divizion ku përfshihej edhe Bashkimi Sovjetik që ndërkohë u shpërbë. Nga viti 1994 deri në vitin 2003, zoti Shkreli ka qenë drejtor i divizionit Europian të “Zërit të Amerikës”, divizion nga i cili, përveç gjuhëve të ndryshme evropiane, varej, veç të tjerash edhe seksioni shqip i kësaj radioje. Frank Shkreli ishte pjesë e delegacionit të parë diplomatik amerikan në Shqipëri në mars/prill të vitit 1991, me ç’rast u hap ambasada amerikane pas pothuaj 50-vjetësh dhe morën pjesë si vëzhgues në zgjedhjet e atij viti. Ai ka vizituar shpesh Shqipërinë dhe Kosovën si pjesë e delegacioneve të ndryshme të Shteteve të Bashkuara. Pas daljes në pension nga detyra qeveritare, pas 30-vjetësh, z. Frank Shkreli shërben si drejtor i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan një organizatë jo-qeveritare që punon për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe për promovimin e paqes dhe zhvillimit ekonomik në trojet shqiptare në Ballkan, e vetmja organizatë shqiptare lobiste me prezencë në Uashington DC.

Please follow and like us: