Albspirit

Media/News/Publishing

Bardhyl Berberi: Uikend në Pandemi dhe ëndrra për një karrike

Bardhyl Berberi: Ballkani prodhon më tepër histori seç i mban ...

Bardhyl Berberi

 

Pogradeci është magjik në kohë pushimesh e në ditët e uikendi. Heqja e fashës së Pandemisë i ka sjellë gjallëri këtij vendi turistik. Buzë liqenit, në lokalet luksoze në Tushemisht sheh të pushojnë politikanë, ish ministra, ministra dhe ata që janë në listat si kandidatë për qeverinë e re, kryetarë partish, një takëm bosash, kryesisht ndërtues që kanë ardhur familjarisht dhe iu bëjnë shoqëri shefave që ju japin tendera.

Të veshur në formë sportive me kapela në kokë, ky është vetëm imazhi skenik i tyre. Por po t’i shikosh më imtësisht dallon se telefonin nuk e heqin nga veshi për asnjë çast dhe sheh që mimika e fytyrës së tyre herë çelet dhe herë merr pamje të vërejtur. Pranë tyre qëndrojnë një takëm biznesmenësh, sponsorë të tyre që i mbajnë veshët ngritur si të lepurit, të cilët janë në rezonancë me shefat e tyre. Ata harrojnë dhe ngrejnë edhe tonet e zërit, pasi janë jashtë kontrollit. Ky uikendi në Tushemisht, pas heqjes së fashës së pandemisë, ishte krejt specifik. E hëngrën e dy gjyqtarë nga Vetingu, sot e hëngri edhe Fatmira Hajdari. Një takëm gjyqtarësh që kanë ardhur në Tushemisht janë të trembur si lepujt, kanë hije mavi poshtë syve. Ju ngec tava e koranit në grykë.

-Po duhet të jesh i qetë ta shijojë jo si ne që duan të na heqin nga puna. Ja e hëngri Dvorani… Ishte marrëveshje mes dy të mëdhenjve që luajnë me variantin ‘tërhiqe dhe mos e lësho’… E patë i dha presidentit KLSH-në dhe i hëngri kokën Dvoranit.

-Pazare të ndyra, ia pret një grua e shëndoshë.

-Telenovelë e shëmtuar, quhet nga një takëm gjyqtarësh që po na hedhin në kosh të plehrave si kore pjepri…

Por realisht ajo ju ka vjedhur gjumin dhe ka sjellë jo pak trazime  paratë e ‘fituara’ po na dalin nga hundët…Ata sjellin kundër argument ndaj të gjatit, siç thonë ata, na mbylli kot disa muaj në shtëpi…

-Luhet lojë e madhe, ia pret tjetri, po ende po vdesin shumë njerëz nëpër botë, ky është fakt

– Kalë Troje, ia pret tjetri, vetë të pështyn në çorbë, njeriu i shtëpisë ka brenda të majtës një rrymë kundër.

– Edhe Ilir Beqja ka ngelur jashtë qeverisë e hëngri qafën e patës ai …

– Ore  po Kaç Islamin, si e lanë ata të PD  si mall stok?

Nje bos ndertimi nga Tirana porosit në guzhinë tava korani dhe verë artizanale prej buti

Dhe thashethemet vazhdojnë…

-Dëgjoni xhaxhanë, thotë një i moshuar, është rast i rrallë që të bëjnë nuse të nusërosh dy here, siç i ndodhi Ramës. E mori timonin, por makina të ikën vetë, nuk ka nevojë për timon fare. Bën qef Afizi me pilaf orizi. S’ka opozitë. Opozita iku nga paralamenti dhe u zvëndësuar nga ata lojtarët më të dobët që Rama bën hallatkë gjithë ditën. Lanë edhe pushtetin vendor. Duhet ta fillojë nga kuadrot drejtuese, i ka cope-copë. Më thanë që në Mokër është një drejtor shkolle që ka qënë taksist…

-Po ka shumë, ia pret tjetri, sa ka me diploma falco që hanë bukë.

-Po ta pyesish ndonjërin prej tyre se kë ke patur shok në fakultet skuqen dhe të thonë nuk mbajmë mend…

Këto ishin ca copëza fragmentesh nga këta persona VIP që tashmë kanë ngitur veshët përpjetë si të lepurit se çfarë llokme do të kapin në qeverinë e re, kush është dhe kush nuk është në listën e re të qeverisë.

Disave iu qesh fytyra ca të tjerë mërziten… Janë bosa ndërtimesh që kanë interesa jetike me këta burra të rëndësishëm që kanë  karrike të mëdha.

-Por ç’t’i bësh, ia pret tjetri, ca na pëlqejnë e ca s`na pëlqejnë…

Ndonëse qëndrojnë me pushime pak metra më poshtë rezidencës së Enver Hoxhës gjoja të braktisin rutinën raskapitëse të jetës aktive dhe të fushatës tepër të lodhshme, që luftuan “me mish e shpirt”  tani ata duan karriket…

Edhe pse ata kanë ndryshuar peizazhin të ushqyerit me tava korani, mish kaprolli dhe lepuj të egër (edhe pse gjuetia eshte e ndaluar) dhe gjumin e bëjnë pa zile, ata kanë ngelur ‘rob’ të emocionevë dhe të pasioneve për karrike. Ata duken të çorientuar, pasionatë, të tendosur, të mbërthyer nga emocione të forta, të cilat nuk mund t`i zotërojnë…shpesh iu shfryjnë fëmijve të tyre se pse qëndrojnë shumë  në ujin e  liqenit se mund të ftohen.

Ata ndihen të zbrazët dhe gjithë ankth. Kur dikush iu telefonon nga Tirana ata herë qeshen dhe herë ngrysen në fytyrë, sikur iu është hapur ndonjë humnerë.

Ata e pranojnë se janë të lodhur fizikisht dhe mendërisht madje edhe emocionalisht pavarsisht se kanë para me thasë. Edhe pse ndodhen para këtij peizazhi tepër shplodhës me liqenin në gji ata e kuptojnë se në thellësi të tyre diçka nuk është shplodhur. Ata nuk arrijnë të ndriçojnë ato skena të shpirtit ku e pavetëdijshmja e errët iu fsheh lëvizje të mistershme që edhe pushimet më të mrekullueshme nuk arrijnë që t`i qetësojnë.

Për ‘Ata’ nuk ka prehje dhe pushime këto ditë kur ata janë të mbërthyer nën peshën e karrikes dhe presin thelat e pushtetit. Madje dhe të afërmit e deputetëve të zgjedhur kanë  mbajtur frymën pezull. Edhe ata presin tendera, koncesione, rregullimin e farefist në punë, vëllait, motrës, sikur pushtetin ta kenë një lopë dhe ta mjelin vetëm ata për interesat e tyre. Dhe të kesh kryekarriken e një drejtuesi ministrie apo drejtori drejtorie  nuk është pak se të tjerat vijnë pas saj: tendera, konçesione, para nën dorë e mbi dorë… Dhe kur ndonjërin e merr e dashura në telefon ai çohet në një cep të lokalit dhe  shfryn: “ Tani e gjeti ti moj… nuk të kam thënë mos marëish në telefon kur jam me familjen. Më dergo ndonjë lekë të madhe se jam dobët …Takohemi të djellën në darkë, ik tani”!

Dielli është në të perënduar sipër maleve të Mokrës dhe një breg i tërë i liqenit prushitet prej zjarrit të diellit në perëndim që ngjitet lart lart deri sa djeg me flakë majën e Malit të Thatë dhe ndonjë person tjetër VIP që ka humbur në zgjedhje të afërmin e tij… Klithja e pulbardhave në liqen ngjan me një kor vajtojcash që i shkon këtij dekori të këtyre fatkeqëve që shumica prej tyre shohin ëndrra me sy hapur… ndërsa një takëm tjetër e derdhin shampanjën lumë…

 

 

 

Please follow and like us: