Albspirit

Media/News/Publishing

Vargje poetike nga Ela Zdrava

 

 

 

PREKJA E SHPIRTIT

 

I bëj gishtat penela të ndjesisë,

e mbi to derdh ngjyrën e kaltër,

formën e shpirtit i jap times ditë,

qielli hapet krejt i pastër.

I hedh me radhë vargjet në telajo,

s’mjafton as letra, as ngjyra,

prekja e shpirtit lidh tablonë me vargun,

s’ka monedhë të blejë këto të dyja.

Vështirë ta shkruaj dora gjithë prekjen e shpirtit,

ndjesi të zhurmshme dhe nga ato që flejnë.

Kush vallë frymoi në telajo gjithçka që ndjeu?

Vargu formëzon tablonë, piktura fjalët rrëmben.

Ndodh, që fjala të tretet si lule e thatë,

kur mërzia në cep të zemrës rri strukur,

diell i pikoj spërkatur me vesë të artë,

n’telajo frymon vargu plot ngjyra si flutur.

Pranvera në qerpikë vjen e më ulet,

vargjet mbi gjoks cicërimat m’i fal,

ngjyrat në telajo e shkrijnë poezinë,

prekja shuan etjen, që shpirti ka.

 

DUART E NËNËS

 

Ç’po na e kurdisin kohën,

mbrapsht po na ikin akrepat,

gazetar, këngëtar, aktor,

nga kuzhina lluks mastershefa.

Pjata të bukura, të stërmëdha,

mbushur gjysmë në instagram,

me paisje gjithçka gati,

na mësojnë se ç’të hamë.

Flokët stil, veshje firmato,

gjithçka prerë delikatesë,

ar lugët e tenxheret,

po parfum pse s’i hedh?

Receta të bukura e elegante,

këshilla krokante të psikologëve,

kafshita e bukës pjatën fshin,

duart e nënës thyejnë

betonin e mureve të dietologëve.

Seç më del para syve,

përparsja unike e nënës,

tek fshi buzët e përlyer,

e s’ngopem me afshin e zemrës.

Please follow and like us: