Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Për shpëtuesit ose rrënuesit e shtetit të Kosovës!

Për shpëtuesit ose rrënuesit e shtetit të KosovësKosova nuk ka kurrfarë krize ekzistenciale që të shpëtohet nga dikush, sepse atë nuk mund ta zhbëjë askush. Kjo për faktin se shteti i Kosovës i ka rrënjët thellë në dashurinë për liri që ka treguar populli shqiptar ndër vite e dekada. Ai ka vuajtur dhe ka sakrifikuar pamasë për këtë liri dhe sot pararojë e lirisë së tij është krejt bota e përparuar, që ka bërë veprën më madhore të fundshekullit të kaluar, duke na çliruar nga kthetrat e Serbisë, dhe pastaj, duke na pavarësuar.

 

Fatkeqësisht, ata nuk mund të na çlirojnë nga vetvetja dhe manitë tona, nga paqëndrueshmëria jonë politike, mentaliteti i egër dhe nga marritë e përditshme që bëjmë.

Ndaj, të sajosh diskurse e kauza të pështira politike se ata që na çliruan dhe pavarësuan, sot dashkan të zhbëjnë këtë vepër madhore, është e gërditshme, alogjike dhe një gabim i pafalshëm historik. Kjo është një fyerje e rëndë ndaj perëndimit dhe ndërgjegjes së lirisë dhe njollë e zezë në historinë e raporteve tona me perëndimin.

Këto sajime i gëlltitin vetëm mendjeshkretit.

Kosova ka kriza tjera, që lidhen me pazotësinë tonë për të zhvilluar vendin dhe përparuar shërbimet e tij, për të ndërtuar klimë etike normale dhe mjedis politik normal.

E në rastin më ekstrem, nëse vërtet Kosova ka krizë ekzistenciale politike, ajo nuk është çiflig që ta shpëtojë një person, një kryeministër, një lider partie a një udhëheqës tjetër shteti.

Të besosh në këtë logjikë, është sikur të besosh se fluturon gomari.

Nëse vërtet Kosova ka krizë ekzistenciale politike, atë më së paku mund ta shpëtojnë turfullimat e militantëve dhe mercenarëve që krejt çka dinë është t’iu mbushin hambarët politike të grupimeve të tyre.

E kam thënë para një vitit – në fund të fundit –  askujt s’i duhet një Kosovë të cilën gjoja po e shpëtoka një njeri ose një grupim i vogël politik. Sepse, ne nuk jetojmë në kohë të profetëve dhe të magjeve, por në një rend demokratik, me rregulla e ligje, dhe brenda një civilizimi shumë të përparuar, ku liria është vlerë sublime.

Zakonisht politikanë  të paaftë dhe pa ide kreative politike, që nuk shohin përtej gardhit të tyre politik, i mbrehin shpatat kundër kundërshtarëve politikë, për t’i joshur mbështetësit e tyre dhe mundësisht për t’i egërsuar kundër njëri-tjetrit, vetëm e vetëm për një arsye: që të ekzistojnë politikisht. Pikërisht kjo gjuhë e egër, ka mbajtur në skenë gjithfarë analfabetesh tash e sa vite.

Të tjerat janë dokrra dhe retorika boshe.

16 maj 2020.

Për shpëtuesit ose rrënuesit e shtetit të Kosovës

Please follow and like us: