Albspirit

Media/News/Publishing

Ismail Xhaferi: Ti dhe hëna…

 

S’di ç’të bëj sonte me hënën,

Se m’i mori fare mendt,

Që nga kreshta e një mali,

Veshi natën me argjend!

 

Çfarë të bëj sonte me hënën,

Hënën si një kokërr ftua?

Erdhi pranë dritares tënde,

Erdh tek ty e çmendi mua.

 

Dhomën tënde zbukuroi,

Tek ndriçonte orë pas ore,

Tej dritares dukej qartë,

Gjiri yt si cipëz bore.

 

Tej dritares dukej gusha,

Flokët hapur në çdo anë,

Zgjate dorën merre hënën,

Edhe vare si gjerdan!

 

Buzët si burbuqe prilli,

Balli si nga hëna prerë,

Dukeshin në dritë të hënës,

Si s’qenë dukur asnjëherë.

 

Çfarë të bej me hënën sonte,

Këtë hëne me dritë argjendi?

Do ta zë hënën me gurë,

Që të iki se më çmendi.

Please follow and like us: