Albspirit

Media/News/Publishing

Bujar Alimani: Filmi, arratisja jonë kombëtare!

…Gjej rastin t’iu falenderoj dhe ndihem shumë i emocionuar dhe shumë i pakët në krahasim me ato çka komentoni për mua… Kam lindur në një qytet të vogël pa histori, një qytet që u projektua për naftëtarët në një kodër aty ku Myzeqeja i lë vendin relievit të Mallakastrës…

Bota rreth meje në fillimet e mia nuk ishte komunizmi, ishin njerëzit e mi… gjyshja, prindërit, xhaxhallarët… prej tyre mësova të flas e të sillem, pallati i vogël dykatësh me përbërje të brendshme druri model rus i ‘daçave të famshme ishte planeti im i parë, gjithçka ishte si një dekor teatri, me bodrumet e mistershme poshtë ku kam provuar për herë të parë 10-12 vjeç shijen e cigareve ‘Partizani’ (unë nuk e pi duhanin) që në dimër mbusheshin me ujë dhe krijonin më mister akoma si mikropishina të çuditshme… dhe sipër kokave tona një çati me binarë, e gjitha një papafingo gjigande në të cilën për fat të keq nuk u ngjita dot asnjëherë…

Shokët e fëmijërisë janë shpërndarë të gjithë nëpër botë… lija shpesh lojën me top dhe kontrolloja nën dritaren e Qirjakos, një komshiun tim që pikturone e hidhte copra letrash e shkumëdeti që nuk i duheshin më nga dritarja…

I mblidhja dhe nga ato copra të ‘pavlerë’ letrash me ngjyra ose bardh e zi… mësova për herë të parë të vizatoj… më vonë qyteti im më ‘pështolli’ në një jetë që ngjet vërtet si film… ndërrimi i kinemasë së vjetër te ajo e reja, afishet e filmave që ndërroheshin nën xhamin e kutisë së reklamimit dhe habinë tonë për filmin e ri… bashkë me ankthin e gjetjes së lekëve për biletën… Lino Ventura, Zhan Maria Vonlote, Xhina Lolobrixhida, Sofia Loren, Anna Magniani, Marcelo Mastrogianni, Zhan Gabin ishin vetëm një frymë larg… te ekrani bardhë e zi i kinemasë… kjo ishte ARRATISJA JONË KOMBËTARE… ne gjendeshim me këta yje një orë bashkë me ta…

Kjo ndodhte në qytetin tim të vogël pasditeve të trishta ku mërzitja ikte dhe në fund të filmit… pasi hapeshin dritat, magjia kish humbur… Ndoshta në vetvete premtoja që këtë magji që quhet KINEMATOGRAFI si borxh karshi fëmijërisë e shokëve të mi të humbur, ta mbaj e ushqej sa më gjatë…

Please follow and like us: