Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Bislim Ahmetaj: A do të kemi votime në universitete dhe në Parlament me 30 Korrik?!

Dr. Bislim AHMETAJ

Lektor në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës.

 

30 Korriku i sivjetshëm përkon me dy ngjarje shumë të rëndësishme që kanë lidhje me zgjedhjet.

Universitetet publike zgjedhin zinxhirin e tyre drejtues që nga shefat e njësive bazë, dekanin senatin dhe rektorin.

Ndërsa parlamenti i çuditshëm shqiptarë me 122 deputet nga 140 që duhet të jenë sipas Kushtetutës pritet të miratojë me ose pa konsensus reformën zgjedhore.

Të dyja këto procese të cilat kanë lidhje me zgjedhjet njëra në institucionet e trurit dhe tjetra me fatin, mbarëvajtjen dhe prosperitetin e demokracisë dhe shtetit ligjor po zhvillohen në një kohë të paprecedentë.

Kohë që lidhet sa me pandeminë e corona virusit aq edhe me arrogancën dhe injorancën e politikëbërësve shqiptarë.

Për pasojë pritet që ato të zhvillohen të cunguara, të paragjykuara dhe jo vetëm që nuk do të mund të mbjellin shpresë dhe besim por përkundrazi mund të nxisin çoroditje dhe ashpërsim të konfliktit.

Universitetit i mungojnë në votime studentët, pikërisht ata për të cilët Ministria e Arsimit justifikoj urgjencën për zhvillimin e zgjedhjeve me 30 Korrik.

Studentët është thuajse ngjarje e sigurtë statistikore që do ti mungojnë procesit të votimit me 30 Korrik, pasi sezoni i provimeve të vitit të III-të dhe atyre  të vitit të fundit të masterit është mbyllur prej disa ditësh.

Ndërsa sezoni i provimeve të vitit të I-rë dhe të II-të është njoftuar për në shtator.

Mbi 60% e studentëve  vijnë nga rrethet çka jua bën të pamundur pjesmarrjen në votime.

Por edhe për ata që janë banor pranë universitetit është e njëjta  situatë,  ata e kanë mbyllur vitin e tyre akademik.

Cili prej studentëve  të rretheve do të harxhonte minimumi 5 mijë lekë të reja  dhe një ose dy ditë për të udhëtuar drejt universitetit të tij për të votuar (?!)

Pra studentët për të cilët na u qa dhe e justifikoj nxitimin e saj Ministria, Shahini nuk do të votojnë me 30 Korrik.

Ne pedagogët dhe përsoneli mbështetës në shumicë do ti bëjmë “qokat” e radhës për miqtë tanë që kanë kandiduar për pozicione të ndryshme drejtuese në universitet.

Nisur nga ky fakt druaj që sapo të filloj viti i ri akademik do të ndeshemi me revoltën e studentëve të cilëve jo vetëm nuk u kemi krijuar kushtet për tu njohur me programet dhe projektet e kandidateve që do të shpallen fitues me 30 Korrik, por as s’ju kemi dhënë mundësinë që të marrin pjesë në votime.

Në këtë mënyrë do të bëjmë nul dhe do të kompromentojmë një proces të rëndësishëm të jetës publike siç janë zgjedhjet në universitete,  të cilat duhet të sherbejnë si shembull dhe model për gjithë shoqërinë.

E njëjta gjë ka të ngjarë të ndodhë edhe në parlamentin çalaman të cilit në kundërshtim flagrant me ligjin themeltarë të shtetit ka gati 2 vite që i mungojnë 18 përfaqësues.

Veç kësaj “gjëmë” me 30 Korrik  është njoftuar se nuk do të mund ta shprehnin vullnetin e tyre me votë edhe 5 anëtarë të tjerë të parlamentit të cilët janë lajmëruar se kanë rezultuar pozitiv nga testi i Covid 19.

Pastaj me këtë mësymje që ka marrë Covid 19  drejt politikës ditëve të fundit deri të ejntën në orën 10.00 s’është aspak çudi që numri i “pozitivëve” në parazit-parlamentin shqiptar do vijë duke u  shtuar aq sa  ta bajë të pa mundshëm  kalimin me vota të reformës zgjedhore.

Mungesa e konsensusit të mazhorancës  me opozitat e vendit, që açik gjithë botës janë dy, do ta çojë njërën në rrugë (!!!)

Si përfundim druaj që të dyja votimet e programuara ligësisht nga politika për datën 30 Korrik, ato për zgjedhjen e drejtuesve të universiteteve publike dhe ajo për “reformën zgjedhore” nuk do të mund të prodhojnë besim, shpresë dhe prosperitet.

Jo vetëm kaq por kam frikë se do ta shtojë zhgënjimin dhe ashpërsoi konfliktin mes palëve edhe kështu të ndezur mjaftueshëm.

Këtë drojë dhe frikë ma shton koha e zgjedhur për zgjedhjet si dhe taktikat  bizare dhe të liga duke e pamundësuar pjesëmarrjen në zgjedhje të studentëve në rastin e universiteteve publike  dhe në rastin e parlamentit të kuorumit të  deputetëve.

 

 

Please follow and like us: