Albspirit

Media/News/Publishing

Albina Deda: Fasada e Rilindjes përballë humbjeve të mëdha njerëzore

Muaji Korrik u mbyll si një muaj që na goditi shumë rëndë duke marrë 93 jetë njerëzore ose mbi 33 vdekje ne 1 milion, nga Covid-19, krahasuar me vetëm 2 vdekje për 1 milion në Gjermani dhe 6 në Itali!

‘Ekspertët’ dhe drejtuesit politikë të Rilindjes vazhdojnë ta lidhin akoma epideminë dhe masat për të me ‘arritjet’ propagandën, pra me dukjen, duke dalë nëpër media apo duke dhënë këshilla, duke inspektuar apo edhe duke kërkuar llogari, e kjo është bërë kryefjalë e punës së tyre!

Por virusi nuk u ‘zbraps’ nga kjo metodë e Rilindjes dhe vazhdoi përhapjen, të marrë jetë njerëzish dhe të na konfirmojë paaftësinë e menaxhimit të epidemisë Covid-19 dhe qëndrimin si krenarist edhe ndaj paralajmërimeve që erdhën prej profesionistë të fushës dhe autoriteteve shkencore shqiptare për të rritur numrin e testimeve, gjurmimeve dhe trajtimeve në kohë pa i lënë të prekurit të kalojnë në fazat e rënda të sëmundjes drejt terapisë intensive dhe intubimit.

Për nga numri i testeve Shqipëria vazhdon të jetë në vendin e fundit në Europë e ndërsa gjurmimi me këtë numër rastesh është i pamundur sepse edhe personeli i angazhuar është i njëjti.

Theksoj që mjeku i familjes jo vetëm nuk pati mjete mbrojtëse, por u la jashtë këtij menaxhimi duke ia lënë gjithçka Urgjencës Kombëtare, drejtuar nga një dështak si ai, Skënder Bratajt, mik i Becës, që shkatërruan bashkarisht Urgjencën e Tiranës, mjeshtrit të hajdutërisë dhe koncensioneve.

Dërgimi me vonesë për të kërkuar kujdes të specializuar, në spitalin infektiv apo në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’ është ndër arsyet kryesore të vdekshmërisë së lartë duke nenvizuar këtu, mungesën e informacionit, transparencës dhe ngarkesën në numra të reanimacionit, kaosin në menaxhim e mungesat në këto spitale.

Tashmë publiku është thellësisht mosbesues ndaj masave që i komunikohen dhe kapaciteteve menaxhuese-trajtuese!

Jo vetëm nuk po zbatohen distancimi social, mbajtja e maskave në mjedise publike, por as edhe izolimi i personave të diagnostikuar apo të dyshuar, duke nisur nga zyrtarët e parlamentarët e papërgjegjshëm të Rilindjes të prekur nga Covid-19!

Në këto kushte, publiku nuk mund të besojë recitalin e përditshëm të Ministres së Shëndetësisë që bën thirrje për mbajtjen e maskës në publik duke bërë që përgjigjia të jetë e dështuar.

Jo vetëm spitalet dhe personeli janë të prekur, por në korrik Covid-19 u shtri në administratë, gjykata, bashki, parlament duke bërë që të arrijmë tashmë transmetimin komunitar, duke konkluduar në atë që Ministria e Shëndetsisë me ‘ekspertët’ treguan paaftësi dhe papërgjegjshmëri totale siç kanë treguar përgjatë shtatë viteve në keqqeverisjen e tyre!

Please follow and like us: