Albspirit

Media/News/Publishing

Ekskluzive me Prof. Kristaq Kume: Sfida e pozitës dhe opozitës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, pas ndryshimeve kushtetuese

Zenel Çeliku, TIR-FAX News Agency.

Më 30 Korrik, në seancën e fundit të sesionit parlamentar, me 106 vota pro dhe 10 kundër, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ndryshimet kushtetuese që lidhen me procesin e reformës zgjedhore, duke vendosur përfshirjen e listave të hapura për zgjedhjet parlamentare. Ky votim u bë pa dakordësinë e opozitës së bashkuar jashtë parlamentare. Me ndryshimet e dakordësuara pozitë-opozitë më 5 Qershor, në zgjedhjet e radhës parlamentare do të aplikohet sistemi i votimit me lista të hapura ku shqiptarëve u jepet mundësia të zgjedhin kandidatin që ata mendojnë dhe vlerësojnë, por sa % e listave do të jenë të hapura, këtë akoma nuk e dimë. Për detajet e mëtejshme të këtij sistemi dhe për pragun elektoral, do të përcaktohen në Kodin Zgjedhor të Shqipërisë. Fakti është se përveç opozitës e cila ka deklaruar se, PS dhe Rama po e minojne marëveshjen e 5 Qershorit, edhe ndërkombëtarët mbajtën qëndrim të ashpër ndaj mospërfilljes të mendimit të opozitës së bashkuar. BE-ja dhe SHBA-të shprehën zhgënjim për votimin e 30 Korrikut, i cili ka si qëllim për votime me lista jo 100% të hapura dhe për moslejimin e koalicioneve parazgjedhore. Lidhur me këto shqetësime, unë kam marrë në intevistë një nga ekpertët më të njohur të kësaj fushe, Prof. Kristaq Kume, ish-Kryetar i KQZ.

 

 


Prof. Kume, votimi për ndryshimet kushtetuese të 30 Korrikut ka gjeneruar shumë debate brenda politikës shqiptare dhe partenrëve ndërkombëtarë. Ju lutem mund të më thoni, këto ndryshime favorizojnë PS, PD, LSI apo opozitën e bashkuar në tërësi?

Kristaq Kume: Në ndryshimet kushtetuese trajtohen çështjet e zgjedhjeve dhe më pas, duke iu referuar marëveshjes së 14 Janarit, ato duhet të bëheshin nëpërmjet Këshillit Politik (KP). Ndryshimet kushtetuese pa marrë parasysh kërkesat e opozitës jashtë parlamentit, dëmtojnë ndjeshëm klimën politike pozitë-opozitë. Në një shoqëri demokratike ndryshimet në Kushtetutë mund dhe duhet të bëhen për të mirërregulluar funksionimin demokratik të shoqërisë, shumë më tepër se sa në varësi të situatës dhe interesit politik. Ndyshimet kushtetuese tashmë të bëra krijojnë kushte për funksionimin më të mirë të demokracisë përfaqësuese, por e vërteta është se ashtu si janë formuluar, ato favorizojnë maxhorancën. Ndryshimi i rregullit sipas të cilës zbatohet sistemi proporcional rajonal, Kushtetuta e ndryshuar nuk e detyron ndarjen në 12 njësi zgjedhore në territorin e Shqipërisë, kurse dispozita që mundëson hapjen e listave 100 %, për mendimin tim i shërben funksionimit më të mirë të demokracisë përfaqësuese. Heqja e koalicioneve parazgjedhore me shumë lista, zvogëlon hapësirat për vendmmarje për taktika elektorale që ndjekin partitë politike.

Bazuar në ndryshimet kushtetuese, në zgjedhjet e ardhshme, a do të aplikohet votim me listat e hapur 100 % dhe pse?

Kristaq Kume: Dispozita e re kushtetuese që rregullon problemin e hapjes së listave kërkon që partitë politike, me domosdo një pjesë të listës së tyre (jo me pak se 2/3 e listës) të jetë e hapur, ndërkohë partitë politike nëse e vendosin, mundet që listën ta hapin 100 %. Kjo zgjedhje e hapjes së listave tregon se vendimmarja për të hapur listat nuk është pasojë e reflektimit të plotë mbarë popullore, për t’i dhënë shoqërisë tonë mundësi që të zgjedhin përfaqësuesit e tyre te pëlqyer në Kuvend. Nëse partitë politike do të zbatojnë këtë dispozitë kushtetuese dhe nuk do të përdorin mundësitë që Kushtetuta u jep për të hapur listat 100 %, në Kuvendin e Shqipërisë nuk do të ketë më shumë se sa 20-25 deputete që do të marrin mandatin nga vota parapëlqyese e qytetarëve. Kërkesa për hapjen e listave është bërë nga pjesa jo politike e Shqipërisë dhe në mënyrë të vazhdueshme nuk është marrë në konsideratë nga partitë politike, për pasojë, mundësitë që partitë politike të hapin 100 % listat (gjë që ua lejon Kushtetuta), ka pak gjasa që të ndodhë që të realizohen.
Partnerët e PD që janë pjesë e opozitës së bashkuar si LSI, PAA, BDIU e të tjerat, çfarë humbin dhe çfarë fitojnë nga këto ndryshime kushtetuese?

Kristaq Kume: Në garën e ardhshme elektorale, në interesin e partive politike ndikojnë vetëm ndryshimet kushtetues që nuk lejon koalicionet me lista shumë partiake. Në veçanti ky ndikim do të jetë prezent nëse me ndryshimet kushtetuese me dakordësinë e palëve do të zvogëlojnë njësitë zgjedhore. Konkretisht, nga 12 njësi apo qarqe, mundet të bëhen më 3, më 4 ose më 5 njësi apo qarqe zgjedhore, kjo mundet t’i japë më shumë hapësirë opozitës. Partitë politike mundet të garojnë në koalicion parazgjedhor, por në këtë rast ato duhet ose të garojnë të gjitha me siglën e njërës prej tyre, për shembull me siglën e PD dhe në një listë të përbashkët, ose të gjitha partitë të regjistrohen në gjykatë në një parti të re e cila të futet në garën elektorale me listën e kandidatëve të partitë që do të jenë pjesë e kësaj partie. Në të dyja rastet siç kuptohet, partitë duke garuar në koalicion me formulën e një partie tjetër të re apo në një parti të madhe siç është PD-ja apo PS-ja, i vetmi difekt është se ato humbasin identitetin e siglës së tyre.

Prof. Kume, çfarë pret dhe çfarë pretendon opozita e bashkuar me rikthimin e saj në Këshillin Politik?

Kristaq Kume: Ndryshimet kushtetuese tashmë janë realitet. Mendoj se është e rëndësishme që palët politike të vazhdojnë diskutimet në tryezën e KP me qëllimin që opozita të fitojë më shumë terren përsa i përket koalicioneve parazgjedhore dhe votimi me lista të hapura 100 %. Tryeza në KP mundet të prodhojë dakordësi për zgjidhjet më të mira në Kodin Zgjedhor në plotësim të ndryshimeve të bëra në Kushtetutë më 30 Korrik. Këtu kamë parasysh përpjekjet që duhen bërë për të realizuar në mënyrë sa me efektive lejimin kushtetues për të garuar me lista të hapura dhe për të zvogëluar sa më shumë efektin jo proporcional që sjell ndalimi kushtetues me koalicione si ato që janë përdorur deri dje. Mundësitë që Kushtetuta e ndryshuar iu krijon aleternativa të reja politike për të hyrë në garë, duhet të trajtohen në KP, natyrisht me dashamirësinë e të mëdhenjve. Me dakordësinë e palëve, kjo bëhet mirë e mundshme duke zvogëluar numrin e njësive zgjedhore, nga 12 njësi në 3-4-5 njësi zgjedhore. Pavarësisht se ndryshimet kushtetuese të bëra janë konsideruar më shumë si veprime në funksione të interesit politik të maxhorancës, ato krijojnë kushte për të zhvilluar një legjislacion zgjedhor me dashamirës dhe më efektiv për demokracinë përfaqësuese. Që të arrihet kjo është e domosdoshme që, ndryshimet që tani duhet të bëhen në Kodin Zgjedhor, të jenë rezultat i vullnetit të mirë politik të maxhorancës dhe opozitës së bashkuar në KP.

Nga ndryshimet kushtetuese, kush parti e opozitës fiton terren më shumë, e kam fjalën për LSI?

Kristaq Kume: Ndryshimet kushtetuese i vlejnë të gjitha partive për garë të barabartë sepse zvogëlon mundësitë për të përfituar nga votat e të tjerëve, që mund të futen në kualicion parazgjedhor me lista të ndara. Nuk shikoj lidhje midis ndryshimit kushtetues dhe një partie politike të veçantë. Ndryshimet kushtetuese mundet të ndikojnë në garën midis PS dhe opozitës së bashkuar, sepse opozita e bashkuar nuk mund të garojë e gjitha bashkë ku çdo parti të ketë listat me kandidatët e tyre.

Prof. Kume, nga parite e vogla te koalicionit opozitar, kryesisht PAA dhe PDIU e të tjera, si e shikojnë vetveten nga ndryshimet kushtetuese të 30 Korrikut?

Kristaq Kume: PAA dhe PDIU mendoj se mundet të jenë më efektive bashkë duke u regjistruar me siglën e njërës prej tyre ose duke u regjistruar sëbashku në një parti politike të re. Mendoj se varianti i dyte është më produktiv për PAA dhe PDIU, që në realitet këto parti kanë peshë në opozitën e bashkuar.

Prof. Kume, PAA dhe BDIU si partitë me të madha ndër partitë e vogla, ku e kanë interesin e tyre për t’u bërë bashkë, në listat me PD, me LSI apo tërësisht më vete? Cilin variant rekomandoni ju?

Kristaq Kume: Mendoj se brenda opozitës së bashkuar PAA dhe BDIU kanë fuqi elektorale të mjaftueshëm, ndaj mendoj se ato kanë interes të garojnë të dyja sëbashku. Variant tjetër është që këto dy parti të garojnë me listat e PD, por problem ngelet identiteti i tyre.

Tashme PS është përpara një presioni të madh nga ndërkombëtarët të cilët reaguan ashpër për votimin e njëanshëm për ndryshimet kushtetuese. Nisur nga këto presione, a mendoni se Rama dhe partia e tij do të pranojë kërkesat e opozitës për lista të hapura 100 % dhe për koalicione parazgjedhore?

Kristaq Kume: Duke u nisur nga ndryshimet kushtetues më 30 Korrik, ato ndryshojnë konceptin e koalicioneve parazgjedhore. Partitë politike nuk mund të garojnë sabashku në një koalicion duke patur secila siglën dhe listën e kandidatëve të tyre. Ndërsa listat e hapura janë në tagrin dhe vullnetin e partive politike që janë pjesë e diskutimeve dhe debateve në KP. Të shikojmë nëse palët do të bien dakord apo jo për të vendosur në kod dispozitën e cila do t’i kërkoi partive politike që të hapin 100 % listat, siç ka kërkuar opozita e bashkuar jashtë parlamentit.

 

Please follow and like us: