Albspirit

Media/News/Publishing

‘Miss Shqipëria 2020’, Iljada Baci: Kurora e femrës më të hijshme të hap rrugë të reja

 

 

Intervistoi Era Cela

 

Thonë që bukuria është dhuratë e Zotit, por bukuria e stilit, e harmonisë, e dashurisë e hijeshisë varen nga thjeshtësia që njeriu përcjell. ljada Baci prej të dielës që lamë pas është femra më e bukura e Shqipërisë. Edhe pse vetëm 16-vjeç Iljada, me origjine nga Erseka, arriti të ‘rrëmbejë’ kurorën mes 26 konkurrenteve në një spektakël të mbushur me emocion që u zhvilluar tek Shtëpia e Kongresit të Lushnjes. Bukuroshja 16-vjeçare qe u kurorëzua “Miss Shqipëria 2020” në nje  intervistë për mediat tregon ndjesitë që përjetoi gjatë momentit të përzgjedhjes si më e bukura, si dhe rrugetimin e ri që pritet të fillojë shumë shpejt. Vajza që Zoti e ka përkëdhelur me plotë të mira na tregoi se përpos së bukurës, tek ajo mbizotëron dhe ndjeshmëria e thellë për njerëzit dhe kafshët. Premtuese për televizionin, bukuroshja dëshiron që të bëhet një yll ekrani, ashtu sikurse është në jetë. Gjatë intervistës Iljada do të na flasë për eksperiencën në ‘Miss Shqipëria’ dhe cilat janë synimet e saj pas titullit “Më e bukura e Shqipërisë”. Iljada thotë se këtë trofe ka dëshirë që t’ia dedikoj gjyshit të saj Iljazit, i cili ka humbur jetë pak kohë më parë.

Për të gjithë publikun kush është Iljada Baci?

Unë kam lindur dhe jam rritur deri në moshën 4-vjeçare në qytetin e bukur të Ersekës dhe pjesën tjetër në Tiranë. Kam qenë ajo vajza me syze që studioja shumë dhe lexoja libra, sidomos në gjuhën angleze. Isha rritur në një familje me kopjen se librat dhe studimet kishin shumë përparësi. Por prindërit e mi duke parë një vajzë që kërcente dhe këndonte nëpër shtëpi më kanë çuar të merrja mësime baleti dhe muzike. Frika se ndoshta ndonjëherë mund të merrja 9 në shkollë ka qënë e vetmja, jo se do kritikohesha nga prindërit, por nuk doja kurrë të thyeja besimin e tyre që kishin ndaj meje. Më kanë shtytur të provoja eksperienca të bukura edhe kur isha e ngarkuar me provime.

Pak kohë më parë je zgjedhur ‘Miss Shqipëria’; më trego pak si e përjetoi një 16-vjeçare momentin kur dëgjoi emrin se do të mbante kurorën e vajzës më të bukur shqiptare?

Nuk e kisha ushqyer veten asnjëherë me mendimin se do merrja ndonjë çmim dhe sidomos çmimin e parë. Doja të merrja sa më shumë kujtime nga ajo eksperiencë e shkurtër, të njihja njerëz të rinj dhe ta shijoja sa më shumë. Falë stafit dhe punës së rrept të tyre, por dhe këshillave dhe kritikave të familjes sidomos të vëllait tim punova fort gjatë periudhës një mujore të përgatitjes për natën finale të spektaklit. Dhe përfundimi u shpërbleva me dy çmimet më të rëndësishme si vajza më e votuar si nga publiku edhe nga juria. Është një emocion që nuk kam për ta harruar kurrë.

Çtë thotë për ty të përfaqësosh Shqipërinë si vajza më e bukur?

Është sa e bukur, po aq e vështirë të përfaqësosh një komb. Nga njëra anë të hapen rrugë të reja dhe jeta të mer kthesa që nuk i ke menduar kurrë më parë. Por nga ana tjetër të mbash kurorën e më të bukurës shqiptare të ngarkon me një përgjegjësi të madhe dhe angazhime të shumta; nuk je më ajo vajza e thjeshtë që lirinë tënde dhe hapësirat e tua i mbush me çfarë të duash.

E prisje fitoren?

E përmenda edhe më sipër nuk isha aspak e përgatitur, por mendoj se çdo gjë ndodh për nje arsye dhe jam mirënjohëse për gjithçka.

Çfarë iu shtyhu që të merrnit pjesë në spektaklin “Miss Shqipëria”?

Këmbëngulja e fortë e mamit tim. Mënyra se si i shtronte argumentat më bindi mua, por dhe babin sepse edhe ai ishte në dilemë nëse do donte që  unë të bëhesha pjesë e këtij kompeticioni, bëri që unë në minutat e fundit të vendos dhe te aplikoj në fazën e parë. Pasi kalova edhe fazën e dytë përfundimisht u pranova si pjesëmarrëse e këtij kopeticioni të mrekullueshëm.

Në kompeticione të tilla ndihet dhe rivaliteti. Sa e ke ndjerë ti atë?

Kam kaluar shumë mirë me të gjitha vajzat, ishin të bukura brenda dhe jashtë, asnjëherë nuk pamë njëra-tjetrën si rivale, këtë e reflektoj dhe nata finale. Kisha nga ato vajza që u gëzuan dhe thirrën fortë kur dëgjuan emrin tim. Vazhdojmë të jemi të lidhura shumë akoma dhe po organizojmë të kalojmë disa ditë pushimesh së bashku. Më ka marrë malli shumë për ato ditë dhe vajzat çdo ditë e më mungojnë më shumë. Kam bindjen se me një pjesë të mirë të vajzave që u lidha edhe më fortë do të jetë një miqësi që vazhdoj gjatë.

Sa të rëndësishme janë pasarelat e bukurise për Iljadën?

Pasarelat dhe çdo gjë që ka të bëjë me fushën e modës janë tashmë pjesë e planeve të mia afatgjatë për të arritur majat e tregut ndërkombëtar. E di nuk është e lehtë dhe më duhet të bëj akoma shumë punë, por do përpiqem fort ta realizoj.

Cilat janë pasionet e Iljadës?

Më pëlqen shumë çdo gë që ka të bëj me botën e artit dhe do t’i përmirësoj çdo ditë pianon, këngën, pikturën, kërcimin, pse jo?! Janë pasione që të largojnë nga stresi dhe bota e errët. Kafshët janë një lidhje e fortë dhe dua në të ardhmen të bëj shumë për këto krijesa të bukura dhe të pafajshme. Por nga të gjitha këto do të veçoja të jem prezente dhe të bëj sa më shumë njerëz me shpresë që jo çdo kush i ka harruar për t’u dhënë një dorë. E di e vetme nuk bëj dot mrekulli tek kjo shtresë në nevojë, por mendoj se duke bërë çdo kush nga pak, u lehtësojmë sado pak vështirësitë e jetës. Do të jetë gjithmon në prioritetet e mia njerëzit e braktisur, fëmijë apo moshat e treta që kanë nevoj mbi të gjitha për ngrohetësinë e dikujt.

Për çfarë nuk do të dorëzoheshe kurrë?

Për të përmbushur ëndrrat e mia do bëja shumë punë dhe sakrificë pavarësisht kohës dhe lodhjes që do të ketë. Çdo dëshirë që kam përmendur më sipër ato që do t’i dua fort dhe më bëjnë të ndihem e plotësuar pavarësisht pengesave që do të kem nuk kam për t’u dorëzuar kurrë.

Tanimë që mban kurorën e së bukurës priten dhe oferta nga më të ndyshmet çfar synon Iljada?

Për shkak të ngarkesës që do të kem nga shtatori e në vazhdim duke qënë se do të përgatitem edhe për ‘Miss Globe’, studimet për vitin shkollor, por nisur dhe nga fakti që mosha ime nuk do të favorizonte çdo lloj oferte do të doja shumë një ofertë për ndonjë emision televiziv. E theksoj është një botë që më ka rrëmbyer tashmë dhe do të doja ta eksploroja këtë botë të panjohur dhe besoj që do e bëj më së miri.

Ke menduar për pushimet, cili do të jetë destinacioni që do të zgjedhësh?

Zakonisht organizohemi herët për pushime duke qënë se unë pushoj akoma me familjen për shkak të moshës. Mirëpo këtë vit, për shkak të mbylljes së kufinjve dhe siç rrodhën gjërat, destinacioni ynë do të jetë Jugu dhe kryesisht Saranda. Edhe kur organizohemi për pushime jashtë Shqipërisë prej më shumë se 10 vite kemi kaluar një pjesë të mirë të pushimeve në jug edhe sidomos në Sarandë, vend i cili më pëlqen më shumë se resortet jashtë vendit.

Çfarë nuk mungon kurrë në çantën tënde?

Telefoni, kremi i diellit dhe syzet nuk mungojnë kurrë, çdo gjë tjetër që gjendet në çantë janë sende personale që varen rast pas rasti.

Merresh me sport dhe nëse po cili është sporti juaj i preferuar?

Jo nuk merrem me ndonjë sport specifik. Noti më pëlqen shumë dhe shkoj ndonjëherë edhe në pishina dimërore, por nuk e quaj sport të mirëfilltë nga mënyra se si unë e trajtoj, duke qënë se e kam më shumë hobi.

Meqënëse je vetëm 16 vjeçe ke menduar për çfarë do studiosh?

Para se të ndodhte kjo mrekulli, siç e quaj unë, kisha menduar të studioja për mjekësi si xhaxhai im ose për shkencat kompjuterike si vëllai im dhe të studjoj në një nga shkollat e ‘Ivy League’.

Dhe së fundmi, kujt ia dedikon këtë sukses?

Padyshim që ky trofe i dedikohet disa njerëzve pa të cilët nuk do ishte i mundur. Stafit të mrekullueshëm dhe të palodhshëm, familjes sime të madhe për mbështetjen dhe kurajon që më dhanë, prindërve të mi dhe sidomos këmbënguljes dhe besimit të vëllait që më thosh çdo ditë që mund t’ia dilja duke punuar fort për të dhënë më të mirën. Po shrytëzoj mundësinë për t’i falenderuar duke e nisur nga mami që u bë shkaku për të marrë pjesë në këtë përvojë të paharrueshme, babin që më fali shumë dashuri gjatë këtyre ditëve të lodhshme, stafit që punoi me orë pafund, me durim, përkushtim dhe përgjëgjësi dhe kushte shumë të vështira për shkak të situatës. Falenderimi më i veçantë i takon vëllait tim që më këshillat dhe besimin që më rriti për të dhënë maksimumin tim përtej modestisë, dua të them që edhe puna ime ka qënë e jashtëzakonshme. Të gjitha këta njerëz ndikuan shumë që unë të punoja fort dhe realisht u transformova shumë brenda një muaji. Do të shfrytëzoj mundësinë e artë që ju në dhatë për këtë intervistë për të thënë se para pak kohësh unë humba një nga gjyshërit e mi që më rriti dhe që kishim një lidhje të veçantë. Gjëja e parë që më shkoj nëpër mend atë natë kur fitova çmimin si ‘Miss Shqipëria’ ishte sikur gjyshi Iljazi të jetonte dhe të përjetonte këto emocione. Mburrej gjithmonë për çdo arritje timen. Prandaj këtë trofe do doja t’ia dedikoja edhe gjysh Iljazit.

Faleminderit Era Cela!

 

Please follow and like us: