Albspirit

Media/News/Publishing

EKSKLUZIVE ME MBRETËRESHËN GERALDINË PËR PARIS-MIDI, 1938: DËSHIROJ TË KUJDESEM MBI TË GJITHA PËR GRATË DHE FËMIJËT E VENDIT TIM TË RI

Nga Aurenc Bebja*, Francë.

 

“Paris-Midi” ka botuar të martën e 26 prillit 1938, në ballinë, intervistën ekskluzive të korrespondetit të saj me mbretëreshën e ardhshme të Shqipërisë, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

 

“Unë dëshiroj të kujdesem mbi të gjitha për gratë dhe fëmijët e vendit tim të ri”… na rrëfen kontesha Apponyi, Mbretëresha e ardhshme e Shqipërisë.

 (Nga korrespondenti ynë i veçantë).

 Tiranë, 26 Prill.

 Në shoqërinë e gazetarëve hungarezë, të vetmit që ishin lejuar ta vizitonin atë, unë u prita nga kontesha Apponyi, e cila, nesër, do të jetë mbretëresha e shqiptarëve. Z. Libohova, Ministër i Punëve të Jashtme, mori pjesë në këtë takim.

Jashtë, para një turme fëmijësh piktoreskë, qindra ushtarë po bënin ushtrime, duke përgatitur kështu paradën e madhe ushtarake që do t’i paraprijë ceremonisë së martesës.

Përpara vilës simpatike ku banon kontesha, ushtarë të tjerë qëndronin roje. Mbretëresha e ardhshme na priti në një sallon të ndriçuar nga rrezet e diellit, me muret ngjyrë bezhë, ku kolltuqet e mbuluara nga një pëlhurë e errët blu, ishin të stilit puro anglez.

Me një qasje të lehtë, flokët platin, e qeshur dhe e freskët, pavarësisht lodhjes dhe tensionit të ditëve të fundit – përgatitjet për ceremoninë e dasmës, provat, vizitat, leximi i një sasie të madhe korrieri – kontesha shfaqet:

“— Unë jam e lumtur për simpatinë që më kanë manifestuar; populli shqiptar, me të vërtetë, më bën të ndihem mirë; por ajo që më pëlqen më së shumti është të shoh se sa i ngjan popullit hungarez. E njoh historinë e tij shumë mirë…

Puna ime e re si mbretëreshë? Nuk më frikëson aspak, madje as të gjitha detyrimet që ajo përfshin dhe për të cilat tani jam e përgatitur mirë: dua të punoj për lumturinë e popullit që më mirëpriti me kaq dashuri. Por veprimtaria e një mbretëreshë duhet të jetë veçanërisht femërore: më së shumti dua të kujdesem për gratë dhe fëmijët e vendit tim të ri; Me pak fjalë, dua të jem për popullin shqiptar, ashtu siç ishte mbretëresha Elizabet për popullin hungarez”. — Aigner

 

https://www.darsiani.com/la-gazette/intervista-ekskluzive-e-mbretereshes-geraldine-per-paris-midi-1938-une-deshiroj-te-kujdesem-mbi-te-gjitha-per-grate-dhe-femijet-e-vendit-tim-te-ri/

Please follow and like us: