Albspirit

Media/News/Publishing

Bardhyl Berberi: Politika tek ne si tregu i ‘Gabit’

Bardhyl Berberi

Është një hapësirë apo një vend ku njerëzit shkojnë për të shitur dhe për të blerë mallra të përdorura që tek ne njihet si ‘Gabi’, dyqani i rrobave të përdorura. Ka disa lloje tregjesh, kështu varësisht prej madhësisë së tyre ka tregje të vogla, të mesme dhe të mëdha apo edhe varësisht se çfarë shet apo dhe blen në to egzistojnë tregje pemësh e perimesh, tregje kafshèsh, tregje makinash si dhe tregje të përziera.

Prej disa kohësh është një treg shumë i rëndësishëm, tregu ku blihen dhe shiteshin mallra të ndryshme me shumicë, ndryshe i njohur si ‘Tregu i Gabit’. Ky vend për shitblerje është i preferuar  për ne shqiptarët për shkak edhe të varfërisë.  Mirëpo ka filluar një treg tjetër, që ia kalon ‘Gabit’ nga shitjeblerjet. Vitet e fundit këtu u rrit dhe u zhvillua një treg tjetër tanimë i njohur si ‘Tregu politik’. Ky i fundit ka marrë shumë hov sa që të gjitha tregjet e tjera kanë rënë nën hijen e tij. Të shohim se çfarë bëhet në këtë megatreg. Pra në tregun politik elitat politike i shesin dhe i blejnë interesat politike. Aty gjithashtu shiten dhe blihen fate njerëzore, por edhe njerëzit në tërësi. Mund të gdhihesh papritur deputet…

Pazari politik varësisht nga rrethanat dhe kushtet është shumë i shtrenjtë, mesatarisht i shtrenjtë dhe shumë i lirë. Në tregun e madh politik në Shqipëri subjektet politike i kanë punët apo dhe rolet e ndara. Çfarë shesin më së shumti politikanët e pangopur dhe të korruptuar shqiptarë janë në radhë të parë interesat kombëtare e me këtë rast edhe vetë kombin: detin, tokën, pasuritë minerale, naftën, pyjet  madje pa iu dridhur qerpiku. Meqë këto gjëra ata i konsiderojnë si prona të tyret sapo hipin në një karrike edhe pse nuk mund ta meritojnë, gjithçka e bëjnë me kokën e tyre, pa e pyetur askënd, madje as vetë popullin shqiptar edhe pse këta janë të detyruar që ta pyesin atë sepse Atdheu është pronari suprem dhe absolut i interesave të veta dhe jo politikanët shqiptarë.

Mirëpo këto mostra i kanë përvetësuar interesat e kombit dhe vet kombin dhe me këtë rast këta në vend që t’i ruajnë me xhelozi, i shesin interesat e kombit sa herë që t’u teket atyre ta bëjnë një gjë të tillë. Dhe prej këtij transaksioni të paligjshëm përfitojnë vetëm politikanët hajdutë dhe shqiptarët e kombi përherë mbetet me ‘gishta në gojë’. Eh, sa lehtë është të shesësh astet e vendit tënd për të mbushur kuletën. Ndërsa interesat kombëtare shqiptarët i kanë fituar me shumë mund, vështirësi, sfida të shumta e me plot gjak dhe plot sakrifica sublime.

Funksionimi i tregut të madh politik i ka vënë në rrezik proceset  demokratike jo vetëm tek ne, por edhe në shtetet e rajonit të Ballkanit. Kur jemi te pazari politik aktualisht politikanët vendorë janë duke bërë pazare edhe me përzgjedhjen e një kandidati për kryetar bashkie që ta kenë në sqetull që të vjedhin dhe të shtojnë llogaritë bankare. Dhe për çfarë zgjedhjesh të lira dhe demokratike mund të flitet në një vend kur elitat politike në një proces marrëveshjesh të fshehta ku nuk kanë në qendër ineresat personale për shitblerje duke caktuar ndonjë kandidat të mundëshëm në ndarjen e zonave. Flitet nën zë për pazaremidis dy partive të mëdha kjo do t’i lerë këtë zonë dhe ajo do t’i lerë zonën tjetër?

Prandaj, urgjentisht duhet të mbyllet tregu i madh politik në Shqipëri sepse ai është shumë i dëmshëm dhe i rrezikshëm për subjektivitetin apo dhe sovranitetin politik të qytetarëve. Ai nuk ju lë atyre hapësirë procesit të mirëfillt demokratik ku qytetarët do të kenë mundësi të përzgjedhjes së kandidatëve të mundshëm për deputetë. Dhe nëse vërtet do të jenë listat e hapura do të shikoni se çfarë do t’iu punojë populli këtyre drejtuesve të partive politike. Besoj se njerëzit janë ngopur me mbroçkulla dhe do të zgjedhin nga lista e të majtëve dhe të djathtët më të mirët. E thënë troç do të zgjedhin njeriun e përshtatëshëm pavarësisht se çfarë bluze të kujt partie ai ka veshur.

Prandaj duhet t’u mundësohet përmes një gare të mirëfilltë demokratike kandidati të zgjidhet nga baza jo ta zgjedhi kryetari i partisë; kandidatët i njeh baza atje ku punojnë të marrin pjesë në zgjedhje dhe të fitojë vetëm se ai kandidat për të cilin qytetarët vlersojnë dhe konsiderojnë se është më i miri e më i përshtatshmi për ta.

Është koha që politikanët ta kuptojnë rolin dhe pozicionin real të tyre e jo të sillen si padronë. Baza e di mirë se kush ka diplomë dhe ka qënë bashkë në fakultet dhe kush e ka të blerë diplomën se po na hipin në karriket e mëdhaja të qeverisë apo bashkisë njerëz me mëndje të vockla…

Hiqnin dorë urgjent nga ky treg ‘Gabi’ dhe në politikë sepse në këto 30 vjet demokraci e kini lënë Shqipërinë si ajo shtëpia për të lyer me plaçka të ngritura asnjëherë e shtruar. Në këto vite të paditurit na kanë shitur dituri dhe të pandershmit kanë ndarë drejtësi. Ky është fakt dhe e dinë të gjithë.

E pra që të ekzistojë demokracia e vërtetë dhe të prishi këtë tregun e gabit, askush nuk duhet të jetë aq i pasur sa të blejë dikë tjetër dhe askush nuk mund të jetë aq i varfër sa për t’u shitur. Në pamje të parë kjo duket një utopi, por realisht është më mirë të fitosh me parime se sa të humbish me gënjeshtra…

Po a ka njerëz të aftë dhe të zot që të vijnë në parlament dhe të drejtojnë bashki? Sigurisht që ka intelektualët e zot të këtij vendin janë si ato pemët e larta që iu bëjnë hije të tjerëve dhe vetë përvëlohen në diell. Si ka mundësi që as kujtesa historike nuk arrin të ndryshojë njerëzimin, atëherë për çfarë na duhet kujtesa historike? Ne sjellim gjithmonë në pushtet njerëz që na kanë zhgënjyer për 30 vjet dhe prap sytë i mbajmë tek ata dhe i vendosim nëpër lista…

E thënë troç ka ardhur koha për të vendosur ca kufij përtej të cilëve budallallëku duhet të kontrollohet. Durimi po na sos kur vemë re që injoranca e drejtuesve të partive nuk ka fund asnjëherë. Sado ta kritikojmë këtë demokracinë tonë 30-vjeçare faktet dhe skandalet në këto 30 vjet janë shumë më të vogla nga ato që kanë ndodhur në të vërtetë. Ata që e quajnë veten të kulturuar duhet të reagojnë kundër çdo gjëje që ofendon dinjitetin dhe ndërgjegjen, përndryshe kultura nuk shërben për asgjë kur durojmë mbi kokë kunguj  që na çojnë jetën dëm duke na çuar drejt greminës…

 

 

Please follow and like us: