Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: “Pse-në” nuk e ka gjetur as Sterio Spassja

Dje ishte 106-vjetori i lindjes së Sterio Spases (1914-1989)

Sterjo Spasse është një nga autorët më në zë në letrat shqipe pas viteve 30, me kontribute të spikatura. Romani “Pse?”, i shkruar prej tij në vitin 1935, mbahet si romani i parë filozofik i shkruar në Shqipëri, duke u larguar nga tematika e zakonshme romanore e kohës për të shenjuar një tipologji të re të rrëfimit në historinë e romanit shqip, duke e shpënë llojin letrar drejt modernizmit .

Spasse mbeti një prozator emblematik, tipi i autorëve që me ndërtimet politike iu përshtatën kërkesave estetike të realizmit socialist, por pa humbur cilësinë dhe forcën e artit.
Në kujtimet e Kadaresë ai është shkrimtari tipik dekadent i viteve ’30, lloji i shkrimtarëve të brezit të humbur, në librat e të cilëve jepen personazhe pa rrugëdalje që vdesin a vetëvriten, përshkruhen gjendje me psikologji të rënduar e me frymë pesimiste..
Ky shkrimtar shqiptar dekadent ishte një kuriozitet ekzotik midis kolegëve të tij komunistë më Institutin e Shkrimtarëve Maksim Gorki, në Moskën e viteve ’60 .

Spasse mbahet mend si njeri shumë miqësor. Shtëpia e tij te Rruga e Kavajës, pas Kishës Katolike, ishte vendi ku gjeje shkrimtarë nga të gjitha moshat, drejtimet dhe brezat. Mikpritja, stili i thjeshtë pa distancë i Spasseve afronte dhe shkrimtarë si Mitrush Kuteli, Mustafa Greblleshi, Nonda Bulkën e Petro Markon, Vedat Kokona, poetin Nexhat Hakiu, gjuhëtarë si prof. Mahir Domi, prof. Jup Kastrati… që vinin nga vitet ’30. Me nje kafe, raki a gotë verë Prespe gjeje aty Fatmir Gjatën, Llazar Siliqin, Nasho Jorgaqin, Dhimitër Xhuvanin, I. Kadarenë, prof. Ziaudin Kodrën, por dhe të tjerë të moshës së fëmijve të tij.

Me korpusin e romaneve të tij me temë nga historia e Rilindjes shqiptare Sterio Spasse e përtëriu poetikën e prozës së tij, duke mbetur një prozator me kreativitet të spikatur.

Shënim:
Në Tiranën e viteve ’50-’60, atij që mundohej të gjente “Pse-në”, “”pse e pse më ndodhi kështu?”, ia kthenin me një batutë:
– Pse-në nuk e ka gjetur as Sterio Spassja.

(Foto ne ditën e inagurimit të bustit të Sterio Spases, 14 gusht 2014, me rastin e 100-vjetorit të lindjes, në fshatin e lindjes në Gollomboç, në breg të liqenit të Prespës).

Please follow and like us: