Albspirit

Media/News/Publishing

DJEMTË E KARBUNARIT QË SHKRUAN HISTORI ME PUSHKË E DITURI

(Kushtuar bijëve të fisit Bejaj të Karbunarit të Vlorës, që jetën e shkrinë për lirinë e Atdheut)

Xhevat Zenjelaj dhe Dr. Ëngjëllush Avdulaj

 

Vend i trimërisë i mëkuar në breza për Atdhenë

E gjithë hapësira shqiptare është vendi i bekuar i trimërisë, vendi që njerëzit, bëjnë benë: “për kokë të Mëmëdheut”! Po, kjo është e vërtetë, sepse Mëmëdhenë sikurse pohonte Seneka, njerëzit e duan jo se është i madh, por sepse është i tyre. Mëmëdheu ishte dje nëpër shekuj, ishte në periudhat antitanzimat, që njerëzit në Karbunar, por dhe në gjithë Labërinë, Mallakastër e gjithë Arbërinë i mbajnë në kujtesë të rënët për kombin, por edhe në kohën e Lidhjes Shqiptare te Prizrenit, në luftrat për liri e pavarësi, në kohën e Pavarësisë së 1912-ës, si dhe më tej në epopenë luftarake të 1920-ës, kur vendosej fati tragjik i Atdheut, në Luftën e Madhe Antifashiste Nacionalçlirimtare (1939-1944), që populli ynë zhvilloi gjatë Luftës së Dytë Botërore kundër pushtuesve nazifashistë, që faktikisht ka hyrë në historinë e Shqipërisë dhe do të mbetet gjithmonë si një nga epopetë më të lavdishme të atdhedashurisë.

Populli shqiptar zhvilloi një antifashizëm masiv popullor, duke u bërë pjesë e antifashizmit botëror. Lufta e partizanëve shqiptarë, të kombit shqiptar në epopenë e kësaj lufte, i bëjnë nder Shqipërisë sepse lufta ngjalli guxim emancipues, kurajo qytetare, optimizëm, shpresë, vendosmëri në ndjekjen e qëllimit pa marë parasysh asnjë çmim, e mbi të gjitha asnjë cmim gjaku. Në krye ishte rinia, që luftoi me tërë vrullin dhe entuziazmin e moshës, të rinj, ndoshta të mitur, jetën e kishin të shenjtë, por më të shenjtë kishin Atdheun.

Kështu ndodhte në Karbunar, kështu edhe në gjithë Labërinë, kështu edhe në gjithë Shqipërinë. E donin këtë vend dhe nuk munguan të paguanin çmimin më të lartë, jetën, gjënë më sublime që ata e falën për Atdheun. Ishin gjithë shqiptarët që e rrënuan dhe e shëmbën të vjetrën, për të ngritur madhërisht flamurin e kuq të vllaznimit, të kulturës e prosperitetit, sepse mbi të gjitha ishte fjala: “Atdhe!”, vendi i krenarisë dhe mburrjes stërgjyshërore. “Kushtrimi i Lirisë”, ishte kushtrim i britmës për clirim, prandaj bijtë e bijat shqiptare kishin dhe kanë një ideal, të jetonin të lirë dhe për këtë liri cmimi ka qenë sfida e të jetuarit të lirë.

Sa herë rrokën pushkët me vendosmëri djemtë e Karbunarit me shkrehjen “O Shqipëri, o gur e hi!” e hedhur që në Luftën e Vlorës dhe e mbrojtur me gjak, djersë, mencuri, trimëri e besë brez pas brezi, Prandaj jeta lulëzoi dhe kishte e ka vlerë sepse trimat që derdhën gjakun për atdhe janë në faktë mbijetesa më gjallore e kombit, që e shtyn kombin përpara të eci sepse në rrënjët e shqiptarizmës dhe lirisë është gjaku i dëshmorëve. Prandaj për këtë rast do flasim dhe hedhim dritë për një fis që i bën nder fshatit Karbunar, por edhe më gjerë gjithë trevës Vlonjate dhe gjithë Labërisë, për fisin e nderuar Bejaj, që shuhet për atdhetari dhe e pason atë brez pas brezi, duke qenë të denjë si familje atdhetare.

Karbunari historik- gjeneza e krenarisë në breza

Për këdo të shkruash në Karbunar, dashje pa dashje do t’i hysh në hak, sepse nuk mund të jesh në gjendje të arrishtë përshkruash tërë gjenezën dhe bëmat e fisit dhe pjesëtarëve të tyre nga lashtësia e deri sot. Me origjinë të përbashkët prej 13 brezash lagjet “Dushaj” e “Brushkaj” kanë pasur një të parë, Muhametin, ardhur nga Kardhiqi i Gjirokastrës në Karbunar rreth viteve 1620–1640. Mbiemri i parë i tyre ishte “Muhametaj”. “Bejajt” janë një nga tre fiset përbërëse të Brushkajve (Bazaj, Manaj e Bejaj). Ata kanë qenë dhe janë fis punëtor, sedërlinj, mikpritës e të zot për bujqësi, blegtori. Në kohët e reja, si gjithë të tjerët, dallohen edhe për arsimim e kulturë në fusha e sektor të ndryshëm. Karakteristikë e botës shpirtërore të tyre ka qenë dhe është atdhedashuria dhe përkushtimi i përhershëm për çështjen kombëtare. Kur shpërthyen kryengritjet antiosmane të viteve 1840–1850, si tërë vendi, edhe fshati ynë rroku shpata e dyfekë për luftë kundër zaptuesit shekullor. Nën komandën e Zeqo Xhafo Karbunarit, u organizua çetë më vete me 42 luftëtarë. Mori pjesë në luftimet e udhëhequra nga prijësi popullor, Rrapo Hekali, më 24 korrik deri 1 gusht 1847, në zonën Berat–Mallakastër. Në këtë formacion u radhitën edhe tre trima të këtij fisi; Banush, Hasan e Serjan Bejaj, që luftuan denjësisht krahas vëllezërve të tyre. Populli i krahinës ngjarjen e kësaj periudhe historike dhe çetat që luftuani përjetësoi edhe me këngë, të cilën na e sjell të freskët në librin e tij “Hekali në Histori” studiuesi Hajdar Sulaj.

“Mos u tut moj Mallakastër, / Prije shpatën për bejlerë./ Labëria është me juve, / Nga një pushkë për çdo derë./ Zeqo Xhafo Karbunari, / Si komshi erdhi i pari, / Ndezur si flakë zjarri,/ Çet’ e tij gur stërralli.”

Po kështu edhe në luftën dhe përpjekjet e mbarë popullit për Pavarësi, Bejajt, krahas bashkëfshatarëve të tjerë nuk e veçuan veten, përkundrazi. Epope më vete bënë trimat “firarë”; Pelivan e Shefit Selfo Bejaj. Ngjarje kjo, që u dha emër dhe nder, vetë atyre, fisit, fshatit, por edhe atdheut, sepse ishte përpjekje dhe ballafaqim i drejtpërdrejtë me egon poshtëruese të pushtuesit të huaj. Fitoi trimëria dhe sedra shqiptare, bravo trimave të Bejajve. Përjetë do t’u këndohet kënga e përmendet emri i tyre lavdiplotë.

Më 1918 në Karbunar mori dhenë një ndodhi. Si ngjau që trimëria individuale për hakmarrje u lartësua në akt atdhetar me ngjyrim heroik dhe u mbyll me tragjedi?Dy djem të rinj: Pelivani e Shefiti – bijtë e Selfos, nga ky fis në lagjen Brushkaj – kishin rënë në hasmëri të dyfishtë: dhe në Karbunar, dhe në Rromës. Për t’i kapur e arrestuar qe ngarkuar një grup xhandarësh shqiptarë të komanduar nga Tahir Myftari. Ndjekja vazhdoi gjatë dhe u bë e rrezikshme, sidomos në këtë zonë ku kishte përqendrim trupash italiane. Djemtë qenë trima e të shkathët e ruheshin mirë. Komanda italiane ngarkoi një nënoficer (mareshal në italisht) dhe mjaft karabinierë për t’i ndjekur e kapur. Duke përdorur lloj-lloj dredhish, ndjekësit pas një kohe të gjatë arritën t’i diktojnë dy “firarët”. Një natë, shtëpinë e tyre nga të gjitha anët e rrethuan dhjetëra karabinierë e xhandarë. U bënë thirrje për t’u dorëzuar, veprim që dukej i pamundur. Herët në mëngjes filloi shkëmbimi i zjarrit. Për t’i mbajtur sa më larg rrethuesit, Pelivani me Shefitin nuk reshtnin së shtëni. Pasi dyluftimi vazhdoi gjatë marshalli italian gjen momentin dhe dërgon një plakë, nënën e Baxhul Xhaferit, Zaidenë, t’i thoshte Shefitit – ky njihej për më trim – që “po të ishte i zoti, të dilte në shkallë dhe të mateshin një për një”. Me t’u larguar plaka që “solli ftesën”, Shefiti nuk priti më. Sapo doli në shkallë, shtinë të dy njëherësh kundër njëri-tjetrit. Plumbi i marshallit shkoi në hava, ndërkohë që trimi karbunaras e qëlloi armikun në lule të ballit… dhe ra marshalli sa gjatë gjerëtek lesa e avllisë.

Rrethuesit u stepën, por lufta nuk pushoi. Me intriga e premtime arritën t’i mbushnin mendjen Pelivanit, i cili u dorëzua. Mbetur i vetëm, Shefiti mendoi të shfrytëzonte afrimin e mbrëmjes për t’i shpëtuar rrethimit. Bëri një manovër të hollë: me “Mauzerin” e tij vazhdoi të qëllonte e motra – sikur brenda ishte vetë Shefiti – në të vërtetë ky kishte dalë nga mbrapa shtëpisë dhe përpiqej të gjente shteg. Funksionoi deri në një çast, por, gati në të dalë të rrethimit, e goditën. U plagos rëndë në këmbë, pastaj e kapën. Ditën e nesërme të dy vëllezërit i shpunë lidhur në Vlorë. Shefiti u dënua me vdekje. Në çastet e fundit kaporali i skuadrës së pushkatimit e urdhëroi: “Ktheu prapa!”.  Shefiti iu përgjigj i vendosur: “Nuk vritet shqiptari pas shpine, por në ballë. Kështu e mbyll historinë e tij ky trim. Pelivanit iu dha dënim me burgim afat të gjatë në Itali, prej nga nuk u kthye gjallë. Qëndrimin e këtyre bijve fshati e përjetësoi në këngë: “Proto gusht a vjesht`e parë,/ – Ku do veç more Marshall?/ – Do vete në Karbunar,/ Do zëte nja dy firarë:/ Një Shefit, një Pelivan!/ – Pa dil ti marshall mënjan,/ Të shoç` Shefit Karbunarë,/ Që ta jep plumbin në ballë!,/ Marshalli ç’u shtri në shkallë.

 

Në Luftën e 20-ës Karbunari dërgoi 40 luftëtarë. Edhe Bejajt nuk e mënjanuan veten e tyre. Meço Banush Bejaj ishte njëri nga ata që luftuan pushtuesin, fituan mbi të dhe u kthyen me nder në vatrën e tyre së bashku me vëllezërit e tjerë të çetës së fshatit.

Lufta mbarë popullore Nacionalçlirimtare do të ishte një sprovë e jashtëzakonshme për komunitetin tonë që angazhoi në të 45 trima me armë në dorë. Këtu e gjetën edhe për bijtë sypatrembur e sedërlinj të këtij fisi. I mëkuar që foshnjë me ndjenjën e sakrificës për atdheun dhe kombin në shpirtin njomzak të Sabri Pelivan Bejajt ziente zjarri i urrejtjes ndaj pushtuesit dhe për hakmarrje ndaj tij. Aq më shumë që 20 vjet më parë po ky hasmë i kishte vrarë babanë dhe xhaxhanë e tij. Lindi më 1915 te shtëpia e Barjam Maskës, gjyshit nga nëna, në fshatin Rromës. Aty nëna e tij, Mahmudeja, e rriti deri në moshën 20-vjeçare, pastaj ky nguli këmbë e u kthye pranë njerëzve të babait – fisi Bejaj në Karbunar. Ndihmuar nga dajot, fisi e fshati bëri shtëpi në lagjen “Brushkaj”, pranë vëlla­zërisë. Ishte valltar e këngëtar i shkëlqyer. Në dasma e gëzime, kur dëgjohej zëri i tij, gjithkush afrohej ta shihte këtë bilbil e artist të lindur. U martua me Bejekon nga Gorishti, një bashkëshorte e denjë, gojëmbël e punëtore. Me fillimin e Lëvizjes Nacionalçlirimtare, merr pjesë në aksione; inkuadrohet së pari në çetën “IsmailQemali”e, më vonë, efektiv i batalionit “Perlat Rexhepi”. Si djalë i ri dhe i zoti, ishte caktuar të inkuadrohej pas disa ditësh partizan i Brigadës V S.I vlonte gjaku për të marrë pjesë kudo ku kishte aksione e përpjekje me armikun. Por drejtues të fshatit dhe të çetës bënin çmos ta ruanin këtë dhe të tjerë si djem të vetëm. Në një rast, para një aksioni, e thërret komandanti Namik Xhafaj e i thotë të mos bëhej gati për të shkuar, pasi “do venë ca të tjerë dhe unë”, mirëpo Sabriu ngulte këmbë “pse s`më merr mua?”. Namiku i përgjigjet: – Po je i vetëm, more, prandaj do mundohemi të të ruajmë. Dhe Sabriu ia kthen po me dashamirësi: – Po ti nuk je djalë i vetëm, ë ? Ty kush të ruan? Ç’të bënte komandanti: deshi s’deshi e lejoi të shkonte me shokët! I tillë ishte Sabriu. Gjatë Operacionit të Dimrit do të organizohej aksion kundër gjermano-ballistëve në Velçë. Një natë më parë ishte gdhirë tek dajot e babait në Sevaster. Më 9 shkurt 1944 në luftime ra trimërisht Sabri Pelivani së bashku me partizanin nga Gorishti, Hysni Hate. Në kujtim të dëshmorëve të rënë, atje është ngritur një lapidar ku shënohen dhe emrat e tyre. Natyrisht, edhe fshati i lindjes e ka nderuar birin e tij, pasi shkolla 9-vjeçare Karbunar mban emrin “Sabri Pelivani.” Sabriu la një djalë, Bexhetin 2-muajsh, të cilin e rritën me shumë mundime e përkujdesje gjyshe Mahmudeja dhe nëna e tij, Bejekua. Me Dekretin nr. 97, dt. 22.09.1972 të Presidiumit të Kuvendit Popullor të RPSh-së është shpallur “Dëshmor i Atdheut” dhe me Dekretin nr. 934, dt. 22.09.1949 iu akordua “Medalja e Trimërisë”.

Gjithashtu edhe biri tjetër i po këtij fisi, Pajo Laze Bejaj, i lindur në Karbunar më 14 prill 1913, u përfshi në atë vullkan antifashist që në fillimet e kësaj lëvizjeje.Bir i një familjeje me tradita patriotike, nuk ndenji e as nuk mund të rrinte indiferent ndaj thirrjes së Partisë Komuniste për luftë pa kompromis kundër okupatorit. Anëtar që nga formimi i njësitit “Ushtarët e popullit” dhe si i tillë mori pjesë në luftën e Gjormit, Selenicës, Drashovicës etj., përkrah vëllezërve të tij karbunaras. Aktiv dhe i papërtuar në veprimtarinë e grupeve luftarake dhe çetës territoriale deri më 20 janar 1944, kur u përfshi në strukturat organike të Brigadës V S, në kompaninë II, batalioni III. Ka qenë pjesëmarrës në shumicën e aksioneve luftarake të kësaj njësie heroinë. Një episod disi tragjik na rrëfen djali i tij, Axhemi: “Pajua, në një moment të vështirë e të papandehur, kapet nga forcat armike dhe burgoset në Vlorë së bashku me partizanin nga Gorishti, Refat Hila.Atë armiku e pushkatoi më 4 qershor 1944,kurse Pajon e liruan me ndërhyrjen e fshatit, sidomos të Neso Hysajt, i cili me influencën dhe miqësinë e tij ndikoi mjaft.” Marshimi i brigadës drejt Veriut, në zonën Macukull – Dibër – Kukës dhe më tej, Prizren e deri në Novi-Pazar e Sanxhak, është bërë në kushtet e jashtëzakonshme të motit të egër dhe urisë, rezistencës së tërbuar të armikut dhe tifos së morrit, faktorë që kanë kushtuar edhe jetë nga këta bij të popullit. Shokët e tij të brigadës dhe partizani Pajo Bejaj nga fshati ynë nuk u shmangën sakrificave, përballuan gjithë vështirësitë e rreziqet. Dhe u kthyen me fitore! Pas Çlirimit filloi punë në minierën e Selenicës, derisa doli në pension më 1968. Ishte anëtar i Partisë së Punës dhe militoi në radhët e saj deri në fund. U përcoll me nder për në banesën e fundit më 27 janar 1998. U nderua me“Medalja e Punës”, sipas dekretit nr.1591, dt. 18.12.1952.

Ndjenja e trimërisë dhe sakrifica për lirinë e vendit tënd nuk njeh moshë e kohë. Ajo rrënjoset njëherë e mirë në mendjen dhe zemrën e çdo shqiptari dhe në momentin e duhur shpërthen, duke mos marr asgjë parasysh. Kështu edhe pinjolli më i ri i këtij fisi, Cano Meço Bejaj, nuk bëri përjashtim nga djalëria shqiptare dhe gjaku i Bejajve, që rridhte në dejet e tij. Lindur më 1928 nga një nënë trimëreshë,u rrit e u frymëzua si edhe djemtë e tjerë të këtij komuniteti. Entuziazmi dhe energjitë që shpërthyen cep më cep të Shqipërisë mbas Çlirimit të vendit, u rrinin halë në sy monarkofashistëve grekë. Shovinistët e megaliidesë që, patën gllabëruar Çamëri, Janinë, Konicë, Kostur e mjaft troje tonat, më 2 gusht 1949, cënuan integritetin territorial të atdheut tonë.

Shqi­përia shpalli mobilizimin e përgjithshëm: “Të gjithë në këmbë!”. Nga bijtë e Karbunarit u ndodhën në rreshtat e Ushtrisë Popullore Cane Bejaj, Koçi Fejzaj, Xhelo Malaj, Idai Veizaje Nuredin Xhafaj, të cilët luftuan kundër trupave greke në kufi apo në mbështetje të forcave të vijës së parë, sipas detyrave përkatëse. Më 10 janar 1947 Cania ishte mobilizuar ushtar në Batalionin e Kufirit Sarandë, me detyrë mitralier. Dihej që, duke qenë ushtar, nuk anëtarësoheshe lehtë në Parti. Fakti që ai ishte pranuar kandidat Partie, do të thotë shumë për të, do të thotë se ka qenë model në sjellje e stërvitje, në marrëdhënie me shokët, eprorët e me komunitetin e zonës ku ishte dislokuar reparti. Më 2 gusht 1949 erdhi urdhër të transferohej reparti, urgjent për në Korçë. Sapo kaluan grykën e Cangonjit, dëgjojnë gjëmimet e artilerisë, kurse mbi kokë uturimën e aeroplanëve armiq. Me të shkuar në vend, u njohën me situatën dhe morën detyrat. Skuadrës së Canos iu ngarkua mbrojtja e sektorin të Piramidës 13, në fshatin Sinicë të Bilishtit.

Lufta ishte e ashpër. Cania nuk e ndalte zjarrin e mitralozit, edhe pse gryka e armës së tij skuqej nga të shtënat pa pushim. Kundërsulmon skuadra shqiptare, armiku zmbrapset deri në vijën kufitare, duke lënë në vend të vrarët e të plagosurit. Trimat tanë me kundërsulm futen në zonën neutrale, ndonjëri edhe më tej. Mbi frontin tonë binte breshëri e vdekjes, plumba e predha artilerie të çdo kalibri. Një prej tyre, më 8 gusht 1949, i merr mizorisht jetën mitralierit trim, Cano Bejaj. Familja e Canos: nënë Xhekua, motra Xhevrije dhe e fejuara e tij, prisnin të shihnin buzëqeshjen e tij ëngjëllore që, ngjallte respekt e mirëdashje. Por as ato, as kushërinjtë, shokët e karbunarasit nuk e panë më atë djalë fisnik e sypatrembur.

Prej dekadash shohin me sytë e mendjes imazhin e trimit i cili, duke luftuar edhe në emër të fshatit që e lindi, u flijua për Shqipërinë – atdheun e shenjtë. Nënë Xhekua dhe motra e tij, Xhevrie, nuk ua merrte kurrë mendja se do të bëheshin nënë dhe motër e dy dëshmorëve. Njëri, Ismail Kaso Hakani, nga Rexhepajt, do t’ia falte jetën atdheut më 1944, në Luftën Antifashiste dhe tjetri, karbunaras, më 8 gusht 1949 kundër provokacioneve të armatosura monarkofashiste. (Sqarojmë këtu se Xhekua ka qenë fillimisht martuar në Rexhepaj, ku la fëmijë, Ismailin, dhe, pas vdekjes së burrit, u martua rishtaz në Karbunar, me Meço Bejajn, ku lindi Xhevrien dhe Canon).Dëshmori Cano Bejaj është nderuarme dekoratën “Urdhri i Trimërisë” nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të RPSh-së, dekreti nr. 910 e çertifikatë nr. 547, dt. 23. 08.1949;  i shpallur “Dëshmor i Atdheut” me Vendim nr. 97, dt. 22. 09.1972 i Këshillit të Ministrave. Pavarësisht kësaj, më datën 20. 05.2003 Këshilli i Ministrave, me vendim nr. 10 i jep Cano Bejajt statusin “Dëshmor i Atdheut” dhe familjes së tij simbolin e “Familjes së Dëshmorit të Atdheut.”Birit që mbeti ushtar i përjetshëm në mbrojtje të kufijve të Atdheut, fshati i kushtoi këngë zemre: “Larg në Korçë, në kufi,

Lule o Cano, /(përsëritet pas çdo vargu),/ Po luftoje me Greqi, /Seç të ra një plumb i zi!/ Cano, shtrirë si shtyllë, / U verdhe u bëre dyllë. / – Cano, qysh e durove? / Po nënës a i dërgove? / Nënës vanë e i thanë: / – Ty Canua të është vrarë! / – Më vjen keq që e vranë,/ Nuk e vranë për dhën e dhi./ Jetën dha për Shqipëri!…”.

Sigurisht, si për këdo, edhe për këtë fis kjo është pjesa më e ndritur e tij, por jeta dhe veprimtaria e tyre ka qenë dhe është aktive e me vlera të spikatura në çdo periudhë. Kanë mbështetur çdo reformë të djeshme e të sotme që synonte zhvillimin e ekonomisë, arsimit e kulturës, përparimin e shoqërisë dhe fshatit tonë etj. Rushan Bejaj në vitet ’50 ka qenë sekretar i organizatës së frontit në fshat, i biri Fejziu, specialist blegtorie e teknik ndërzimi në vitet ’60-’70. Traktoristja e vetme me kurajo dhe e emancipuar, Salushe Bejaj, u bë shembull frymëzimi për shumë gra e vajza të fshatit, zonës e më gjerë.Malo Bejaj drejtoi si kryeplak fshatin për dy legjislatura pas vitit 1997. Dëfrim Selam Bejaj ka biznesin e tij privat në sektorin mekanik. Pokështu edhe Flamur Fejzi Bejaj ushtron biznesin e tij në mbarështimin e mbi 300 të dhirtave. Nga ky fis kanë kryer arsimin e mesëm mbi 40 bij e bija të tij dhe më tepër se 25 të lartin në fusha e degë të ndryshme. Janë për t’u përmendur djem e vajza që kanë dhënë e japin më të mirën e mundshme kudo që punojnë brenda e jashtë atdheut. Kështu; djali këtij fisi, Dashamir Bexhet Bejaj (në foto), me punë këmbëngulëse e sedër për t’u pasur zili arriti nivele të larta detyrash shtetërore, si shef i Interpolit, shef i Antikontrabandës, shef komisariati etj. dhe sot është biznesmen me klientelë të zgjedhur në fushën e transaksioneve financiare. Selaudin Selam Bejaj, oficer me shkollën e lartë të Ministrisë së Brendshme dhe ka kryer detyra të rëndësishme në repartet e Gardës së Republikës. Po kështu, Bexhet Sabri Bejaj që punoi si kuadër në reparte të ndryshme të ushtrisë. Neta Fejzi Bejaj dhe Leart Nikollaq Bejaj si ekonomistë kontribuojnë me njohuritë e tyre në fushën ekonomike. Eris Selaudin Bejaj dhe Esmeralda Saimir Bejaj punojne me zell e rezultate në fushën e arsim-kulturës. Enkelejda Saimir Bejaj jep ndihmesën e saj në fushën e mjekësisë, Jonid Selaudin Bejaj në fushën e teknologjisë ushqimore, Keida Bejaj në matematikë-informatikë etj. Sigurisht janë edhe mjaft të tjerë nga ky fis që kanë ndërtuar jetën e tyre mbi bazën e vullnetit e këmbëngulës e sot janë bërë dikushi në sferën ekonomike, kulturore etj., por që në shkrime të tjera do të gjejnë pasqyrim të plotë, edhe për faktin se maksima popullore, “dardha bie ndën dardhë”, materializohet, kur nderimi dhe respekti për të rënët, është nderim dhe respekt për përparimin e fshatit, krahinës, Atdheut.

 

Please follow and like us: