Albspirit

Media/News/Publishing

Simon Mirakaj: 71 VJET NGA MASAKRA E VALMIRIT!

Të nderuar familjarë e pjesmarrës, ju ftoj që në nderim të kujtimit të katërmbëdhjetë martirëve të mbajmë një minutë heshtje. Të nderuar familjarë, pjesëmarrës, jemi mbledhur sot në këtë ceremoni përkujtimore të 71-vjetorit të Masakrës së Valmirit ku u ekzekutuan dhjetë burra e katër u varën në litar. Kjo masakër u krye mbi njerëz krejtësisht të pafajshëm, nuk kishin as një lidhje me vrasjen e Bardhok Bibës, i vetmi “faj” ishte se rridhnin nga familje patriotike që kishin luftuar kundër çdo pushtuesi, ishin burra që kishin influencë në zonat e tyre, ishin familje anti-komuniste, familje që besonin në Zot, që donin Atdheun- Shqipërinë më shumë se veten. Jo si disa dritëshkurtër e sakatë nga mendja, që deklarojnë se dua partinë më shumë se Shqipërinë. Ideatori i kësaj masakre e shumë të tjerave të ngjashme ishte diktatori Enver Hoxha, i cili kishte dalë me parullën: o me ne o kundra nesh! Të vriten Veriorët se ata janë kundërshtarët tanë, ata nuk mendojnë si ne”.

Kjo masakër, kjo tragjedi nuk mori fund me ekzekutimin e këtyre katërmbëdhjetë burrave, por ajo vazhdoi me burgosjen e 500 burravve, duke internuar 300 familje. Masakra u përcoll me lot nga familjarët, të afërmit. Ekzekutimi i këtyre njerëzve krejtësisht të pafajshëm rebeloi Qiellin, që shpërtheu në shkrepëtima e vetëtima duke derdh atë ditë të nxehtë Gushti shi, breshër, stuhi e borë për një orë. Populli Mirditës, martirët i vajtoi me kangë:

N’Qafë t’Valmirit të Mirditës,

Fort po vriten krah’t e Shqipes!

Shkallës madhe kush po zbret?

T’lidh me tela vajmedet.

Jo ma pak se katërmdhetë…
Shtat ditë burg e jo ma shumë
Ditën e tetë n’litar e n’plumb…

Komunistët trumbetojnë me të madhe se ne “ishim në kahun e duhur”, ndërsa koha vërtetoi të kundërtën, se në kahun e duhur ishin antikomunistët, ishin ata që luftuan kundër instalimit të diktaturës komuniste, kauza e tyre triumfoi… triumfoi duke i kthyer popullit Lirinë, Liri të cilën diktatura komuniste e kishte marrë peng për pesëdhjet vjet.

Ne atë çfar kemi humbë nuk e kthejmë dot, por kemi detyrim moral që dëshmorët e lirisë, martirët t’i kujtojmë e të përulemi me respekt ndaj kujtimit tyre. Ti kujtojmë duke ngritur muze, duke ngritur një memorial a një obelisk. Kjo është domosdoshmëri se janë këto objekte që do flasin për tragjedinë që shkaktoi diktatura komuniste në Shqipëri. Po aq e domosdoshme është njoftja e të kaluarës tonë tragjike, sepse duke njoftë të kalumen tonë do të mund të ndërtojmë të ardhmen, do kemi një demokraci të konsolidume. Janë këto simbole që do flasin nesër, që do ju tregojë brezit të ri që do marri stafetën se çfarë ishte diktatura komuniste e cila për pesëdhjet vjet e ktheu Shqipërinë në një shtet burg edhe pse Zoti i kishte dhënë bukuri, bukuri së cilës i kushtoi vargje i madhi at Gjergj Fishta “se rreth e rreth kësaj rrokullije si Shqipnia vend nuk ka”. Ajo diktaturë mbolli veç përçarje e varfëri. Sot ne duhet të jemi të vetëdijshëm në respektimin e bindjeve të njeri-tjetrit. Mos të harrojmë fjalët e Nënës Terezës se ne i përkasim njeri-tjetrit. Duke respektuar e vlerësuar njeri-tjetrin do na vlerësojnë e respektojnë më shumë dhe të tjerët. I përjetshëm kujtimi i martirëve i dëshmorëve të Lirisë e Demokracisë. Pushofshin në paqë!

Please follow and like us: