Albspirit

Media/News/Publishing

Greqia, leje qëndrimi shqiptarëve me pasaportat që skadojnë brenda 2020

Qendrat për Shërbimin e Emigrantëve të huaj do të ripërtërijnë lejet e qëndrimit apo pajisjen me vërtetimet e aplikimit për shtetasit shqiptarë, duke pranuar si dokumente të vlefshëm pasaportat që skadojnë deri në 31 dhjetor 2020. Sipas një qarkoreje të lëshuar nga Ministria e Brendshme greke vendimi ka ardhur pas këshillimit me Ministrinë e Jashtme dhe përfshin shtetasit shqiptarë që janë pajisur me leje qëndrimi, sipas dispozitave të ligjit grek 4251/2014.

Vendimi u vjen në ndihmë disa mijëra emigrantëve shqiptarë që punojnë dhe jetojnë prej vitesh në Greqi dhe nuk po arrijnë të sigurojnë pasaportat e reja shqiptare. Kjo për shkak të pamundësisë për të udhëtuar në Shqipëri, prej kufizimeve kufitare në anë greke, por edhe vështirësisë së sigurimit të dokumenteve të indentitetit pranë selive konsullore shqiptare në Greqi.

Një muaj më parë Greqia kishte shtyrë me 8 muaj të gjitha lejet e qëndrimit për të huajt, të cilat përfundojnë nga data 20 korrik 2020 deri në datën 31 dhjetor 2020 dhe i kishte hapur rrugë aplikimeve përmes një portali “ne internet”, për ripërtëritjen e lejeve të reja të qëndrimit. Çështja e pasaportave ishte një nga burimet e krizës së fundit të radhëve kilometrike në kufirin shqiptaro-grek. numër i lartë emigrantësh shqiptarë u kthyen masivisht gjatë muajit korrik dhe në ditët e para të gushtit në Shqipëri për të marrë pasaportat e reja.

Pasaportat e tyre të mëparshme po skadonin dhe emigrantët rrezikonin në Greqi edhe ripërtëritjen e lejeve të qëndrimit ku pasaporta e vlefshme është e detyrueshme për t`u paraqitur në aplikim. Ndërsa emigrantët zinin radhët pranë shërbimeve të lëshimit të pasaportave në Shqipëri, duke kryer shpesh dhe një pagesë të lartë financiare për “procedurën e përshpejtuar” të marrjes së pasaportave, Greqia njoftoi se do të kufizonte më 16 gusht me 750 persona në ditë hyrjen në Greqi dhe të gjithë udhëtarët detyroheshin të paraqisnin në kufi analizën molekulare për “COVID 19.” Shumica e emigrantëve u dyndën në kufi përpara se masat shtrënguese të hynin në fuqi në anën greke dhe kriza e radhëve prej gati 10 km zgjati për katër ditë duke shkaktuar emergjencë humanitare.

Please follow and like us: