Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga MUSTAFA V. SPAHIU

 

KU ËSHTË ZEMRA AFËR DIELLI QËNDRON

 

S’futem kuptimit të panjohur,

Mbase kënga do t’i mohojë –

Metafora s’pret për t’u ftohur

Ajo do lindje me jeh të brerojë.

 

Do kalitje vargu si platini poetik,

Shkretëtirës oaza do madhështi.

Lisat me rrënjët janë aq stoik, se

Poeti s’bie n’ekstazë, në magji!

 

Zemra afër diellit t’artë qëndron,

Uji kthehet në të gjitha burimet.

Ai syri i shterrur më tepër shikon,

Në takime t’reja nuset e gëzimet,

 

Dalin, kënga do jetë më e bukur,

Zemrat si inxhi futet në pjeshkë;

Poezinë uratë e bartë një flutur –

Njerëzit duan diellin mbi bjeshkë!

 

Një zambak e bëjë pjesë t’pandar’,

Fjala po rri xixë thellë në zemër…

Diellin palcës e mbëlton një damar,

Kur mbjell tokës s’preki me thembër!

 

Kënga s’është pa rremet’e krajata,

Me rriskun futu e digju mirë në furrë!

Vargjet ta nxjerrin lëkurën me urata,

Kënga e tjerëve s’të shpëton kurrë…

 

Aty ku është zemra granit t’qëndron,

Dielli poetit rrugën le t’ia diellnon…

 

E hënë, 03 gusht 2020, në Dardaninë Ilire.

 

ÇELËSI MAGJIK

 

Për një çelës magjik zhgrehem në vaj,

Çdo e ditë e kërkoj nëpër gjethe bari.

Syrit të pranverës them e gjejë në maj

I shtanguar pa rininë mbeta un’i pari

 

Çelësi magjik struket n’zjarr pik’llimi,

Duart më përcëllohen sikur n’kashtë!

Këmbët m’u këputën nga udhëtimi, e

Syt’e zemrës shohin enigmën e lashtë.

 

Hera-herës më rrëmben mallëngjimi,

Shumë po duruaka lëkura njerëzore!..

Mysafir i paftuar i vetvetes, ëndërrimi –

I ikur, asnjë cirkë s’vëhet në peshore.

 

Çelësi magjik s’di ku është strehuar?

Vërdallë zogu i këngëve afshit e pret.

Ndoshta shëndrit florës duke kërkuar;

Me frymën e fundit vargu do të nget,

 

Për ta gjetur, dy palë hejbe i jap flori!

Thellë do e kërkoj pragut të shtëpisē…

Stinët t’i gërshetoj-n’pirgun fëmijëri –

Ah,gjurmët i fshiri fshesa e pleqërisë!

 

Çelësin e zhdukën gjethet prej erës,

Me dy gishta n’gojë dhe dorën në hi!

Kot vrapoj me bajraqet e pranverës –

Luzma e xixëllonjave duke më pri’…!

 

E diel, 02 gusht 2020, në Dardaninë Ilire.

 

MIQËSI E  THJESHTË

 

Miqësi e thjeshtë sa më pëlqen,

Të tregohem sado i arsyeshëm…

Skllota fytyrës thertë të me bjen,

Zemra t’i pranojë shkëlqyeshëm!

 

Të  jem shkëmb motesh pështyer,

Zemra gjenë motive për t’i  falë –

Lundra ime shket velash shkyer;

Ti Nemesis shpagë ndofta falë!?

 

Poezi gjenë shtigje yjesh agimi,

Bëhu më sublime, jo për madhëri!

Gjako etje shpresash – rrugëtimi

Shkëlqimit të diellit në thjeshtësi.

 

Ruaje kurrizin me bredhje të kota!

Nga ndonjë e keqe mos vë miqësi,

Të varin këmbanë – të shajnë bota;

– Se gjaku është ngjyrë, ka ndijesi…

 

Zjarr të falem që jam duke jetuar!

Granit më jep lëng diç për të thënë!

Thjeshtësisë harresash kam gabuar;

Në çipin e trurit gjëkund e kam lënë.

 

Me vargje askush nuk ngreh shtëpi,

Metaforën patjetër duhet tejkaluar…

Zjarri përtyp hirin ruan xixën poezi;

– Ajo që digjet ende s’është treguar…

 

E shtunë, 01 gusht 2020, në Dardaninë Ilire.

 

JAM I PABINDUR

 

Zjarrin e vendosi n’vend të zjarrmuar

Le ta ngroh shëndetin tim të mirë…

Prushin e mbajë si bimë t’ngarkuar,

Sipas mitologjisë gjaku lyp mëshirë…

 

Vallë, ose mos erdha paksa vonë,

Ta them e gjeta baltën e trupit tem!

Toka gjithnjë çdo herë është lehonë,

Prehërit të lashtësisë mbushur ujem.

 

Kam mosbindje për dhuratë vjeshte;

“Nis idila më qesharake që kam parë,”

Me gjarprin rrim ulur në maje kreshte,

Me zapullinë e etur ngopur dalim garë

 

Jam i pabindur e goja le të m’rrudhet,

Ç’më duhen miqt që janë t’blasfemuar,

Nga rrufeja e zbutur koha më duhet,se

Përpara varfërisë kush s’ka qëndruar?!

 

Pa çarë kokën për çudi rend e kuptim,

Mugtirë e gjithësisë fluturon mbi ré –

I pabinduri të vërtetën e gjenë n’pelim,

Prirja e poezisë urtësin’e kërkon t’re…

 

Nganjëherë kërcejë si peshqit në zall,

Përvesh llërët për sqeparë dhe daltë…

Stili i bukur i një rrufeje kokës më kall,

Ky është mendim për t’i zgjedh fjaltë!

 

Jam i pabindur kjo s’është fatkeqësi,

E mjaftueshme për vete, e çuditshme,

Pa shpresë as lulja nuk çel në poezi –

Në vendet hyjnore ësht’e arritshme.

 

Duke i kaluar të gjitha gjejnë kuptim,

Shigjeta e godet nishanin m’u në cak!

Poezia bëhet zëmbak e shohim n’agim

Çdo varg do ujitje – spërkatur me gjak!

 

E shtunë, 01 gusht 2020, në Dardaninë Ilire.

 

MŶZEVVIRËT[1]

 

Pezmatar bredhurisht bredhin,

Turjelë janë në shpirt mëkatarë

Çdo kund farë sherresh derdhin

Aty ku s’ka n’errësi ndezin zjarr…

 

Njerëz intrigantë me frymë fanatike

Shesheve ashklat i bëjnë kristale…

Ku s’munden koloviten demonike –

Shterrojnë dete – përndezin male…

 

Janë ngatërrestar, më ngatërrestarë,

Llavë ujqish turren me shpirtligësi…

Anije të çmendura, lëvizin gënjeshtarë

Dhe gjakojnë secili është më smirzi?

 

Mŷzevvirët shquhen si fitneshtirës,

Vezullojnë dielit me veshët endacakë!

Flakërohen hënësirës – gjakpirës, e

Janë gojëkeqë, hileqarë dhe shpifarakë!

 

[1] Mŷzevvir/ërët (pers.tur). Të gjitha shpjegimet gjenden brenda për brenda vjershës dhe atributet më keqbërëse për mŷzevvirët, qenje njerëzore më të liga e delikuente në botë.

 

 

TRËNDAFILET DIELLORE

 

Kjo është jeta, mundimi

Vrap shpresë si shigjetë

Pendël zgjatë fluturimi

Buzëqeshjemadhe gjetë

 

Buron nga gjiri i dëlirë

Ditëve vinë të përtrira…

Si s’qenka dhe më mirë,

Shpirti mbëlton dëshira

 

Ma zgjojnë ëndërrimin

Për galdimet e bluara…

Vockot nisin këngëtimin

Ngasin ujeme t’lulëzuara.

 

Shiu verak – çatit krenare,

Shplodhet shpirt i bardhë…

Kokoçeli cepit të një are –

Degash shikon një dardhë.

 

Anamorava valë-shkumë,

I ka brigjet me bukurira…

Në çdo brryl fisniku lumë

Nusëron viset me stolira…

 

E mërkurë, 6 gusht 2020, në Dardaninë Ilire.

 

VULLNETARËT E OZN-ës

 

“Koha plagët na i shëron.

             Koha të qenmen e tregon”.

                                                (E.M.)

 

 

Si keni mundur, or kokëtharë,

OZN-a t’iu blen për ‘i metelik?

Të bëheni argat – vullnetarë –

Ta vrani vëllain tuaj ‘armik’!

 

Po ndërgjegjja si ju ka lejuar,

Qenzagarë të lidhur n’zingjirë.

Bjeshkëve, hiena keni vrapuar

Për vëllanë tuaj më të mirë?!

 

Ata nga dora juaj keq e pësuan!

Patën shpresë kur të paepur…

Nga vullnetarët ç’u pushkatuan;

Trimat u flijuan se hanin hekur.

 

Për lirinë ata kanë derdhur gjak,

Me serboçetnikë ata të përballë!

Qyqarë për kend merrnit hak?!

Për një pushkë-yllkuqi në ballë!

 

Vallet me bashkim e vëllazërimi,

Kosova n’zjarr-dhuna e robëria!

Të zhgënjyer! Qark shtetrrethimi!

Populli pleqëroi: Poshtë tradhtia.

 

Shtazërisht torturë gjithë e dinë!

Vullnetarë hora zullumi â pushon?

Dielli rrezaton ngrohtë me lirinë –

Populli shekujve di t’iu mallkon..!

 

E diel, 02 gusht 2020, në Dardaninë Ilire.

 

PSE E DUA AMERIKËN

Presidentit Wilson për paqen

 

S’më duhet as për ta shikuar,

po e shoh: vend i lumtur si NËNË.

I pastër si Abetarja me shkronjën

e parë – A – në duart e nxënësit

tepër të zellshëm e të shkëlqyeshëm.

Për ta marrë përdore dhe për ta

shpënë – aty ku lind Dielli – në

universitetet më me famë, më të

shquara, ku derdhen Niagarat

ditë e natë me ujëvare diturie…

Koloriti i dritë – diturisë Diellnon

me rreze të ngrohta – mësim të

Universit…

Qershitë çelin si shembull i artë

i vashave amarikane, djelmoshave

e vashave të kontinenteve tjera…

 

 

S’më duhet as për ta shikuar: Po e

shoh: vend i lumtur si loja e fëmijëve,

ku zhvillohen koncertet e majit me

brohorira…

Është mesnatë – yjtë qiellit ulen në

Flamurin e USA-s valon në zemrat

e paqes. Është mesnatë dhe tramvajët

e fundit, e zbrazën qarkun e fundit, i

zbrazët… Qarkun e mbrëmë e kryen

me sukses…

Të gjithë presidentëve fisniklindur,

zemërmirë që e mbështetën popullin

tim shqiptarë më të lashtë për liri dhe

paqe me zemër i Ngjatjetojë emrat

dhe veprat e tyre të miradishme…

Emrat e Juaj qofshin të paharruar

nëpër mileniume…

 

Vendet e lumtura që ia dhanë

Lirinë njerëzimit ata përpara ecin…

Buka pa djersë nuk fitohet, e

djersa me drejtësi pagohet…

 

PSE E DUA AMERIKËN!

Unë ju përbetohem…

Kujtoni ndriçimin e 4 korrikut-

Ditën e Pavarësisë 1776, atëbotë

Dielli rrezonte më shumë në Amerikë…

Pëllumbat e bardhë harkonin qiellit të

kaltërt, buzëqeshjet më të bardha se

suvala e oqeaneve këndonte Himnin

Zoti e ruajtë Amerikën! God Bless America!

 

E premte, 21/22 gusht 2020, në Dardaninë Ilire.

 

FSHATI I RIMAVE DHE RITMEVE

 

 

Shungullon burim i burimësisë

Vala valën e ndjek rebele e lirë,

Është emblemë fisi t’lashtësisë

Rrebeve të fatit në vend të mirë.

 

Fshati i rimave dhe ritmeve, yll

Nën lum t’magmës-thellësitë

I mat rraxhës s’jermit në pyll –

Panit epshor tëra kthjellësitë!

 

Mëngjeset i ka si çiflik të vet,

Shelgjet janë flokë të bleruar.

Vashat këmbëzbathura i pret,

Kur venë bletët për t’i lëshuar.

 

Fshati rimave n’agim t’bardhë,

Brigjeve të lumit rrezet diellore;

Pas ritmeve tua kam për t’ardhë,

Tinëz përvidhem’e hënë miklore.

 

N’fshat lindja e vetmja shpresë,

Ura t’guximshme harqe diellzuar.

Fati yt gjedis tej mortjes qëndresë;

Ku kënga nuk më la të vetmuar…

 

Fytyrën tënde e ruan diku n’lartësi,

Je shndërruar në të fortat brigje, se

Zog feniks je me njerëzit fshehtësi –

Shekujt të zgjaten n’për tujat shtigje.

 

E enjte, 20 gusht 2020, në Dardaninë Ilire.

 

 

MUZGJET NUK FLASIN GJË

 

 

Trokut muzgjet nuk flasin gjë,

Nata futur i ka në prag të ditës,

Carranit rrin sall gurët e pritës –

Çerepit të pabërat s’u piqen më.

 

Mendime të vjeme vum n’verig,

Fluturoi britma-lejleku qarkon…

Zogu gri qiellit sa lartë noton –

Çastin e përmbushi kërcet ibrig!

 

Veshit t’gjilpërës muzg përshkoj,

Një grusht dhé dhe një brryl tokë.

Për dashuri më dhemb kjo kokë –

Rrezet e purpurta turjelë i shpoj…

 

Muzgu e fsheh majën e caktuar,

Pa zërin e gjakut dhe mrekulli, se

Një flutur e vizatoj vizive n’largësi;

Frikën e madhe rrudhash t’sunduar.

 

Zjarret digjen. Sytë në terr flasin,

Me qilima e sixhade n’ag të dritës.

Nëpër sitë e shoshë engjujt’e ditës

Hyjnor pas yjeve të fundit ngasin…

 

Të gjitha zhgjëndrrat tona n’arrati,

Shtjergulla e zgjuar ra mbi çdo gurë.

Vetmia si lodër po tingëllon n’mur –

Gjaku i klorofilt – ende larg po rri..!

 

Muzgjet nuk flasin gjë, flet njeriu

Me hejbet e dertit gjëkundi niset…

Gjykatat s’me trembin tha fatziu –

Ndalur te katër rrugët harroi viset.

 

E enjte, 20 gusht 2020, në  Dardaninë Ilire.

 

I DIN META PUNËT E VETA…

 

Me parë blij takëmin pastaj atin,

Vendi për mullirin është flori…

Lëviz një kashtë dhe e gjen fatin –

Mos kërko pallate, por kojshi.

 

Zemra e vatrës është gruaja,

Shpirt i shpirtit është buka…

Sa më larg punëve të huaja;

Njëherë ka lindur Oso Kuka…

 

Ruaje gëzimin e vullnetin,

Muhabetin fare pa zgjatur.

Kujdes nderën e shëndetin;

Fole të vërtetën pa luhatur!

 

Në peshojë mos e vë gurin,

Mos e lësho udhën e rrehme!

Sheshit mos e përbuz burrin;

Shpreso në nusen e krehme…

 

Hileve me dredhi të kuvetit,

Me duar boshe mos iu dil!…

Hareshëm nisu pas kismetit;

Urtinë dëgjo: “mos u bë rezil”!

 

Kush ta ofron miqësinë e re,

Betohuni në të artën besë…

Mendo prej tokës deri në ré;

Mos pritoni asnjëri të vdesë!

 

Jeta nuk shkohet në robëri!

Zgjohu para me dritë t’agimit.

I liku dëbohet me dij’e trimëri;

Këto janë urtësirat e Naimit…

 

S’është turp – fole të vërtetën,

Atdhéu veshet me gjelbërime…

Jij i lumtur s’frikësh tërë jetën –

Fushat, arat njomen me burime.

 

E mërkurë, 19 gusht 2020, në Dardaninë Ilire.

 

KËNGË – VIRGJIRE HYJNORE

 

N’oazë të blerimit në thellësi,

Digjesh prush e paprekshme

E virgjirshme me thirrje magji,

E përsosur magnetesh n’urti.

 

Këngë virgjër’e pastër e gjallë

Dhe ta dhamë dritën njerëzore,

Buzëqeshja jote fanar në ballë –

Përsosjen ta ëndërrojme prore!

 

Mendja ngulet damarit’granitit,

Kënga nuk do gjuhë të heshtur!

Shtrydhja ajkën e gjakut porfirit;

Pas këngës hapat e parreshtur…

 

Me shpirt’virgjirtë kaq hyjnore,

Dy muza ujëvarë i ke n’shoqëri.

Këngë e larë në rrezet diellore –

Lindjen ta presim me simfoni…

 

Këngë toka për ty është krijuar,

Vargje për paqen-kumte agimi,

Të jehojë një këng’e pakënduar

Nga zemërshkëmbi rrënjë ulliri.

 

Këngë virgjire – paralajmërove

Me zogun kaltërosh të besës…

Nga bebëzat e mia u ndërtove –

Dhe rimat rruaza t’arta të vesës.

 

 

E hënë, 17 gusht 2020, në Dardaninë Ilire.

 

 

 

Please follow and like us: