Albspirit

Media/News/Publishing

Flirtet me femrat të Princit të Anglisë që mund të shkaktonin 63 divorce

Mbretëresha Elizabeth II ka shkuar në prag të divorcit nga burri i saj Philip, Duka i Edinburgut, plot 63 herë. Por nëse asaj do t’i duhej të mendonte vërtet për divorc çdo herë që shtypi britanik ose amerikan shkruante për krizat e tyre të martesës ose lidhjet e burrit të saj, në të vërtetë, në 73 vjet martesë, mundësitë do të kishin qenë më shumë se kaq. Mediat kanë shkruar shpesh se Princi Filip nuk e ka duruar kurrë faktin që oborri i ka dhënë atij një rol të parëndësishëm. Sa i përket miqësive të tij me gra simpatike, nuk është mister që duka gjithmonë ka dashur dhe ka kërkuar shoqërinë e grave. Por shtypi nuk gjeti kurrë ndonjë provë, ose të paktën nuk publikoi, asnjë fotografi që dokumentonte ndonjë marrëdhënie klandestine. Njerëzit që ishin pranë tij gjithmonë i kanë mohuar këto thashetheme, Pallati po ashtu. Me pak fjalë, nëse ka pasur tradhti, mbretëresha ka zgjedhur të mbyllë një sy. Për më tepër, vetë Filipi, vitet e fundit është shprehur se Elizabeta ka qenë gjithmonë “shumë e durueshme dhe tolerante me të”.

Ndër emrat e parë që lidhet me figurën e Filipit është balerina Pat Kirkwood, shumë e njohur në Britani dhe SHBA.  Në vitin 1948, kohë kur ai ishte i martuar, njihet në një hipodrom me Pat. Nis një marrëdhënie disavjeçare. Takimet e tyre ishin në një apartament, në pronësi të klubit ku Filipi ishte ortak. Pak kthehet në mantenutën e Filipit, madje ai i blen edhe një Rolls Royce. Ajo e ka mohuar gjithmonë këtë lidhje, madje në një rast edhe i ka shkruar një letër mbretëreshës. Por Filipi, krenar për shoqërinë e një prej grave më të bukura të kohës, nuk ka mohuar kurrë asgjë.

Është fjala për një periudhë krize mes mbretëreshës dhe Filipit. Ky i fundit ishte në një udhëtim në bordin e anijes “Britania”, nga tetori 1956 deri në shkurt 1957. Një periudhë e ngjeshur me vizita në vendet e Komonuellthit, por edhe një mundësi për Filipin që t’u arratisej kufizimeve të jetës së oborrit. Por ndërkohë në Londër, gruaja e Mik Paerker, njeriut të tij më të besuar, kishte kërkuar divorcin me pretendimin e shkeljes së kurorës nga i shoqi. Ai ishte njeriu më i afërt i Filipit dhe kjo hodhi hije dyshimi edhe mbi burrin e mbretëreshës. Pallati mbretëror u detyrua të sqarojë me anë të një deklarate se mes tyre nuk kishte asnjë krisje.

Një tjetër emër që dyshohet se i përket listës së lidhjeve klandestine të princit Filip është edhe Helen Cordet, njohje e hershme e tij. Në vitet ’50 ajo u bë moderator në BBC dhe pati dy fëmijë pasi u divorcua nga i shoqi. Nuk pranoi kurrë të zbulonte atësinë e tyre. Ajo i kërkoi Dukës të bëhej kumbari i tyre dhe shtypi i kohës nuk mund të mos hidhet hipoteza se ai mund të ishte i ati. Ky mister nuk u zbërthye kurrë.

Një prej emrave të përmendur për lidhje me princin Filip është nëna e Sarah Ferguson, Susan Barrantes, në atë kohë e martuar me një major të rojës mbretërore. Tjetër “e dyshuar” është edhe aktorja Merle Oberon apo kolegia e saj, Anna Massey. Por edhe prezantuesja Katie Boyle. Thashetheme kanë qarkulluar edhe për kushërirën e tij Aleksandra e Greqisë dhe dukesha Sasha Aberon, gruaja e një prej njerëzve të rëndësishëm të oborrit.

Në vitet ’90, një gazetare e pyeti Filipin në lidhje me zërat për shumë lidhje jashtëmartesore. Përgjigjja erdhi flakë për flakë: A e çuar nëpër mend se unë, në 40 vitet e fundit nuk kam bërë një hap të vetëm pa u shoqëruar nga një polic? Si dreqin mund të bëja gjë?”.

Megjithatë, në konfliktin që i biri pati me të shoqen, Lady Diana, ai e akuzoi këtë të fundit se me sjelljen e saj po dëmtonte imazhin e mbretërisë. Diana nuk qëndroi duarkryq. Ajo pajtoi hetues privatë për të provuar tradhtitë e përfolura të Filipit. Ka nga ata që thonë se ajo zbuloi ekzistencën e një fëmijë të paligjshëm. Por ky mbeti një sekret që ajo e mori me vete në varr.

Një nga figurat më të fundit që lidhen me Filipin është Penelope “Penny” Romsey, gruaja e Lordit Brabourne, 30 vjet më e re se Duka. Është e pamohueshme që ekzistonte një lidhje mes të dyve, por pothuajse me siguri e një natyre platonike, e lindur nga pasione të përbashkëta. Penny, ishte shpesh mysafire e çiftit mbretëror në fundjavë. Në vitet e pleqërisë, kur ai nuk mund të sillej më si një burrë potent, ajo shpesh shihej në shoqërinë e Filipit duke pikturuar me akuarele.

Me pak fjalë, Filipi nuk e ka fshehur kurrë natyrën e tij të lirë. Ashtu siç ai kurrë nuk e privoi Elizabetën nga mbështetja dhe prania e tij. Historiani Robert Lacey shkruan në vëllimin voluminoz “Monarku – jeta dhe mbretërimi i Elizabetës II” që duka i tha një herë një anëtari të familjes: “Si mund të isha i pabesë me mbretëreshën pasi ajo nuk ka asnjë mënyrë për t’u hakmarrë?” Nga ana e saj, Elizabeth gjithmonë ka pranuar, veçanërisht në pjesën e dytë të jetës së tyre martesore, që burri i saj kishte një lloj “gjykate” të vogël miqsh dhe të besuar dhe se ai kurrë nuk do ta poshtërojë ose turpërojë atë në asnjë mënyrë.

Please follow and like us: