Albspirit

Media/News/Publishing

Eden Babani: Shejtanët

 

Doja njëherë një shejtan.

I madh më duhej, madje i zgjuar.

Trim, qerrata, horr me ferman,

për shejtanllëqe i diplomuar.

 

Isha në hall, kisha nevojë,

më kishte ndodhur një hata.

Thashë shejtani do më ndihmojë,

të kapërcej këtë bela.

 

Kërkova shumë, e rraha dhenë,

në pleq, në plaka, në magjistarë,

në priftërinj e hoxhallarë,

ngado ku qenë e që nuk qenë.

 

Do hiqja dorë edhe për pak,

ta lija veten në sëkëlldi,

kur mora vesh, diku një plakë

shitkësh shejtanë me leverdi.

 

Shkova te plaka, i qava hallin,

iu luta plakës të kish kujdes,

mos të nxitohej, ta zgjidhte mallin…

Më vuri plaka para një thes.

 

Fut dorën, tha, merr ç’të zë dora!

Kam mall të mirë, mos e ki peng!

Të gjithë djaj, të gjithë horra,

sa qerratenj, aq pizevengë.

 

Çahen me brirë, rrihen me bishta,

hapin me thonj plagë të trishta.

Çdonjëri thotë jam më i miri,

të më thërrasin ‘shejtan mulliri’.

 

Mars, 1959.

Please follow and like us: