Albspirit

Media/News/Publishing

Rudina Papajani: ‘RADIOGRAFI’ E SHPIRTIT…

 

Fokus

 

Kjo është pjesa më e bukur, disi më e pashprehur, por shumë e ndjerë në vetvete apo në raportet me atë që do apo me miqtë. Duke u akorduar në shpirt bëjmë një ‘radiografi’ të kujtimeve, të një përgjigje pa rezerva apo emocioneve ku flasim pa dorashka  e nuk ndruhemi si në jetën e të përditshmes. E gjitha na shfaqet si një fushë e blertë ku topin e pozicionojmë në pjesë të caktuara nga ku duhet të shënojmë apo të ecim për fitore.

Në brendësi ndjejmë qetësinë, aprovimin, detajet apo pikat e dobta ku ndodhemi. Çdo ditë, çdo minutë lë gjurmë në shpirt, kanalizon energjitë pozitive apo negative, një dimension unik se ku duhet të fokusohemi duke na shfaqur një horizont që shikohet drejt e në sy si një labirint ku shpresa qëndron pa limit.

Duke bërë një ‘radiografi’ të brendshme kuptojmë praktikat e hidhura që njerëzit mundohen të na i sevirin apo aksese mediokre që atribojnë çaste dhe minuta stresante në shpirtin tonë, duke dashur të na marrin atë aftësi krijuese, humane apo shpirtërore. Atëherë bëhet zgjedhja ndërmjet përshtatjes me limit apo një lirie që duan të na i kushtëzojnë apo të përfitojnë në emër të një diçkaje.

Ky diferencim në kohë sjell stabilitet në shpirt, avancim dhe besim në vetvete duke i nisur me idenë se ‘riformatimi’ i brendshëm është objektiv parësor, nëse nuk do që nesër të ndihesh e vrarë shpirtërisht apo e përdorur nga dikush. Duke menduar kështu nuk ka pengje në brendësi sepse i thua vetes se lufta e brendshme e shpërfill fatin e keq.

Në një farë mënyre duhet  ‘ushqyer shpirti” për të shmangur idenë e zvarritjes apo lëpirjes në jetën që na diktohet. Duke analizuar në shpirt shikojmë realitetet, reflektimet, realitete false që na paraqiten, botë të pandjera, duke na arritur në atë momentin e një ‘rezolute’ të brendshme që nesër mos të mbylleni në vetvete.

Secili prej nesh është një individ që mbart elementin e të qenurit unikal, ndryshe… dhe pikërisht kjo gjë nuk duhet ndryshuar apo imponuar ndryshe, çdo herë duhet të ‘vrapojmë’ ëmbëlsisht tek vetja pa ndryshuar asnjë presje sepse vetëm aty gjendet forca jonë e madhe, përgjigja ku ne jemi mbreti apo mbretëresha e fatit tonë.

Ka raste kur jeta na duket fushë e minuar, ku pikërisht ata që të duan të zgënjejnë duke na ‘helmuar’ pak nga pak me mbartur apo ide të gabuara. Atë çast buzëqeshja jonë fiket, jeta duket gri dhe koha të rëndon plumb. Këtu gjendemi vetëm, ulemi dhe flasim me shpirtin që sillet rrotull nesh si ai fëmija që gjithmonë nuk plaket dhe të rrigjeneron me rininë e vet. Atë çast ndjen një reflektim… një këshillim që të bërtet duke të dhënë forcë me idenë se askush nuk ka të drejtë të të lëndojë apo keqpërdor ty. Gjithkush është brenda furtunë, lëndinë e pashkelur, dritë në fund të tunelit, vullkan që zjen. Mos i zgjoni, ndryshe do të përballeni me det e tërmet, me vlerën e një dinjiteti ku zgjidhja ka vetëm një emër… EVOLIM SHPIRTI.

Please follow and like us: