Albspirit

Media/News/Publishing

Mimoza Koka: Skica e Çehovit ‘Në Det’

Skica e Çehovit “Në Det” është ndoshta një nga krijimet më të panjohura dhe të papërmendura të tij. Ky krijim nuk është tregim, por një skicë që sintetizon një mendim shumë të thellë. Në kushtet kur jetojmë në një botë kaq materialiste, ku me sa duket çdo vlerë morale dhe shoqërore matet me vlerën e parasë, mesazhi që përcjell skica është shumë i rëndësishëm.

Do të paraqes një përmbledhje të kësaj skice, ku shpresoj të jem e saktë, sepse ka shumë kohë që e kam lexuar.
Narrativa është realizuar në vetën e parë dhe janë kujtimet e një djali 14 vjeçar, i cili kishte vetëm babanë, një detar që pothuaj gjithë kohën e kalonte në udhëtimet në det. Në këto udhëtime ai merrte dhe djalin e tij, pa u kujdesur asnjëherë për edukimin dhe ndikimin që shoqëria e ashpër dhe e ndyrë e detarëve kishte mbi të.

Një nga argëtimet e detarëve ishte përgjimi i çifteve të rinj në dhomat e e tyre, në dyert e të cilave ata kishin hapur një të çarë. Babai gjithmonë e merrte djalin në këto argëtime dhe asnjëherë nuk shqetësohej për ndikimin që kishte te djali zhargoni i ndyrë dhe lapërdhar i këtyre detarëve gjysmë të dehur.

Në një nga këto udhëtime, dallonte një çift i ri, ku gruaja e re ishte shumë e bukur dhe bukuria e saj ngjallte zilinë e të gjithë burrave të tjerë në anije ndaj burrit të saj. Në një kënd të anijes rrinte gjithmonë një tregtar 50-vjeçar, me një bark të kërcyer, i rrumbullakosur dhe ndërkohë i veshur shumë shik. Ai ishte tepër fodull, nuk fliste me njeri dhe dukej nga larg që ishte shumë i pasur.

Detarët si gjithmonë prisnin mbrëmjen për të përgjuar çiftin e ri. Nga e çara e derës, dallohej gruaja e bukur, e ulur në cep të shtratit dhe në këmbë, përballë saj ishte i shoqi që dukej që i lutej për diçka. Pamja e gruas ishte e shqetësuar dhe ajo dukej që e kundërshtonte me forcë të shoqin. Dalëngadalë rezistenca e saj bie, dhe me një lëvizje të lehtë të kokës, ku dallohej lodhja dhe trishtimi, ajo duket se e pranoi atë që i kërkonte i shoqi. Pas kësaj i shoqi hap një derë të vogël përballë tij dhe në dhomë u fut tregtari i pasur. Në cep të dhomës ai i numëroi dhe i dorëzoi një tufë kartmonedhash burrit që të gjithë në anije e kishin zili për bukurinë e gruas së tij. Burri largohet nga dhoma dhe gruaja e bukur ngeli vetëm me tregtarin e pasur.

Këtu, djali 14 vjeçar që e tregon këtë histori thotë; —- Pas kësaj, babai im një pijanec gojështhurur dhe lapërdhar më tha: – Largohu djalë, këtë pamje nuk duhet ta shohësh ti.

Please follow and like us: