Albspirit

Media/News/Publishing

Ismail Xhaferi: Baladë cigane

 

Nata zbriti përsëri,

Kudo errësirë,

Arixhiu dhe arixhofka,

Buzë lumit shtrirë.

 

Nuk u plas se nuk kanë luks,

As çfarë thonë të tjerët,

Një qiri digjet pranë tyre,

Në natën e errët.

 

Që të dy në heshtje zhytur,

Pa asnjë merak,

Tetë fëmijë të shtrirë pranë tyre,

I nënti në bark.

 

Tetë fëmijë të veshur keq,

Katër palë këpucë,

Kur hanë darkën nuk hanë drekën,

Gjithë ditën në lucë.

 

Fryn pak erë nëpër shelgjishte.

Tret mjegullën blu,

Dhe fustanin arixhofkës,

Ja ngre përmbi gju.

 

Ndërsa hëna krejt e zbehtë,

Endet përmbi re!

Arixhiu pëshpërit,

Shpirt o Aishe!

 

Lumi ecën dalëngadalë,

Nata uli perdet,

Dhe mendimi i arixhinjve,

Nëpër lumë u endet.

 

Nëpër lumë ku thurin shporta,

Ku jeta rrjedh qetë,

Dhe ku trungun e një shelgu,

Kanë për tualet.

 

Shtrirë e përqafuar bashkë,

Nuk u plas prej botës,

Këmbët pleksur midis tyre

Si thuprat e shportës.

 

Titulli në original ‘Arixhiu dhe arixhofka’.

 

Please follow and like us: