Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Arka e Noes

 

Arka e Noes s’u zbraz
as kur ylberi shkëlqej mbi det,
ernat pushuan dhe deti ra në gjumë.

Ajo s’u zbraz as kur pëllumbi i bardhë kaloi para saj
e nëpër dyert e ngushta brofën të shastisurit
m’ i prekë të gjitha ngjyrat e shkëlqimit përnjëherë.

Ajo lufton e dehur me stuhinë,
me shiun e zi që bie pa pushim
me batakçinjtë që tokën e kanë dhi.

Qysh atëherë kur njerëzit e dehur i pushtoi dëshira
m’ u kacavjerrë nëpër ngjyrat e ylberit,
më beso – paqja kurrë s’u shtri mbi toke.
As kur pëllumbi u shfaq qiellit blu
e ty të kapi dëshira m’u dehë në buzët e ëmbla,
plo afsh,
me vdekë aty e me ruajtë çastin e fundit për përjetësi.

Paqja s’u shtri mbi tokë,
as kur ra nata,
e ylberi u zhduk në orbitën e errësirës
si i panjohuri pas një kodre të madhe
e as kur errësira davarit dhe erdhi dita e re,

Paqja e përgjithshme kurrë s’u shtri mbi tokë,
ndaj varka vazhdon të luftojë me stuhi.

2012.

Please follow and like us: