Albspirit

Media/News/Publishing

PROF. XHEVAT LLOSHI, VLERË MONUMENTALE E ALBANOLOGJISË

Dr. Skënder ASANI – drejtor i ITSHKSH-Shkup

Si anëtar i këtij komisioni, e ndjej për nder të jem në mesin e atyre që e çmojnë punën kolosale të albanologut tonë Xhevat Lloshi, kurse Çmimi “22 Nëntori” është kurora më kuptimplotë e mirënjohjeve tona ndaj tij.

Xhevat Lloshi është ndër pjesëmarrësit e paktë që kanë mbetur nga Kongresi i Drejtshkrimit. Ai sot vlen si albanologu më i madh i gjallë dhe si vlerë monumentale e albanologjisë.
Ndonëse ka dhënë kontribut të çmuar për gjuhën standarde, emri i Xevat Llosht lidhet pandashëm me Kongresin e Manastirit. Ai ka bërë studimet më të thella, më të rëndësishme dhe më të mëdha që janë bërë, mbase, përgjatë gjithë shekullit të kaluar dhe në këtë fillimshekulli.
Përveç dimensionit shkencor, siç janë ndërlidhja e Kongresit të Manastirit dhe Kongresit të Drejtshkrimit, Xhevat Lloshi është bashkëpunëtor i ngushtë i institucioneve shkencore dhe arsimore në Maqedoninë e Veriut. Veprën e tij “Kongresi i Manastirit” e ka botuar në Shkup, ndërsa veprën monumentale voluminoze “Gjer Qiriazi dhe Kongresi i Manastirit” e ka botuar nën siglën e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, ku është i angazhuar edhe si bashkëpunëtor i jashtëm.
Zgjedhja e tij për këtë çmim është mirënjohje për vetë çmimin, sepse sot nuk ka asnjë personalitet që lidhet kaq ngushtë dhe përnjëherë edhe me Kongresin e Manastirit dhe me Kongresin e Drejtshkrimit, por edhe me albanologjinë që zhvillohet në vendin tonë. Nëse pas David Hosaflook-ut fitues i këtij çmimi është Xhevat Lloshi, kështu ia rrisim vlerën këtij çmimi, ai bëhet shumë prestigjioz dhe jam i sigurt se në të ardhmen aplikuesit për këtë çmim do të jenë së paku të këtij niveli.
Ndërlidhja e emrit të Xhevat Lloshit me historinë e alfabetit, me drejtshkrimin, gjë që paraqet edhe orientim për Institutin tonë, është dëshmi se komisioni për ndarjen e çmimit “22 Nëntori” ka bërë përzgjedhje përtej pritjeve të rëndomta të mjedisit tonë.
Si anëtar i këtij komisioni, e ndjej për nder të jem në mesin e atyre që e çmojnë punën kolosale të albanologut tonë Xhevat Lloshi, kurse “22 Nëntori” është kurora më kuptimplotë e mirënjohjeve tona ndaj tij.

 

Please follow and like us: