Albspirit

Media/News/Publishing

Poetja shqiptare Irma Kurti: Çmimin e parë ia dedikoj prindërve

Poetja shqiptare Irma Kurti: Çmimin e parë ia dedikoj prindërve  

 

Fituese në Konkursin Ndërkombëtar “Universum Academy” në Zvicër

 

Poetja shqiptare Irma Kurti vlerësohet me çmim të parë në Konkursin Ndërkombëtar “Universum Academy” në Zvicër në seksionin e poezisë së botuar. Ajo konkuroi me librin me poezi në gjuhën italiane: “In una stanza con i ricordi” (Në një dhomë me kujtimet), i botuar në vitin 2019 nga Pedrazzi Editore.

“Jam e gëzuar për marrjen e këtij çmimi jo vetëm pse është një vlerësim për krijimtarinë time” thotë ajo, “po edhe pse isha e pranishme në ceremoninë e shpërndarjes së çmimeve, që ndonëse me vonesë, për arsye të pandemisë, u organizua në Montesilvano, Pescara, pak ditë më parë. Këtë çmim ia dedikoj prindërve të mi, Hasan e Sherife Kurti për mbështetjen e madhe që më kanë dhënë në çdo hap të rrugëtimit të gjatë letrar, por gjithashtu të gjithë dashamirësve, që më ndjekin e më inkurajojnë në këtë udhëtim të bukur e të vështirë”.

Irma Kurti banon prej vitesh në Itali; ka botuar 20 libra në gjuhën shqipe 12 libra në italisht, ndër të cilat poezi, tregime e romane. Librat e saj janë përkthyer dhe në gjuhën angleze, spanjolle, rumune etj.

Poetes shqiptare së fundi iu dha titulli “Akademike dhe presidente nderi” e Enciklopedisë poetike italiane, për kontributin e saj në poezi.

Please follow and like us: