Albspirit

Media/News/Publishing

Vargje poetike nga Irma Kurti

Rruga me pluhur

Nuk jemi larg nga njeri- tjetri,
një rrugë e pluhurosur na ndan.
Kaloj shpesh aty, ndërsa boritë
e makinave, thirrjet e kujtimeve
të së kaluarës mbulojnë në çast.

Sa shumë që i druhem vështrimit
si dhe cinizmit tënd të pamasë!
Je i ri, por në shpirt mllefi,
zemërimi të dominojnë; ti çdo
germë dhe fjalë timen e peshon.

S’di, do të më duash një ditë
me ndjenjën e dëlirë si dikur;
a do të çlirohesh nga mllefet,
do ta kuptosh që s’ka ndodhur
asgjë dhe gjaku nuk bëhet ujë?

Pyes veten në tërë këto vite:
“Vallë çfarë kufiri dashurinë
me urrejtjen, të dyja i ndan?
Letra trasparente e cigares,
një tel i fortë a një fije”?

Jeta shkurtohet me gërshërën
e një rrobaqepësi, pamëshirë,
hendeqet thellohen, dashuritë
fiken e ndahemi për së gjalli
nga rruga me pluhur, unë e ti.

Je mërzitur me mua

Ndoshta ti je mërzitur me mua
vërtet s’të vë faj, u bë kaq kohë,
shpesh kam qarë në gjoksin tënd
e mbytur në mërzi, në lot.

Dhe pas çdo takimi pyetja:
“Kur do të shihemi sërish?”.
Në këtë qytet të mekur nga vapa, fjalët
të rralla takimet tona, sigurisht.

Ndonjëherë kthej kokën të vështroj
në çastin kur je larguar nga unë,
ti nxiton, unë nuk dua ta kuptoj
se s’mund të të kem pranë vetes, si dikur.

Sepse më pëlqen të të jepem vetëm ty,
të flas si e marrë, të qesh , të qaj,
të futem në një botë të pakapshme,
të provoj ndjesi që askush tjetër s’m’i fal.
Marrë nga libri poetik: “Këtë natë me ty”, 1999.

Please follow and like us: