Albspirit

Media/News/Publishing

Mevlan Shanaj: Requiem për sytë e aktorit Vangjush Furxhi në ekranin shqiptar

Aktori në ekran nuk mbahet mend nga numri i pafund i filmave, por nga karakteret që realizon dhe nga transformimi që mishërohet në këto interpretime. Të arrish në krijime të cilat mbeten në kujtesën e shikuesit, padyshim duhet të kesh udhëtuar gjatë në të fshehtat e profesionit të aktrimit. Të fshehta që nuk mundesh t’i gjesh me lehtësi, përpos një magjie të organizimit të psiqikës pas thellimeve të pa treguara as nga librat as nga siguria e profesionit, por nga zeja e brendshme prej skllavi që vetëm punon pa i shkelur syrin vetes. Detyra bazë e aktrimit është tipizimi i karaktereve përmes ushtrimit për ndryshim. Nëse syri i aktorit nuk arrin të përjetojë dilemat dhe pyetjet njerëzore, mbetet edhe kur është i bukur, si një vitrinë ku vizitorët kalojnë pa ta kthyer kokën, si një mall i ekspozuar në vitrinën e fruta-perimeve. Pasuria më e madhe shprehëse në ekran është syri. Aty shfaqet psikofizika, dhimbja dhe gëzimi, mendimi i vuajtjes apo i lirisë, pasuria dhe skamja, dashnori apo i tradhëtuari, heroi apo spiuni, i lumturi apo i vuajturi, i mashtruari apo i ndershmi. Syri i aktorit është kulmi i mjeshtrisë që përcillet me nuancat e ndjeshmërisë më të vogël, më të rëndësishme. Syri përjeton çastin sipas rrethanave dhe ky moment përjetësohet në celuloid. Janë arritjet e aktrimeve që mbahen mend aktorët më të mëdhaja nuk janë pamjet kartolineske. Në ekranin shqiptar kemi shumë shembuj të arritjes së krijimeve të komunikimeve aktoreske që kanë shënuar vraga në shpirtin e shikuesve. Nëse një aktor ka syrin shprehës veprues është i bekuar në profesionin që ka zgjedhur. Aktorët që arrijnë komunikimin deri në një sekond vështrimi janë më jetëgjatët. Në fund të fundit, kamera përfaqëson syrin tonë.

Please follow and like us: