Albspirit

Media/News/Publishing

Jorida Tabaku: Inceneratorët po i marrin shqiptarëve 400 milionë euro nga xhepi

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku i cilëson konçesionet me partneritet publik-privat, të implementuara nga qeveria Rama, vjedhje të taksave dhe veçon 3 PPP-të e inceneratorëve si abuzimet më të mëdhaja. Sipas Tabakut, inceneratorët po marrin në mënyrë të padrejtë dhe të jashtëligjshme 400 milionë euro nga xhepat e shqiptarëve dhe se 25 Prilli është një mundësi për te çuar përpara drejtësisë këdo që ka ideuar, zbatuar e paguar kete vjedhje.

Në një status në Facebook, ajo akuzon qeverinë Rama se “ka shkelur mbi 10 procedura ligjore në dhjetor 2016 kur i dhuroi një kompanie të themeluar gjashtë muaj përpara për t’i dhënë inceneratorin e Elbasanit. Të njëjtën skemë ndoqi edhe për inceneratorin e Fierit dhe së fundmi edhe për inceneratorin e Tiranës”.

Të tre këto inceneratorë do të paguhen nga taksat e shqiptarëve dhe vlera përfundimtare e faturës së tyre është 400 mln euro. 79 milionë euro janë paguar në total dhe nuk ka filluar akoma puna. Bashkia e Tiranës ka rritur mbi 35% tarifën e pastrimit. Qytetarët e Tiranës paguajnë më shumë tarifë pastrimi, bizneset në Tiranë paguajnë më shumë tarifë pastrimi por qytetarët e Durrësit u mbushën nga plehrat pikërisht që inceneratori i Tiranës të menaxhojë mbetjet e tyre. Ndërsa Durrësin e mbysin në plehra dhe Tiranën në taksa, inceneratori i Fierit ka marrë deri më sot 24 mln euro (2 mln euro më shumë se kontrata fillestare). Sipas kompanisë që fitoi PPP-në, godina e inceneratorit duhet të përfundonte në shtator 2019. Një vit e pak pas kësaj date godina nuk ka përfunduar dhe dyshja Ahmetaj-Mëritiri, nën bekimin e bashkëpronarit tjetër Rama, vazhdojnë e marrin taksat e shqiptarëve për një punë të pakryer. E fundit, por jo për nga rëndësia; deri më sot asnjë zyrtar i lartë nuk ka mbajtur përgjegjësi për vjedhjen dhe abuzimin me 400 mln euro të inceneratorëve”, shkruan Jorida Tabaku.

Please follow and like us: