Albspirit

Media/News/Publishing

Shaban Murati: Një nga çuditë e politikës tribale shqiptare të tranzicionit

Një nga çuditë e politikës tribale shqiptare të tranzicionit është se disa autofilozofë politiko-folkloristë shqiptarë kanë shpikur tezën e padëgjuar botërore që e drejta për të sunduar të tjerët buron nga lartësia e malit ku ke lindur. Rrahagjoksit e kësaj teze duket i ndjejnë defiçiencat brenda kokës së tyre derisa mendojnë se nga lartësitë e metrave të malit të tyre duhet të dekretohen apriori privilegjet e sundimit të tyre mbi qytetarët e tjerë.
Me këtë logjikë folkloriko-mburravece shqiptare i bie që drejta për të sunduar botën t’u takojë nepalezëve, që kanë lindur dhe jetojnë në malin më të lartë të botës, Himalajet. Për fat të keq gjeografia botërore nuk u vjen në ndihmë, sepse provon që lartësia e malit është relative dhe as në fantazitë më të dehura nuk pjell të drejtën e skeptrit. Sepse mali më i lartë në botë është 8,8 kilometra, por ai humbet në pikën më të thellë të oqeanit, që është 11,5 kilometra e thellë, ku zhytet edhe kjo filozofi infantile shqiptare.
Sikur nuk mjaftojnë mollët e shumta të sherreve të përçarjes, që na ka lënë historia brenda nesh, por duhet të shtojmë tani edhe shpikjen e re tribale të ndarjes midis malit dhe detit.
Tribalizmi politik shqiptar duhet të kullohet se ambicjen dalldisëse për të drejtën e sundimit nuk e ndihmon dot gjeografia e lindjes. Ndaj është vite drite larg demokracisë.

Please follow and like us: