Albspirit

Media/News/Publishing

Azgan Berbati: TË LUFTOSH PËR DRITË, KUR UDHËHIQESH NGA TERRI

Lënda për formimin e një universiteti cilësisht tjetër nga ai që jemi mësuar të shohim 4-vjeçarin e fundit, nuk mund të krijohet nga ata që e shkatërruan atë, që e lanë pa lëndë, pa qëndrim, pa liri akademike dhe pa autonomi; madje edhe emrin tentuan t’i’a hiqnin. Ata emër që e bënte unik.

Tashmë dëshira për të ndryshuar universitetin mbetet utopi, tashmë është tepër vonë që Universiteti Bujqësor i Tiranës të jetë ekzistent, në krejt kuptimin, përveç atij iluzionist.

***

Universiteti “tjetër” duhet të dizenjohej i tillë që së pari, ekipi i ri drejtues të mos ketë patur lidhje me korrupsionin dhe, as me dyshimin më të vogël për këtë lidhje, në skenën e së cilës shfaqen frikshëm çdo ditë.

Së dyti: gravitacioni i ri duhet t’i afrojë vlerat, njerëzit që i japin jetë universitetit, që e bëjnë aset atë.

Së treti: të rritej përfshirja e të gjithë universitarëve në vendimmarrje, dhe jo vetëm, meqenëse universiteti është i të gjithëve, etj, etj, etj…

Këto, jo vetëm që nuk u mendua të ndodhnin ndonjëherë, por më keq akoma, ndodhi e kundërta.

Jo vetëm që korrupsioni është ai, i cili i solli aty, prandaj dhe i paasgjësueshëm nga ana e tyre, jo vetëm që universiteti mbeti pezull, pa gravitet, por më zi akoma, rektori urdhëron çiliminjtë e tij, se si, madje dhe çfarë note t’u vendoset studentëve, atyre që shkruajtën dhe nuk shkruajtën në provim, mësuan ose jo, janë me mesataren më të lartë ose jo; ç’rëndësi ka në fund të fundit: meritokracia, dinjiteti, ëndrra, morali, ligji, etj, derisa përcaktohen si imateriale; ç’i duhen rektorit të universitetit!?!…

E rëndësishme është të afrohet mbesa, nipi, daja, djali, vajza; pra kriteri i vetëm duhet, patjetër të kesh lidhje farefisnore, ose, ose ndonjë femër më shumë për të çliruar stresin e shifrave të parave nga djersa e prindërve dhe vetë studentëve.

Femra, së paku duhet të jetë joshëse për kryefushën e universitetit dhe analogëve të tij.

Të vishet e të sillet provokuese, sepse komisioni i etikës është sa për t’i mbushur mendjen atyre, që bëjnë si autori i këtij shkrimi, qëndrojnë oponent dhe pretendojnë dinjitet.

***

Kjo ndodh vetëm kur, dhe këtu bëhet fjalë për gabime fatale të jetës akademike, të vazhdimsisë së universitetit, pa u mbështetur në parimet bazë të integritetit.

Te kjo ndodhi fillon edhe mjerimi, zhgënjimi i atyre që akoma besojnë në gjëra imateriale, si ëndrra!

Kështu fillon dhe mbaron me shpejtësi çdo gjë, madje kaq tragjike duket, sikur nuk ka as fillim, por thjesht vazhdim të asaj që la përgjysëm paraardhësi, i cili për të mos kallëxuar poshtërsitë e veta, i nguli thikën mbas shpine pjesës më vitale të universitetit, nuk qe i zoti t’a mbronte atë, nuk qe i zoti të justifikonte kryesinë, nuk qe burrë, ose ndryshe, qe ekzaktësisht ashtu siç e quante një politikan (që për arsye etike nuk po e përmend) i cili i kishte krijuar jetën (sipas tij).

***

Nuk ka rëndësi mënyra e qëndrimit në karrige, e drejtimit të universitetit.

E rëndësishme është që të ulet nën zero transparenca dhe të rritet në stratosferë tarifa vjetore që paguan çdo student.

Dhe, a e dini pse ekzaktësisht kështu?!

Sepse, ne si universitet kemi nevojë për një restorant në Rinas, në atë copë tokë që s’e kemi falur ende, kemi nevojë për një fushë hipizmi, për një fushë golfi, madje duhet edhe ndonjë hotel, se moteli u përfol që do ndërtohej në zemër të universitetit, në kohën kur unë dhe një grusht i vogël studentësh e pedagogësh (shumica zotërinj dhe me dinjitet, por ndër ta edhe ndonjë spiun) pretendonim të ndalonim dëshirën e kryehorrit të shtetit shqiptar, bashkë me sozinë e tij në krye të universitetit tonë.

Prandaj, kjo na shërben neve, i shërben integritetit dhe mbi të gjitha është vendi ideal, ku nesër mund të përshtaten dhe akomodohen të gjithë ata, të cilët projektohen sot si të tillë, pra që do paguhen si shkencëtarët e shekullit të ri, por pa harruar që do specializohen jashtë vendit, sepse nuk mund të jetë aq klasik universiteti tashmë, saqë t’a kryejë këtë punë me gjela deti; ka ndodhur gjithë ai progres, tashmë ka forma të tjera.

***

Tashmë, u krijua një kohë, e cila nuk i përngjet fare të ardhmes, por një përplasjeje, ku e ardhmja gjasme përpiqet të shkulë atë që fatkeqësisht u instalua, si një prurje, e cila, nuk i përngjet, madje as asaj, kohës tepër të largët; por një gjëje të paemër, që sikur vota, shitet si kohë e ardhme.

Ku studenti thirret në telefon nga pedagogu për të votuar; ndonjë që “shpëton” pa u telefonuar, i thuhet:”Firma ime vendoset mbi diplomën tënde!!!!!”

Ku i paafti drejton dhe e ardhmja, shikoni sa me dhimbje shprehet, një dhimbje permanente që na godet të gjithëve njëherësh, me përfundim fatal, tragjik, pikërisht aty, në vendin e njerëzve të veçantë, në universitet!

Please follow and like us: