Albspirit

Media/News/Publishing

Bilbil MEMAJ & Zaho GOLEMI: PENË E SHQUAR E INTELEKTUALIT TË MALLAKASTRËS

Bilbil Memaj

Zaho Golemi

 

(Kushtuar doktor Asqeri Llanaj, atdhetar, shkrimtar, historian, poet, veprimtar i spikatur shoqëror me interesa mjaft të gjera, intelektualit që i bën nder Cakranit, Mallakastrës dhe letrave shqipe me penën e tij që ndriçon shekujt për trevën mallakastriote dhe më gjerë)

 

Në jetën e një komuniteti është e lehtë të gjesh emra gjurmësh në histori që kanë luftuar me shpatë, pushkë e trimëri, por është vështirë të gjesh e të kërkosh penat që skalitin e gdhendin historinë e tyre. Nuk ka lexues që të lexojë Asqeri Llanaj dhe të mos mbushet me frymëzim e respekt, por edhe me krenari për vlerat që mbart puna e tij atdhetare e dokumentuar në libra dhe tejet e përkushtuar. Mallakastra ka intelektualë të zotë dhe të përkushtuar në fusha të ndryshme të jetës, por Asqeriu bën dallim e diferencë, për këmbënguljen dhe pasionin për ta kryer hulumtimin historik në detaje. Veprimtaria e doktor Asqeriut rrezaton larg, thellë në histori duke pastruar pluhurin historik të shekujve dhe është punë plot vlerë si gjurmë civilizimi e qytetërimi krahinor e përtej krahinor, si kontribut në letrat kombëtare në përjetësi për brezat që do të vijnë. Asqeri Llanaj është stoik dhe padyshim qëndron madhështor përkrah figurave më të spikatura të zonës së Cakranit, të Mallakastrës e të gjithë Shqipërisë sepse ka shumë veçori specifike, për kohën që jetojmë, ku mbi të gjitha qëndron objektiviteti, njerëzillëku, dashamirësia, korrektësia  dhe përgjigjet e tij janë kaq të natyrshme larg kërkimit të sureales dhe as “lajmeve të mëdha”, bombastike. Ai është argumentues e bindës, në mënyrën e vet të pandryshueshme e që nuk shkel kurrë në dërrasë të kalbur, mbi të gjitha nuk e duron shtrembërimet historike. Të punosh si letërsi si skulptor, që gdhend shkëmbin, si arkeolog që pastron çdo lloj balte në gjetjet arkeologjike, që të dalë realiteti parahistorik, klasik, mesjetar e bashkëkohor është të punosh me ndërgjegje të pastër, në lëmin e historisë së vendit tënd. Ai e di mirë se historia ndodh vetëm një herë dhe interpretohet në dhjetëra e në mos qindra herë, por në fakt ka vetëm një histori të vërtetë, për krahinat, trevat, kombin dhe për kombet. Kështu, Asqeri Llanaj kërkon në punën e tij t’i përafrohet sa më shumë të vërtetës reale, të vërtetës që frymëzon dhe rrënjos besueshmëri dhe kthehet në një shembull e burim frymëzimi për të gjithë ne bijtë e zonës së Cakranit, për të shkruar, për ta dokumentuar jetën e historinë, traditën, doket, zakonet, etnografinë, këngët në shekuj dhe deri në ditët tona, duke lëmë gjurmë të fuqishme për pasardhësit, për brezat që janë e do të vijnë, për ta dorëzuar jetën si stafetë dhe amanet atdhetarie. Doktor Asqeriu e ka lidhur jetën me librin, sepse sikurse thoshte Ciceroni, “Një dhomë pa libra, si një trup pa shpirt”. Tek libri qëndron mësuesi dhe miku i vërtetë, një shok i përjetshëm i njerëzimit, që i rrit vlerën kulturës njerëzore në familje, në institucione, në udhëtime, në të vërtetën kureshtare rreth fshatit, krahinës kombit, edhe pse të shkruarit e një libri, është sfilitëse, sfidë, rezistencë, besim, shpresë dhe fitore. Vetëm shkrimtari që shkruan provon sfidën e madhe të qetësisë së prishur, të impenjimit të gjatë kohor, të kufizimeve në limitet e të qenit me familjen. Është më thjeshtë sfida e sfidave. Kështu e shikon Asqeriu të shkruarit, si depërtim në çelësin e portës së detit të dijes, që në të vërtetë është detyrë e detyrim jetik, delikat dhe shumë i rëndësishëm, për të sotmen dhe për të ardhmen.

Doktori penëartë mallakastriot

Asqeri Llanaj është produktiv në krijimtari, një studiues dhe hulumtues i pasionuar i historisë kulturës e traditës mallakastriote, gjithmonë i prirë pranë njerëzve të thjeshtë dhe pranë halleve, i devotshëm, i pakursyer, kërkues i paepur, që nuk e njeh humbjen. Asqeriu është kategori e veçantë e elitës mallakastriote, që ka ditur ta kërkojë dhe ta gjejë përmes veprës të madhërishmen e vendlindjes së tij. Tek thjeshtësia qëndron modestia, edhe pse në shpirtin e tij gurgullon një lumë i gjerë dhe i thellë mendimi, punon e  sakrifikon, nuk di të ndalet dhe as të ankohet, kontributin e quan detyrim intelektual sepse e “ka thirrur në detyrë” ndërgjegjja qytetare. Për Cakranin e Mallakastrës është një shans që ka një djalë të burrëruar dhe të pjekur, që edhe pse banon në Vlorë, një dentist shumë i njohur trevën e vet e ka bërë kombëtarisht të njohur me aftësitë dhe librat e tij. Ai i ka kapërcyer që prej tre dekadash dhe ka flakur klishetë. Dikur shërbente si stomatolog i shquar, por ishte veprimtar shoqëror aktiv, biograf, studiues historiografie, etnolog, sociolog, një shkrimtar që vendin në penat e shekullit e “rrëmbeu” me meritë të plotë. Qenka plotësisht e vërtetë maksima se “parfumi më i mirë në jetë është parfumi i punës” dhe kjo vërtetohet më së miri tek doktor Asqeri Llanaj. Kontributi i tij në krijimtari letrare e sidomos krijimtari historike e ka pasuruar vit pas viti, duke pasuruar shumë bibliotekat e mallakastriotëve dhe jo vetëm në një gjerësi të madhe intelektualësh në mbarë vendin. Ai depërtoi natyrshëm në letërsi nga me libra të karakterit profesional stomatologjik, kur lexuesi gjente: “Kujdesi për gojën – kujdesi për shëndetin”, “Komunikimi mjek–pacient”. Këshilla për protezën totale”, që janë libra që formatohen në një lidhje logjike përtej akademizmave, por që bindin lexuesin në vlerën e tyre. Më tej Asqeri Llanaj depërtoi në të padepërtueshmen me  “Cakrani në rrjedhat e kohës”, “Dëshmorët e zonës së Cakranit” etj., që janë të formatit historik, por që për kompleksitetin e ngjarjeve, jo çdo intelektual guxon të shkojë në shtigje të pashkelura. Mençuria dhe fisnikëria e Asqeriut shpalosi shpirtin dhe dufin e tij intelektual, “pa çarë kokën” dhe me guximin e njeriut-vlerë të mirëmenduar dhe sigurisht komuniteti njerëzor i Cakranit, Mallakastrës dhe më gjerë intelektualë nga e gjithë Shqipëria e kanë mirëpritur jo për formalizëm, por për vlerën që mbart vepra e tij me stil të hapur dhe të drejtpërdrejtë. Dalja para lexuesit me  vëllimin “Vdekja nuk di të trokasë”, një refleksion i mbledhur nga jeta, “Jetën ia kushtoi naftës”, “Ditari i një partizani”, “Mësuesi i palodhur”, “Ferro Feta Skënderaj”, “Haxhi Banaj” për militantin mallakastriot Nuredin Aliu e shumë vepra të tjera janë fryt i një pune plot vullnet, që u ofron brezave shpirtin e tij brilant për të gdhendur figurat që kanë bërë histori të së kaluarës dhe që janë vlerë e së ardhmes. Asqeriu është konkret, nuk i pëlqen debatet shterpë që nuk të çojnë asgjëkund. Ai është mesazh përcjellës duke kërkuar fort faktet historike, për zonën e Cakranit në thellësi historike në kohën e tanzimatit, të LSHP, të Luftës së Vlorës, të LANÇ-it, kërkon për të internuarit e zonës së tij në kampin famëkeq të Zemunit, për të masakruarit, sikurse është “Karafila nga Zemuni”, apo libri i shkrimtarit, që dalton portretin e Prof. Dr. Fatmir Agalliut, këtë pedagog të shquar të Morfologjisë, ish-profesor i shkrimtarit Llanaj. Nuk ka intelektual dhe lexues i thjeshtë që të mos gjejë në veprën e doktor Asqeriut vlera të spikatura njerëzore, letrare, historike e profesionale. Një tjetër vepër e shkruar jo me bojë, por me daltë, është monumenti-vepër që i kushtohet atdhetarit të shquar Kristo Floqi, që tejkalon kujtimet gojore, zbret në lëmin e arkivistikës si dëshmi arkivore që mbush plotësisht figurën një firmëtari të Aktit të Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë. Në penën e tij janë mësuesi dhe biri i Cakranit, Ballëm Mete, që e portretizon bashkë me ish-ushtarakun e lartë Asllan Gropasi duke nxjerrë një portret mësimdhënësi, intelektuali e atdhetari me vlera. Lexuesi gjen në veprën e tij heronj e dëshmorë, të pushkës e të penës, sikurse gjen edhe “intelektuali dhe shkencëtari  Hysen Çobani”, që i referohet bujqësisë, kooperativës së Cakranit, jetës së një komuniteti punëtor e të sakrificës. Pena e shkrimtarit ka kënduar e portretizuar Abaz Muçajt, Et’hem Kapllani etj., për çështje shqiptare të fundit të shekullit XIX e të gjysmës së parë të shekullit XX, për kontributin e atdhetarëve shqiptarë në Kongresin e Lushnjës, për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, për ngjarje monumentale të bashkimit të shqiptarëve si dhe veçanërisht për reagimin e mallakastriotëve pas kushtrimit të Mehmet Shehu për luftë Kundër fashizmit gjatë LANÇ-it, si dhe për mjaft probleme të tjera të prekshme për Cakranin Mallakastrën e më gjerë. Kur flitet për shkrime për Cakranin, ka edhe smirëzinj e shakaxhinj që thonë se “historinë e Cakranit e ka marrë me koncesion doktor Asqeriu”! Edhe pse librat nuk janë kurrë të mjaftueshëm, dhe “dyert” e njerëzimit janë të hapura gjithmonë, por veç puna është shumë e mundimshme për të arritur tek libri. Me të drejtë mendjehapurit thonë: “Ja sheshi, ja mejdani”! Mendimi e gjykimi intelektual mallakastriot përbashkohet kur citojnë shkrimtarin e madh të letrave franceze me famë botërore, Molierit (Jean-Baptiste Poquelin), këtij krijuesi të madh të karaktereve, që thoshte: “Lavdia e tij s’ka nevojë për asgjë/ E jona ka nevojë për të”.

Ku ta gjejmë subjektin e shkrimeve për Cakranin e Mallakastrën?

Çdo, fshat, krahinë, popull ka njerëzit e vet, idetë e veta, elitat e veta. Prandaj autori Llanaj përzgjedh me kujdes fjalë pas fjale edhe trajtimin historik të krahinës. Ka një vijë logjike në rrjedhën e kohës me pasione dhe arsye, me emra të përveçëm e deri organizime shoqërore. Prandaj ai vepron me ekuilibër si kërkues dokumentesh, hulumtues dhe publikues, që kërkon të zbardhë e sjellë sa më shumë të vërteta historike, modelet dhe përfaqësuesit e rrënjëve krahinore dhe kombëtare, që e koncepton dhe trajton historinë si shkencë. Mendja e Asqeriut “bredh” lirisht në Mallakastrën e butë ose në Mallakastrën Perëndimore dhe njerëzit e saj, në kodrat, fushat e lëndinat e saj, në Lumin e Vjosës, në  pasuritë e shumta deri në arin e zi naftën aq jetike për ekonominë, në pasurinë më të çmuar, njerëzit e mrekullueshëm, në figura të shquara, të cilat i kanë bërë nder Mallakastrës dhe kombit shqiptar. Mendja e tij rrok gjithë komunitetin e fshatrave të Cakranit, Gorishovës, Varibopin, Kreshpanin, Vreshtazin, Buzëmadhin, Selitën, Floqin, Gjorgozin, Patosin fshat, Lalarin, Gjonçën, Hambarin, Selishtën, Portëzën, Frakull, Levan, qytetin e lashtë të Gurëzezës, Bylisin ilir, në “kulturën e Cakranit” shtatëmijë vjeçar, kur njerëzit braktisën shpellat dhe u vendosën në fushat pranë lumit, kur njerëzit “braktisën” pjesërisht gjuetinë dhe hodhën shikimin nga bujqësia e blegtoria, brigjet e Vjosës u populluan dhe Iliria e lashtë, mori jetë deri tek mbretërit jugorë të Ilirisë, me rezidenca në Krahinën e Mallakastrës si zona të qytetërimit ilir. Këto janë meraket e doktor Asqeriut, që i huaji mos të të hyjë në hise. “Prandaj historia do shkruar me argument” – gjykon ai me të drejtë. Cakrani ka nxjerrë si krahinë dy ndër poetët më të mëdhenj të shekujve XVII dhe XVIII: Nezim Frakullën e Jul Varibopin, që me të drejtë janë përfshirë në historinë e letërsisë shqiptare, si përfaqësues të shquar të poezisë shqipe. Cakrani ka lindur bij të tillë si Rrapo Hekalin, Veis Cakranin, si emërndriturit e krahinës së Mallakastrës dhe gjithë Shqipërisë, ndërkohë që në momentet me vendimtare të historisë, më 28 nëntor 1912, dy firmëtarë të mëdhenj të Pavarësisë së Shqipërisë, Hajredin Cakrani dhe Thanas Floqi, përfaqësuan me nder e dinjitet krahinën, dhe më tej, Mustafa Hoxha nga Vreshtazi, ishte mësuesi i parë i gjuhës shqipe në Cakran, bashkëkohës besnik i Bab Dud Karbunarës. Cakrani dhe Ferrik Dema (Llanaj), priti dhe mbajti me shpirtbardhësi, trimëri dhe besë  Ismail Qemal Bej Vlorën, Luigj Gurakuqin e Isa Boletinin. Doktor Asqeriu është krenar që bij e bija të shumtë të Cakranit kanë nderuar krahinën dhe kanë lënë material jetësor trimërie, bujarie e mençurie për t’u hedhur në letër sikurse edhe për LANÇ-in, që dha burra që i bënë nder krahinës dhe gjithë vendit si: Nuredin Aliu, Mete Sulo, Faik Ahmeti, Liri Belishova, Baftjar Jonuzi (Bega), Ballëm Mete, Zaim Myftari, Feti Dano, Luftar Paja, Ahmet Saliaj, Ahmet Seitaj e shumë të tjerë. Por Cakrani ka nxjerrë edhe figura të tjera kombëtare si ish-kryeministrin Vilson Ahmeti, diplomatë si Jonus Bega, shkencëtar si Fatmir Shehu, futbollistin Agron Sulo si dhe mjaft figura të tjera të respektuara si: Ferro Fetahu, Asllan Gropasi, Fatmir Agalliu, Idajet Beqiri, Luftëtar dhe Gazmend Paja, Nimete Kodheli, Petrit Ahmeti, Thanas Fureri, Pirro Cakrani, Azmi Tato, Beqo Hënaj, Halil Bregasi, Bardhyl Fasko, Feti Nazëraj, Abas Cakrani, Hetem Kapllani, Novrus Sinanaj, Xhezmi Nazëraj, Abas Muçaj, Salo Qerimi, Halil Bregasi, Nazmi Meçaj, Enver Demishaj, Ali Beqaj, Sulo Tahiraj, Luljan Taullai, Aleksandër Lamçe, Flamur Muskaj, Myslim Pashaj, Guri Pashaj, Zini Goxhaj, Pajtim e Piro Lutaj etj, etj. Prandaj objekti dhe subjekti për intelektualë që dinë dhe duan të hidhen në lëmin e letrave është mjaft e gjerë dhe e spikatur. Doktor Asqeriu është tashmë një veteran i shkrimeve për Cakranin e Mallakastrën, që lehtësisht mund të udhëheqë e drejtojë më të rinjtë intelektualë në këtë fushë. Ai di ta kërkojë dhe ta gjejë më të veçantat dhe më të bukurat kuptimplote për veprat që gdhendin historinë. Ai është bërë tashmë simbol i asaj treve të zjarrtë atdhetarie e kulture, që shpërthen gonxhe mirësie dhe nderim për historinë dhe për jetën, për të djeshmen, të sotmen dhe të nesërmen. Të gjithë e dinë se tek Asqeriu rron e vlon një shpirt artisti, një vlerë e materializuar në libra mbresëlënës, një psikolog krijues, një njeri i veçantë, një shpirt i lirë e i bukur, një atdhetar i provuar tashmë si trurin që drejtoi suksesshëm Shoqatën “Cakrani”, një intelektual-lider, që sfidon kohën dhe errësirën dhe pëlqen dritën e diellit që depërton në çdo skutë të errët të historisë.

Biografia e plotë e shkrimtarit Asqeri Llanaj

Kushdo që merr penën të shkruaj për biografinë e shkrimtarit Asqeri Llanaj fillimisht të jep përshtypjen se e ka të lehtë, por për të depërtuar në atdhetarinë, krijimtarinë si shkrimtar, punën kërkimore e shkencore arkivave për të zbuluar historinë dhe duke ju përkushtuar qindra e qindra orë historiografisë. Por është fakt se tek shkrimtari i mençur, korrekt, tepër dinamik, shumë human, me formim të plotë qytetar rron një shpirt i zjarrtë për vendlindjen që nuk pajtohet me fenomenet negative, që nuk e njeh tërheqjen nga vështirësitë, një njeri plot larmi, bashkëpunues, jashtëzakonisht i gjallë, përherë veprimtar konstruktiv shoqëror, të lidhur ngushtësisht me dhjetëra intelektualë, që i bëjnë nder vendit, që hedhin dritë mbi letrat shqipe, historinë krahinore dhe atë kombëtare. Prandaj për doktor Asqeriun nuk mund të shkruash pa rënë në merakun e një kompleksi të gjerë interesash për zonën e Cakranit, për Mallakastrën, për Vlorën, për kombin shqiptar, në veri dhe në jug, por edhe përtej kufirit administrativ ku jetojnë e punojnë shqiptarë dhe që flasin bukur shqiptarçe.

Asqeri Llanaj është lindur më 6 shkurt 1943 në Cakran të Mallakastrës. Arsimimin fillor dhe shtatëvjeçar e mori në vendlindje në vitet 1952-1958, ndërsa atë të mesëm mjekësor e ka përfunduar në Tiranë në vitet 1958-1962, për ndihmësmjek të përgjithshëm. Në vitet 1962-1965 punon si ndihmësmjek të përgjithshëm në fshatrat e Mallakastrës. Më 17 nëntor 1965 mobilizohet ushtar në Flotën Luftarake Detare (FLD) dhe më 10 korrik 1968 titullohet oficer në Brigadën e Nëndetëseve, që ishte një ndër njësitë elitare të republikës. Përgjatë kësaj periudhe, kur Shqipëria ishte një vend me një ndër ushtritë më të mëdha e më të sofistikuara në pajisje të rajonit, Asqeri Llanaj shërben si ndihmësmjek i përgjithshëm në nëndetësen e tretë. Duke qenë i pasionuar për studime në vitet 1970-1975 ndoqi studimet në Universitetin Shtetëror të Tiranës në degën Stomatologji. Më tej punoi për një vit në spitalin ushtarak në Tiranë dhe në vitin 1976 u transferua në Spitalin ushtarak të Pashalimanit, si mjek stomatolog deri në vitin 1985. Nga viti 1985 deri më 1992 punon si mjek stomatolog në spitalin ushtarak të Divizionit të Vlorës. Në korrik të vitit del në reformë nga strukturat ushtarake me gradën ushtarake kapiten i parë. Në shtator 1992 deri më 1997 caktohet mjek stomatolog në klinikën e spitalit të Himarës. Nga shtatori 1997 e në vazhdim mjek në klinikën stomatologjike “Tani”, në Vlorë. Njeh mirë gjuhën ruse si dhe është pjesë e grupit nismëtar për themelimin e Shoqatës atdhetare-kulturore “Cakrani” dhe aktualisht është kryetar i saj; është anëtar i shoqatës së stomatologëve në Tiranë, anëtar i lidhjes së shkrimtarëve “Petro Marko”Vlorë, anëtar i asociuar i shoqatës italo-shqiptare, të dentistëve të Shqipërisë, anëtar i SHKA “Mallakastra” dhe sekretar i degës së Vlorës, themelues e drejtues i revistës “Cakrani”. Ka një kontribut të çmuar letrar në prozë tregime, histori (zhvillimi social-ekonomik, shkencor, kulturor, arsimor, shëndetësor nga viti 1900-1990). Doktor Asqeriu është pjesëmarrës në kongreset stomatologjike ballkanike dhe europiane si në Tiranë, Shkup, Beograd, Sarajevë, Stamboll, Qipro, Kongresi XIII Dento-Levante, Bari, Pjesëmarrës në Konferencën e I, II, III, shkencore të shoqatës “Asocimi Nacional i Dentistëve të Shqipërisë”, në manifestimin e 36, 37, 38 letraro-kulturor-shkencor “Takimet e Gjeçovit”, 2007, 2008, 2009, në Zym të Hasit të thatë (Kosovë), është organizator i simpoziumit shkencor për prof. dr. Fatmir Agalliu më 17 maj 2008 në Universitetin “Ismail Qemali” si organizatori kryesor i SHKA “Cakrani”, si dhe organizator i simpoziumit, mbi 100 vjetorin e them,elimit të shkollës shqipe në Cakran, etj. Veprimtarinë jetësore të doktor Asqeriut është kaq e gjerë dhe e larmishme sa nuk e nxënë rreshtat e një shkrimi. Asqeriu Llanaj është një lexues i pasionuar i librave. Nëse e citojmë atë në lidhje me librat, ai sjell në vëmendje bisedën e Frashëlliut të madh me Bismarkun: “Në rend të ditës ishte vendosur për copëtimin e trojeve tona, kur ideatori i lidhjes shkoi në Evropë për të gjetur mbështetje tek kancelari gjerman Oto von Bismark për të mbrojtur trojet etnike shqiptare në të katër vilajetet… Bismarku e pyeti: Sa libra keni shkruar në gjuhën tuaj dhe kush janë shkrimtarët që i kanë shkruar që t’i vërtetoni Europës se në ato troje jeni ju autokton… Rilindasi ynë u përgjigj se kemi qënë nën pushtimin osman dhe se nuk na është lejuar të mësohet gjuha amtare… Atëherë Bismarku, tha: Kur ju nuk keni shkruar një libër që të mbroni para Evropës që jeni autoktonë përse vini në Evropë për mbështetje…. Dhe nga ajo kohë ka mbetur shprehja e tij e famshme, që ‘Shqipëria është një shprehje, një nocion gjeografik’. Prandaj shqiptarëve nuk u lejohet më injoranca në arsimim, në libra në dituri në kërthizë të Evropës…”. Prandaj përhapja e librit, kulturës e diturisë në shqip është detyrim intelektual, që të mos derdhë lot shqipja dhe të vuajë nga padituria.

Oficeri mallakastriot në brigadën e nëndetëseve

Ai nuk ishte në ngjarjet madhore të “përleshjeve” në Pashaliman me rusët, por e dinte mirë historikun e tyre. Në moshë fare të re edhe pse e filloi karrierën “nga tabani” sepse shkoi në Pashaliman si ushtar, por shpejt falë aftësive dhe nevojave imediate u gradua me meritë. Duke qenë se Cakrani e kishte detin larg sikurse çdo moshatar i Asqeriut deti ishte një ëndërr, ndërkohë që kujt i binte rasti të kryente ushtrinë në Marinë quhej “me fat”, jo se fillimisht shërbimi ushtarak ishte 4 vjet më tej 3 vjet dhe më në fund 27 muaj, por do merrte zanat, do bëhej notar i zoti dhe “do shihte botë me sy”, nëse vijonte me marinën tregtare shqiptare. Asqeriu tregon: “Më 17 nëntor 1965 na hipën në një makinë luftarake dhe na çuan ushtar (detar) në Pashaliman. Atje na qethën kokën, na kontrolluan fizikisht dhe na çuan direkt në dush, pastaj na veshën me uniformën e marinarit. Ata që i kishin rrobat të reja, i vishnin, ndërsa ata që i kishin të përdorura, i paketonin dhe i pastronin në familje. Në shkollën e instruksionit ishin 800 djem. Të nesërmen na mblodhën dhe na këshilluan që të kishim marrëdhënie të mira midis shokëve dhe të duheshim si vëllezër, pastaj na ndan nëpër toga, sipas specialiteteve…“kishim lerë me këmishë!”, kishin hyrë në botën e guximtarëve, në botën ku “makineria luftarake” sheshbetejë kishte detet. Shërbimi ushtarak ishte katër vite. Fillimisht Asqeriun e caktuan timonier sinjalist. Pas 45 ditëve u zhvillua betimi ushtarak. Kishte përfunduar “karantina” dhe më tej do shërbente në anije palombare, sepse ish-ndihmësmjeku kishte shkuar me studime në universitet. Sigurimi i zhytësve për problemet që mund t’ju shkaktonte zhytja dhe për probleme të tjera shëndetësore. Pas tre muajve zëvendëskomandanti i anijes palombare e dërgon në nëndetësen e tretë (III), të komandant Petrit Myftiu nga Elbasani, i cili e priti duke i thënë: “Është nder të shërbesh në nëndetëse dhe je i privilegjuar qe je caktuar në nëndetëse. Shokët e tu as që e imagjinojnë. Vlerësoje këtë detyrë”. Dhe në fakt vlerësimi i Asqeriut ishte maksimal. Ai plotësoi të gjitha kushtet për të shërbyer si nënujës në nëndetësen III. Meqenëse ndihmësmjeku i asaj nëndetëseje, Sabit Brokaj, ishte dërguar për studime në universitet. Ju nënshtrua ligjësive të nëndetëseve, këtyre “bishave” të hekurta të deteve, ndërkohë që ligjet e forta në organizimin luftarak të nëndetëseve ishin më se precize. Puna çoi të kryente tre funksione si nënoficer nëndetëseje: kimist, oficer ndihmësmjek dhe intendent, që merrja në dorëzim furnizimin për një muaj lundrimi. Nëndetëset “nuk pranonin“ ushtarakë të çdo niveli, por vetëm shembullorët dhe Asqeri Llanaj shpejt u cilësua “Detar Shembullor” në qendrën e emulacionit në sheshin e Brigadës së Nëndetëseve. Në vitin e tretë, shërbimi ushtarak për marinarët, nga katër vjet, zbriti në tre vite. Gëzim i madh për gjithë marinarët e shërbimit të detyrueshëm. Por nevojat për kuadro bënë që Asqeriu të propozohej për oficer karriere, ndihmësmjek, në nëndetëse. Në ditën e krijimit të Ushtrisë Popullore, më 10.7.1968 ministrit të Mbrojtjes Beqir Balluku nxjerr urdhrin: “Asqeri Llanaj titullohet oficer nëndetëseje“. Pas dy vjetësh më 1970 nga Pashalimani ai dërgohet në Universitetin e Tiranës. Urimi “rrugë e mbarë!”, në ditën e përcjellë nga shokët dhe komandanti i nëndetëses Jako Mandre, si dhe “suksese!” nuk ishte urim, por bekim për Asqeriun, oficerin shembullor që studioi për mjek stomatolog. Sërish frymë kolegjialiteti, por tani nga “bishat e hekurta“ të detit në auditorët universitare. Edhe pse u largua nga nëndetëset përgjatë gjithë jetës punoi me disiplinën dhe rregullin e nëndetëseve. Disiplina e shoqëroi edhe nga marsi 1983 kur transferohem në spitalin e Divizionit Ushtarak të Vlorës deri në lirimin e parakohshëm korrikun e vitit 1992, por edhe në jetën pasushtarake që vullnetkalitur iu fut edhe rrugës së hulumtimit dhe kërkimit në arkiva për historinë e fshatit Cakran, për Mallakastrën dhe për figura të mëdha të përmasave kombëtare të kësaj treve.

Pashalimani, aty ku “u rritëm dhe u burrëruam”!

Asqeriu dhe djelmoshat shqiptarë që punuan në Flotën Luftarake Detare ishin krenaria dhe ajka e djemurisë. Ata nuk ishin të zgjedhur, por të përzgjedhur për “postin e veçantë luftarak”, për të punuar në 4 nëndetëset në Bazën e Pashalimanit. Nëndetëset dikur ishin tmerri i kundërshtarëve në “të ashtuquajturat” vitet e “Luftës së Ftohtë”. Nëndetësja ku shërbeu Asqeri Llanaj ishte e famshme sepse njihej me kodin ushtarak “Tufani” ose siç njihet në zhargonin popullor “Nëndetësja 105”. Në fakt nuk ka ekzistuar asnjë e tillë me numër indeksi ushtarak “105”, sepse ka qenë një trill i kinematografisë në filmin “Ballë për ballë”, ku bëhej konflikti i ushtarakëve shqiptarë dhe rus në Bazën e Pashalimanit, në mbyllje të marrëdhënieve diplomatike, kërkuan t’i rrëmbenin mjetet lundruese me forcë. Asqeriu i lexuar dhe me një botë të gjerë e dinte se garnizoni ku shërbente në Pashaliman, ishte i një rëndësie të veçantë kombëtare. Gjiri detar i Pashalimanit ishte i përmendur nga gjeografi Pseudo Skylaksi, që në shekullin e V-të para Krishtit. Nëndetëset shqiptare janë strehuar në këtë gji, që nga koha e ardhjes së tyre më 1957 deri në qershor 1987, kur nëndetëset u përqendruan në bazën e Porto Palermos, tek tuneli për të cilin u punua për më shumë se 20 vite nga forcat ushtarake shqiptare. Vetëm ata që kishin punuar me nëndetëset kishin ngelur shpirtërisht të lidhura me to. Ndërkohë që të 4 nëndetëset në vitin 1992, nëndetëset u rikthyen në bazën e hershme të tyre në Pashaliman, në bazën detare që “njihej” si një bazë sovjetike që kontrollonte Mesdheun në vitet ’50, si “pika e nxehtë”, e “Traktatit të Varshavës” dhe pikë e nxehtë mes dy blloqeve në vitet ’55-‘60. Edhe pse në detyra të tjera në dallgët e jetës, Asqeriu një sy dhe një vesh e ka pasur gjithmonë nga nëndetëset, atje ku “njerëzit flasin me hekurat nën det”, në atë makineri të hekurt, pjellë e luftërave, në funksion të paqes gjithmonë të kërcënuar. Asqeri Llanaj mësoi shumë nga historiku i armës së vet: “…mbi nënshkrimin e “Paktit të Varshavës”, që solli përshpejtimin e modernizimit dhe kompletimit të FLD-së të Shqipërisë, veçanërisht pas vitit 1957. Në tetor të vitit 1957, bëri një vizitë në Shqipëri, Ministri i Mbrojtjes i Bashkimit Sovjetik, mareshali Zhukov, katër herë hero i BS, i cili vlerësoi pozicionin strategjik të Pashalimanit për të kontrolluar hyrjet në Mesdhe, ngushticën e Gjibraltarit dhe kanalin e Suezit. Flota Sovjetike synonte të zgjeronte fushën e saj të veprimit dhe të krijonte baza të përhershme në Mesdhe, dhe kjo kishte prioritet për prezencën në Detin Mesdhe të Flotës Ruse, sepse këtu kishin qenë rusët që në kohën e Katerinës së II-të dhe se marinarët rusë, nën komandën e Spiridovit, Ushakovit e Senjavinit kishin kaluar dhe luftuar në këto dete. Në fund të nëntorit të vitit 1957, në qytetin e Durrësit u zhvillua ceremonia e inaugurimit të Brigadës së Parë të Nëndetëseve. Gjatë vitit 1958, u krye specializimi i personelit drejtues të nëndetëseve në Akademinë e Specialiteteve të Nënujësve, në Sevastopol dhe Krime të ish-BS-së dhe në fakt katër nëndetëset e para, arritën në bazën e Pashalimanit në shtator 1958. Më 17 shtator 1958, në katër nëndetëset u zhvillua ceremonia e uljes së flamurit të Bashkimit Sovjetik, duke u ngritur flamuri shqiptar. Në fillim të vitit 1960, Brigadës së Nëndetëseve iu shtuan edhe 8 nëndetëse të tjera ruse, por më 4 qershor 1961, pati një përplasje të ashpër, deri në prag të përdorimit të armëve mes ushtarakëve sovjetikë që kërkonin që në ikje e sipër, të merrnin me forcë nëndetëset e Pashalimanit, si dhe detarëve e eprorëve të tyre shqiptarë, që ishin të vendosur, që të mos lejonin largimin e nëndetëseve. Për Asqeriun dhe shokët e tij këto ishin aq të freskëta sikurse edhe të dhënat e nëndetëseve tona 1045 tonëshe në ujë, ndërsa kur zhyteshin pesha shkonte në 1298 tonë (pasi mbushej me 253 tonë ujë për t’u zhytur) dhe që kishte 224 bateri, ku vetëm njëra peshonte 750 kilogramë dhe nën ujë punohej me këto bateri vetëm 1 orë, që vetëm karikimi i një baterie kushtonte 1000 $, harxhonte në një orë, 175 litra karburant, rezerva ishte 119 tonë karburant. Cisterna mbante 11.3 tonë ujë. Nëndetëset tona kishin 76 metra gjatësi, 6.3 metra gjerësi. Nuk kishte ushtarak të bazës, po kështu edhe Asqeri Llanaj, që të mos kishte gdhendur në kujtesë ngjarje nga Pashalimani si: “…më 15 gusht 1961, në bazën e Pashalimanit kishte shkuar për inspektim Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Hysni Kapo, Beqir Balluku, Kadri Hazbiu kuadro të drejtimit më të lartë politik të shtetit. Nëndetëset tona ishin ndërtuar në Bashkimin Sovjetik, ku pas mbarimi të LIIB nga 1949 deri më 1958, ishin 215 copë, një rekord në armatimin nënujor botëror, për qëllime “paqësore”, nga të cilat 4 ngelën pjesë e Flotës sonë Luftarake Detare”. Të gjitha këto Asqeri Llanaj i ka si në një film me metrazh të gjatë për një periudhë që të sjell në vëmendje kohët e ballafaqimeve të mëdha ndërshtetërore. Ka qenë një realitet i një kohe të mbushur me kërcënime në periudhën “e artë” të “Luftës së Ftohtë”. Pashalimani nostalgjik i Asqeriut është vendi ku sipas tij: “u rritëm dhe u burrëruam”!

 

Krijimtaria që flet dhe u tregon brezave

Librat e Asqeri Llanaj janë një gjerdan krijimtarie në gjoksin e një krahine të tërë, të Mallakastrës të shquar në trimëri, mençuri, jetë të pasur dhe punë të ndershme. Vetitë e karakteristikat e kësaj treve nuk ka se si të mos i materializonte kaq bukur në krijimtarinë e tij doktor Asqeriu, gjithmonë i palodhur dhe gjithmonë kërkues. Librat e tij janë një vlerë e paçmuar dhe një dhuratë për Cakranin dhe Mallakastrën. Nëse rendisim në mënyrë kronologjike botimet e autorit doktor Asqeri Llanaj, nuk duam të zgjojmë zilinë, por të nxisim intelektualët mallakastriotë të ndjekin rrugën e tij. Vepra e plotë e doktor Asqeriut është si vijon: 1.“Jetën ia kushtoi naftës” (monografi), “Pavarësia” (2003); 2.“Kur historia flet vetë” (pjesa e parë) “Triptik”, (2003); 3.“Dëshmorët e LANÇ-it të zonës së Cakranit”, “Triptik”, (2004); 4.“Kujdesi për gojën-kujdesi për jetën”, “Neraida” (2006); 5.“Vdekja nuk di të trokasë”, ngjarje të jetuara, “Neraida”, (2007); 6.“Mësuesi i arshivuar në memorie”, “Europrint”, (2007); 7.“Proteza totale, komunikimi mjek-pacient, këshilla”, B.K. Tiranë, (2007); 8.“Cakrani në rrjedhat e kohës”, bashkautor: Asqeri Llanaj, Halil Bregasi, Agur Mehmetaj, ”Neraida”, (2008); 9.“Ditari i një partizani”, “Europrint”, (2008); 10.“Vatra e zjarrit që ushqeu brezat me frymën e atdhedashurisë”, “Neriada”, (2008); 11.“Mësuesi i palodhur”, monografi, ”Europrint”, (2008); 12.“Respekt dhe dashuri për mësuesin veteran Ballëm Mete Iljazi”, “Pavarësia”, 2009. Asqeri Llanaj, Asllan Gropasi; 13.“Bektash Bej Cakrani. Historia flet vetë”, monografi, “Triptik”, 2010; 14.“Ferro Feta Skënderaj”, monografi, “Triptik”, 2011; 15.“Kleri shqiptar dhe çështja kombëtare”, “Triptik”, 2011; 16.“Ali Rrapaj, Nuredin Aliu. Atdhetarizmi i familjes cakranjote”, monografi, “Triptik”, 2013; 17.“Abaz Muçaj”, monografi, “Ymeraj” Fier, 2013; 18.“Firmëtari i Pavarësisë Kombëtare Thanas Floqi”, monografi, “Triptik”, 2013; 19.“Haxhi Bani në 70-vjetor”, monografi, “Triptik”, 2013; 20.“Karafila nga Zemuni”, “Triptik”, 2014. 21. Revista “Cakrani”, nën drejtimin e Asqeri Llanaj, 2004. 22.“Kirurgu duarartë Et’hem Kapllani”, “Triptik”, 2017. 23.“Shërbimi shëndetësor në zonën e Cakranit”, monogrfi, “Ymeraj”, 2011; 24.“Fatmir Agalliu – njeriu, pedagogu dhe shkencëtari”, monografi, “Ymeraj”, 2016; 25.“Intelektuali dhe shkencëtari Hysen Çobani”, Monografi, “Triptik”, 2019; 26.“Kontributi i banorëve të zonës së Cakranit për pavarësinë e atdheut”, “Triptik”, 2019; 27.“Tipografia dhe shtypi në Vlorë”, “Triptik”, 2020; si dhe së fundi duke pulsuar njësh me evenimentet e përvjetorët e ngjarjeve më madhore të kombit ka publikuar (28) “Mallakastra në luftën e Vlorës të 1920-ës”, botuar në prag të 100 vjetorit të Luftës së Vlorës dhe promovuar  në një nga sheshet dhe rrugët më interesantë ku kaluan fitimtarët më 1920-ën. Libri i doktor Llanaj ishte në vitrinat e nderit të festimeve të 100 vjetorit të luftës së Vlorës krahas librave më interesantë të publikuar nga Akademia e shkencave, Universitetet shqiptare, si dhe autorë të tjerë të njohur në Shqipëri si historian prof. Shyqyri Hysi, prof. Bardhosh Gaçe, prof. Bernard Zotaj dhe shumë të tjerë.

Lidhjet e Poçemit – nder e krenari për Mallakastrën dhe besë për Shqipërinë

Është shkruar e folur shumë për tre besëlidhjet e Poçemit, mjaft të njohura në historinë tonë kombëtare, veçanërisht për mesazhet dhe vlerat që këto tre besëlidhje përfaqësojnë  në tre epoka kur kombi ka pasur nevojë për mobilizim mbarëkombëtar, kundër pushtuesve osmanë, italianë dhe italo-gjermanë. Por shkrimtari mallakastriot Asqeri Llanaj e ka ngritur në art ngjarjet në të tre epokat. Ka që në rininë e hershme të Asqeriut që libri është shndërruar në thesaret më të çmuara që pasurojnë botën e brendshme të tij, veçanërisht kur kultivojnë vlera të dijes dhe qytetarisë si dhe përçojnë ato për brezat me vërtetësi. Kështu tre marrëveshjet e Poçemit kanë qenë për shkrimtarin Llanaj meraku i merakeve. Ai me vërtetësi ka hedhur dritë të fuqishme mbi tre Besëlidhjet e Poçemit si trumbeta të shpirtit të lirë mallakastriot, që u përcjell jehonën historike të ngjarjeve. Fakt është se tre herё brenda njё shekulli, Mallakastra ёshtё mbledhur nё Poçemin historik. Tё parёn, e  priu atdhetari i shquar dhe luftёtari i madh Rrapo Hekali, nё qershor tё vitit 1847. Tё dytёn e prinё burrat e shquar tё Mallakastrёs, Halim Hamiti dhe Bektash Cakrani nё qershor tё vitit 1920 dhe për herë të retë udhëhoqi Mehmet Shehu, komandant i “Çetёs Plakё” dhe organizatori kryesor i LANÇ-it, mё 8 korrik 1943. Nuk ka mallakastriot dhe patriot shqiptar që nuk i njeh këto tre kuvende që janë kolonë kombëtare edhe nëpërmjet penës së Doktor Asqeri Llanaj. Ai përshkruan pa hezitim të vërtetat rreth tyre, pёr t’i kujtuar dhe nderuar tё tri kёto evenimente tё shënuara e tё zhvilluara nё muajt qershor-korrik, ёshtё pranuar si dita e pёrbashkët pёr kremtimin e tyre, data 14 korrik. Nё tё tre kёto evenimente tё mёdha, Mallakastra nuk ka qenё vetёm, por ka pasur nё krahë Vlorёn, Tepelenёn, Beratin, Skraparin dhe Myzeqenё. Edhe nga shkrimet e Asqeriut del që, historikisht janё të gjitha treva tё unifikuara nё doke, zakone, tradita, unitet vëllazëror dhe nё interesa shpirtёrore, materiale e atdhetare. Ato janё krahina qё janё mirёkuptuar nё qёllime dhe nё veprime dhe u janë gjetur njëra-tjetrёs nё çaste kur vendosej pёr fatet e atdheut, po kështu në të gjitha evenimentet e historisё ato janё gjetur bashkё, kanё luftuar bashkё dhe e kanё derdhur gjakun bashkё pёr idealet e pёrbashkёta atdhetare. Pёr kёtё flasin varret e të parëve, legjendat, mitet për mbarë truallin mallakastriot që nga kryengritjet që udhëhiqeshin nga Rrapo Hekali, flasin eshtrat e mallakastriotëve qё ranё pёr tё marrё Kalanё e Beratit, që përkohësisht ndaluan edhe reformat osmane, flet gjaku i dёshmorёve tё rёnё nё Luftёn e Vlorёs mё 1920, fletё heroizmi partizan dhe gjaku i derdhur pёr liri nё Luftёn e Dytё Botёrore pёr çlirimin e Shqipёrisё gjatë Luftës së madhe Antifashiste, si pjesë e koalicionit botëror antifashist. Patrioti i shquar mallakastriot Halim Hamit Hekali ishte nip i Rrapo Hekalit, udhëheqësit të kryengritjes antiosmane të vitit 1847, që provoi se oxhaku patriotik mallakastriot kulmoi edhe në Luftën e Vlorës në vitin 1920 kur u zgjodh komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura vullnetare të Mallakastrës së Sipërme. Një nga këngët popullore të kësaj periudhe afirmon aktivitetin luftarak të këtij patrioti të shquar në Luftën e Vlorës është: “Nëntëqintë e njëzetë viti,/Mallakastra seç buçiti,/Komandant Halim Hamiti,/Një mijë burra i gatiti,/Përmbi Vlorë ç’i vërviti,/Le ta marri veshë jeziti,/Si Rrapua është dhe i nipi…”. Dokumentime interesante si për shumë krahina shqiptare, edhe për Mallakastrën ka me shumicë, si Sejfi Vllamasi në shkrimet në gazetat “Mbrojtja Kombëtare” e “Fjala e lirë”, gjatë vitit 1921, në “Politika” në vitet 1923 – 1924. “Shënimet dhe kujtimet historike”, në “Ballafaqime politike në Shqipëri 1897- 1942”, etj, ku Mallakastra ka vend nderi. Edhe në mjaft analiza të thella e të gjera politike të kohës për epopetë e shqiptarëve, Cakrani e Mallakastra vijnë sa solide aq edhe të bashkëlidhura e bashkëmbështetëse, me të dhëna që edhe pesë kanë kaluar shekullin janë të çimentuara nga të dhëna autentike për vendet e zhvillimit të përballjes luftarake dhe luftimeve të çetave e kontingjenteve të Mallakastrës, që flasin për luftimet e para një shekulli “në brigjet e Çepratit, Bestrovës e deri në Panaja..”. Gjithë pasurinë e traditën e madhe luftarake e patriotike nëpër shekuj mallakastriotit e shpalosën tek Besa e Poçemit, ku në të tre herët mundësuan suksesin dhe rritën krenarinë krahinore, të atyre vlerave që sot mburret Cakrani e Mallakastra, por që vijnë kaq të qarta e të shkoqitura në penën e shkrimtarit Asqeri Llanaj. Këto besëlidhje kanë marrë edhe vlerësimin e shtetit sepse me dekret nr. 11541 datë 10.7.2020, të Presidentit të Republikës janë dekoruar me “Kalorësi i Urdhërit të Skënderbeut”, me motivacion: “Për kontributin e shquar të popullit të Mallakastrës dhe krahinave organizimin e luftës për liri dhe pavarësi kombëtare, në kushte të vështira, sa herë e ka kërkuar interesi kombëtar. Besëlidhjet e Mallakastrës përgjatë një shekulli janë tre akte të ndritura të vetëdijes atdhetarizmit, strategjisë popullore, aftësisë organizuese, trimërisë dhe përkushtimit të bijëve të Mallakastrës dhe më gjerë. Ato përcjellin në shekuj mesazhin e madh të atdhedashurisë dhe fuqisë së bashkimit të të gjithë shqiptarëve, pa asnjë dallim në luftën për mbrojtjen e lirisë, trojeve, sovranitetit dhe dinjitetit tonë kombëtar”.

Fryma e unitetit kombëtar që përcjell kryetari i Cakranit

(“Motor” gjithmonë i ndezur i atdhedashurisë dhe dashurisë njerëzore)

Doktor Asqeri Llanaj i bënte nder Cakranit dhe Mallakastrës, kur merrte pjesë në shumë veprimtari që përfaqësonin unitetin kombëtar, unitetin e vlerave dhe çështjet më madhore të shqiptarizmës brenda dhe jashtë atdheut, veçanërisht për një nga korifenjtë e gjuhës, shkollës shqipe dhe shqiptarizmës. Kështu doktor Llanaj në një nga nderimet që i bëheshin Atë Shtjefën Gjeçovi, këtij titani që ndriçon gjithë kombin për gjuhën e kulturën shqipe sikurse vetë kishte thënë: “Sa mund të mendohet dielli pa dritë, aq mund të mundohet një komb pa një gjuhë, prandaj ai e deshi gjuhën të njehsuar”, kishte asistuar me burra të Mallakastrës dhe të Labërisë në një nga ngjarjet madhore në përkujtim të figurave poliedrike të kombit. Doktor Asqeriu kur shkonte në Zym të Hasit për të nderuar Shtjefën Gjeçovin këtë dëshmor të kombit që e vranë serbët më 14.10.1929, duke menduar se do të shuanin diellin ndriçues e përhapës të gjukës e kulturës shqipe. Por më 1968 shkolla e Zymit u pagëzua me emrin e të ndriturit Shtjefën Gjeçovit dhe më 1971 u themelua klubi letrar “Shtjefën Gjeçovi”, vit që filloi edhe manifestimi letrar, shkencor e kulturor “Shtjefën Gjeçovi”, tashmë i përvitshëm sepse ai i përkiste binomit “Fe–Atdhe”, i pandarë në jug e veri sepse “Flamuri i parë asht i Perëndisë, i besës, i dyti asht i Atdheut, i komsis”. Shtjefën Gjeçovi ndërohet në çdo skaj të atdheut sikurse dhe në Cakran e Mallakastër, edhe me pjesëmarrje në Zym të Hasit të thatë, ku mbahen “Takimet e Gjeçovit”, sepse jugu e veriu kanë qenë e janë bashkë në unitet për kombin. Më 1852 Zenel Gjoleka me 2000 burra luftëtarë e që jetën e dha në qafën e Kërstiqit në Podgoricë ndaj malazezeve që donin ta rrethonin Shkodrën. Trimi Zenel Gjonleka do të binte në fushën e nderit, jo vetëm por me 350 dëshmorë të tjerë të ardhur nga Labëria e Mallakastra, dy treva binjake të historisë e trimërisë; ndërkohë që më 1944-1945 djem mallakastriotë e lebër ranë në tokën e shqiptare të Kosovës për çlirimin e saj, kontribuan fuqishëm bashkërisht nga çdo skaj i atdheut më 1920 dhe kanë qenë bashkë kudo ku “Atdheu ka plagë e dhimbje”. Dhe për shërimin e tyre Cakrani i doktor Asqeriut, Mallakastra, e gjithë Shqipëria ka qenë bashkë. Prandaj edhe atdhetarë e patriotë si Asqeri Llanaj e shikonin figurën e Gjeçovit si arkeolog, studiues i trashëgimisë pellazge, mbledhës i trashëgimisë gojore të popullit tonë, kodifikues të Kanunit të Lekë Dukagjinit, pjesëmarrës dhe kontribuues në sigurinë njerëzore gjatë luftës së Vlorës më 1920, flamurngritës në Kalanë e Kaninës, manifestimi madhështor. Burrat e Mallakastrës dhe Labërisë si një unitet ndërkrahinor përkujtojnë çdo dëshmor që gjakun e ka derdhur për mëmëdheun, për gjuhën, për shkollën, për truallin arbëror. Nuk është e rastit që kryetari i shoqatës së Cakranit është pjesëmarrës në katër kuvende të shoqërisë atdhetare-kulturore “Labëria”, Nderi i Kombit. Prandaj vizitat dhe shkëmbimet në mbrojtje të figurave kombëtare është domosdoshmëri e kohën komplekse që po përjetojmë, ndërkohë që në Cakran e Mallakastër atdhedashuria dhe dashurisë njerëzore është një “motor” gjithmonë i ndezur në funksion të çështjes kombëtare si dhe një rezervat i pashtershëm atdhedashurie.

Cakrani–vatër e zjarrtë e trimërisë, inteligjencës, atdhedashurisë dhe mençurisë

Mallakastra është një krahinë me 54 fshatra me 500 km², me rreth 20 mijë banorë, një trevë e mëkuar nga prushi atdhetar shekujve. Cakrani është një fshat si pjesë e pashkëputur e krenarisë mallakastriote. Cakrani është një trashëgimi lavdie, trimërie e heroizmi në të gjitha përballjet me pushtuesit. Vetë mallakastriotët e cilësojnë, “Zonë Martire e Luftërave për liri”. Për zonën flet e djeshmja e sotmja dhe e nesërmja. Një fshat me krenari të ligjshme, një trashëgimi që çdo banor të Cakranit i bën krenar, si për atë çfarë janë e çfarë ofrojnë. Cakrani ishte një vatër e zjarrtë trimërie në luftërat kundër osmanëve që në tanzimat e këtej, në periudhën e LSHP, në luftën e ‘20-ës dhe po kështu edhe në luftën e madhe antifashiste. Bijtë dhe bijat e Cakranit janë ballëlartë përpara krahinës së tyre, familjeve, miqve e shokëve e sidomos bashkëkrahinarëve të vet, sepse amanetet e brezave dinë t’i mbajnë e trashëgojnë nga brezi në brez. Kështu veçanërisht për familjet e dëshmorëve dhe ato që kanë qenë Baza të LANÇ-it, kanë se ç’të tregojnë në vijimësi jo vetëm për zonën e Cakranit të Mallakastrës, si një Zonë martire të Luftës së II Botërore, port ë mbarë krahinës. Autopsinë historike të zhvillimeve e ka sjellë me aq përkushtim doktor Asqeri Llanaj. Bijtë e bijat e Cakranit me të drejtë dhe krenarë për të shkuarën e tyre flasin për frontin antifashist përgjatë Luftës së Dytë Botërore, ku duke përfshirë edhe forcat territoriale i ka dhënë LANÇ-it 850 partizanë me bindje të thella antifashiste dhe me besim në fitore. Zona e Cakranit ka pasur 45 baza të LANÇ-it, që u bënë strehimi për ilegalët e vendosur antifashistë. Kjo zonë përballoi me sukses disa operacione me forca të pabarabarta sikurse ndodhi në Operacionin e Dimrit si dhe në Operacionin e Qershorit, ku armiku pushtues përdori mbi tetëmijë forca në Mallakastër përfshirë dhe Cakranin, shoqëruar edhe me avionë.  Zona e Cakranit u shqua në qëndresë heroike prej njëzetekatër orësh në luftën e Selishtës. Zona e Zhurit, humbi pasuri e katandi, ia dogjën shtëpitë e të lashtat, fshatarëve ju grabit gjëja e gjallë nga forcat pushtuese dhe bashkëpunëtorët. Armiku përdori masivisht reprezalje nga më të tmerrshmet, por populli patriot i zonës nuk u dorëzua deri sa u arrit fitorja përfundimtare, që u vadit me gjakun-lumë të dëshmorëve të Shqipërisë, ndërkohë që kjo zonë luftarake dhe e drejtë i dha luftës 105 dëshmorë. Pikërisht kjo është arsyeja e vërtetë që zona jonë mori titullin më të lartë të merituar “Zonë martire e Luftës së Dytë Botërore”. Për të gjitha këto ka një adresë krejtësisht të saktë dhe ku kushdo merr përgjigje të saktë: vepra e Asqeri Llanaj, që “e merr për dore” lexuesin dhe e çon tek burimi ku mund të mësojë realisht dhe të kthjellëta të vërtetat historike bazuar fort edhe në dokumentacionin arkivor shqiptar në arkivin e shtetit, në arkivin ushtarak shqiptar, dhe në arkivin e prefekturës e aktualisht të zonave.

Nderimi dhe vlerësimi i kontributeve – detyrim moral njerëzor

Nuk ka bir e bijë e Mallakastrës por edhe gjithë komuniteti ku ka punuar, punon e jeton si një doktor të respektueshëm, të palodhur dhe njeri me vlera që nuk e lë kohën t’i shkojë dëm, por zemra e tij pulson fuqishëm për të nxjerrë vlerat e vërteta të trevës ku lindi por edhe përtej saj. Për meritat e tij Asqeri Llanaj është vlerësuar nga shoqata “Labëria”, Nderi i Kombit me “Mirënjohje e Labërisë”. Asqeri Llanaj më 24 shtator 2016, në Hotel Tirana Internacional, në prani të mbi 300 përfaqësuesve nga e gjithë treva e Mallakastrës u nderua me vlerësimin e lartë “Nderi i Mallakastrës”. Intelektuali dhe doktori Asqeri Llanaj është veprimtar pasionant shoqëror, themelues i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Cakrani”, botues i revistës së kësaj Shoqate, ish-këshilli i komunës së Cakranit i ka dhënë titullin e lartë “Qytetar Nderi i Cakranit”. Ai është edhe veprimtar i pakursyer i komitetit të veteranëve të LANÇ të rrethit të Vlorës, i degës së Organizatës Kombëtare për Dëshmorët e LANÇ-it dhe Dëshmorët e tjerë të Atdheut të këtij rrethi, i degës së Shoqatës Kombëtare të Invalidëve të LANÇ të Vlorës etj. Për veprimtarinë dhe aktivizimin e gjithanshëm të shkrimtarit Asqeri Llanaj flasin qartë edhe anëtarësimet dhe nderimet e bëra nga shoqata homologe, duke e nderuar me “Mirënjohje” edhe nga “Çamëria”, “Mallakastra”, Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve, shoqata “Detaria Shqiptare” dhe shumë shoqata të tjera Atdhetare e Kulturore. Për doktor Asqeriun kanë shkruar Dhimitër Shtëmbari në gazetën “Dita” të datës 25 korrik 2018, “Asqeri Llanaj, veprimtar me interesa të gjëra”; por më shumë Asqeriu ka shkruar për figura të ndritura të historisë si shkrimi i Asqeri Llanaj, “Atdhetari e patrioti Thanas Floqi, firmëtar i Pavarësisë Kombëtare”, publikuar në “Telegraf” më 28 nëntor 2013, që në fakt është një libër monografik i shkruar në njëqind vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar, promovuar në Institutin Albanologjik në Prishtinë, kushtuar  rilindësit Thanas Floqi, dhe vlerësuar si një përmendore për kontributin e njërit nga firmëtarët e pavarësisë e shkruar nga doktor Llanaj. Asqeriu është punëtor i palodhur i mendjes intelektuale, i thjesht deri në kufijtë ekstrem të modestisë, njeriu që nuk rend pas lëvdatave, që punon për letrat shqipe për kulturën kombëtare deri në madhështi. Ai është dhe ngelet përherë një diamante mallakastriot që shoqëria dhe shteti duhet t’ia respektojë vlerat maksimalisht, ashtu sikurse kanë bërë shoqatat që kanë brenda vetes prushin gjithmonë të ndezur të atdhetarisë dhe mirënjohjes njerëzore. Mirënjohja është kaq e natyrshme për birin e Mallakastrës, për Asqeri Llanaj si një për atdhetarëve të radhëve të para, intelektual dhe veprimtar i spikatur, që nuk rresht në misionin e tij fisnik.

 

 

Please follow and like us: